Propaganda pengon Zyrën në veri të Mitrovicës

Shtrirja e autoritetit të institucioneve të Kosovës në pjesën veriore ishte dhe mbetet një qëllim në letër, por në praktikë është treguar ende si një mision i pamundur.
Një gjendje e tillë, sipas deklaratave të zyrtarëve në Prishtinë, vjen si rrjedhojë e rezistencës politike të strukturave të serbeve të atjeshëm të mbështetur edhe nga Beogradi zyrtar.
Një hap drejt shtrirjes së këtij autoriteti në veri është formimi i komunës së Mitrovicës së veriut. Me përfundimin e mbikëqyrjes ndërkombëtare, formimi i kësaj komune të banuar me shumicë serbe tani i mbetet detyrë dhe sfidë qeverisë së Kosovës.
Në veri të Mitrovicës, i vetmi institucion i formuar nga qeveria e që funksionon sado pak, është Zyra Administrative e udhëhequr nga Adriana Hoxhiq, transmeton REL .
Kjo Zyrë, është menduar nga Qeveria në Prishtinë që të jetë themeli i komunës së re të Mitrovicës së veriut, e cila aktualisht ka të punësuar 52 veta, kryesisht nga veriu i qytetit. Hoxhiq thotë se qëllimi i Zyrës është që t’u ofroj shërbimet e nevojshme qytetarëve të kësaj komune.
“Kryesisht vijnë njerëz që kërkojnë punë, apo disa që interesohen se si të regjistrojnë bizneset e tyre si dhe ka të atillë që vijnë për regjistrimin e organizatave joqeveritare”, thotë Hoxhiq.
Nga dita në ditë, vijon ajo, shtohet numri i njerëzve që i drejtohen kësaj Zyre.
“Kemi dhjetëra raste që trajtojmë brenda një dite”, tregon ajo. Kurse i përgënjeshtron të gjitha deklaratat se për kryerjen e shërbimeve, qytetarët do të duhet të kenë orientime politike.
“Ne nuk insistojmë nga cilido qytetar të përkrahë ndonjë opsion politik apo të distancohet nga bashkëpunimi me ndonjë institucion në veri, pasi që ky është një rast për secilin qytetar që të bëhet pjesë e vendimmarrjes në këtë komunë”, thotë Hoxhiq, duke shtuar se viktime e këtyre propagandave kanë qenë pikërisht qytetarët.