Problemi i pa zgjidhur i Luginës, bombë e kurdisur

Në marshin protestues të Vetëvendosjes dhe shoqatës “Vatra” u tha se Serbia nuk duhet t`i prekë vlerat kombëtare, kurse nga faktori ndërkombëtarë u kërkua që të largojë forcat serbe nga Lugina dhe ato të zëvendësohen me forca ndërkombëtare.
Në emër të organizatorit, Ismajl Kurteshi, kryetar i degës së VV në Gjilan, tha se këtu sot po ngrihet zëri kundër dhunës e diskriminimit të vazhdueshëm 100 vjeçar. Sipas tij, heqja e lapidarit është vetëm njëra nga shkeljet e mëdha të të drejtave dhe lirive të njeriut.
Si informon Rajonipress, Kurteshi kërkoi që Qeveria në Tiranë dhe ajo në Prishtinë të angazhohen praktikisht dhe të mos mbesin vetëm në nivel të deklaratave. Ai kërkoi garantimin e të drejtave kolektive të shqiptarëve të Luginës, të cilat janë të garantuara me konventa ndërkombëtare. Gjithashtu, tha ai shqiptarët e Luginës duhet të kenë aso të drejta të përfaqësimit në institucionet e Serbisë çfarë i kanë serbët në Kosovë.
Kurteshi ka kërkuar kthim të garantuar të atyre familjeve të cilave u janë djegur shtëpitë. “Kërkojmë demilitarizimin dhe dexhandarizimin e Luginës, kërkojmë kthimin e lapidarit dhe ndërprerjen e bisedimeve mes Beogradit e Prishtinës, si dhe të ndërprerjen e përndjekjes së ish-pjesëtarëve të UÇPMB-së.
Edhe Sadulla Kadriu, nga “Vatra”, tha se Serbia e largoi në mënyrë tinzare lapidarin, kurse faktori ndërkombëtar e tradhtoi Luginën. Kadriu tha se liderët e Luginës duhet të largohen institucionet e atjeshme në shenjë revolte.
Sipas Kadriut, mos zgjidhja e problemit të Luginës së Preshevës do të jetë bombë e kurdisur në Ballkan, e cila nuk dihet se kur do të shpërthejë. Ai kërkoi nga liderët e Luginës që të jenë unikë, duke shtuar se është kundër dëmtimit të varrezave.
I bëjmë thirrje Serbisë që të mos i prekë vlerat kombëtare të shqiptarëve në Luginë, kurse nga ndërkombëtarët kërkojmë që forcat serbe dhe ato të xhandarmërisë të zëvendësohen me forca të mbikëqyrura nga ndërkombëtarët.
Protesta kaloi e qetë.