Prokuroria kërkon shpallje urdhër-arresti për ministrin serb

Mitrovicë, 24 tetor – Departamenti i Përgjithshëm i Prokurorisë Themelore në Mitrovicë të enjten mori
vendim për fillimin e hetimeve kundër Aleksandër Vullin, ministër pa portofol në Qeverinë e Serbisë.
“Ky aktvendim u mor për arsye se ekziston dyshimi i arsyeshëm se Aleksandër Vullin, më 17 tetor 2013, në kohë të pacaktuar, në mënyrë të paautorizuar ka kaluar kufirin e Republikës së Kosovës me Serbinë, jashtë vendkalimit kufitar të autorizuar, dhe ka hyrë në territorin e Republikës së Kosovës. Me këtë ka kryer vepër penale, Kalimi i paautorizuar i vendkalimeve kufitare ose vijës kufitare, nga neni 146, paragrafi 2, lidhur me paragrafin 1 të Kodit Penal të Republikës së Kosovës”, thuhet në një njoftim të Zyrës së Kryeprokurorit të Shtetit.
Sipas këtij vendimi, hetimet kanë filluar nga sot, për arsye që ekziston dyshimi i bazuar se Vullin ka kryer vepër penale dhe me qëllim që në procedurën hetimore të mblidhen prova në bazë të të cilave do të vendoset se a do të ngrihet aktakuzë apo hetimi do të pushojë.
“Gjithashtu, Prokuroria Themelore në Mitrovicë, Departamenti i Përgjithshëm, po sot, ka kërkuar nga Gjykata në Mitrovicë që të lëshojë urdhër-arrest ndaj të pandehurit Vullin”, thuhet në njoftim.