Qetësi në veri

Një ditë pas aksionit që ndërmori misioni i NATO-s në Kosovë, në pjesën veriore të vendit, duke hequr një barrikadë rrugore në fshatin Rudarë, mekanizmat vendorë e ndërkombëtarë thonë se situata e është e qetë dhe se nuk ka pasur ndonjë veprim që mund ta ketë cenuar gjendjen e përgjithshme të sigurisë në atë pjesë.
Përfaqësues të këtyre mekanizmave njoftojnë se gjendja shëndetësore e dy ushtarëve ndërkombëtarë, që u plagosën gjatë aksionit të së premtes, është përmirësuar dhe se ata u janë kthyer njësiteve të tyre.
Zëdhënësi i KFOR-it, Uve Novicki, thotë për Radion Evropa e Lirë se pas heqjes së barrikadës në Rudarë, në zonat në veri të Kosovës nuk ka mbetur ndonjë barrikadë tjetër përveç asaj mbi urën kryesore mbi lumin Ibër.
Kjo barrikadë, sipas Novickit, nuk pengon lirinë e lëvizjes në veri të Mitrovicës dhe se, siç thotë ai, do të mbetet si simbol i kundërshtimit të serbëve ndaj integrimit të kësaj pjese në Kosovë.
“Ne i kemi disa ura mbi lumin Ibër në veri të Mitrovicës- madje edhe në pjesën perëndimore të qytetit kjo barrikadë rrugore, të cilën ne e konsiderojmë më shumë si simbol që simbolizon protestën e serbëve kosovarë kundër integrimit në Kosovë, mbetet si simbol dhe nuk pengon lirinë e lëvizjes”, thotë Novicki.
Aksioni i KFOR-it për heqjen e barrikadës në Rudarë hasi në kundërshtimin e serbëve lokalë, tre prej të cilëve thuhet se u plagosën duke protestuar kundër këtij veprimi.
Mirëpo, qysh kohë më parë, KFOR-i ishte zotuar për heqjen e të gjitha barrikadave rrugore, të cilat i patën vendosur serbët e veriut të Mitrovicës pas aksionit të Policisë së Kosovës për marrjen e kontrollit në pikat kufitare 1 dhe 31 në korrik të vitit të kaluar.
Zëdhënësi i Policisë Rajonale në Mitrovicë, Besim Hoti, thotë se policia do të vazhdojë ta mbështesë KFOR-in, ndërsa nuk hedh poshtë mundësinë që të iniciohen hetime për shkaktarët e dhunës në aksionin e së premtes.
“Policia gjithsesi do të kryejë rolin tjetër dytësor në kuadër të ruajtjes së rendit publik dhe ndoshta më vonë në kuadër të të gjitha këtyre ngjarjeve, inicimin e hetimeve për identifikimin e personave të dyshuar për përfshirjen e tyre në këto akte kriminale”, konfirmon Hoti.
Pas zhvillimeve të fundit në veri të Kosovës KFOR-i ka vendosur një numër pikash kontrolli të automjeteve dhe ka siguruar zonën për arsye sigurie.
Pikat e kontrollit të automjeteve dhe zonat e sigurisë thuhet se do të lëshohen sipas zhvillimeve dhe situatës së përgjithshme të sigurisë.