Presidenti Topi të enjten viziton Maqedoninë

Shkup, 6 mars – Presidenti i Republikës së Shqipërisë, Bamir Topi, të enjten më 10 mars do të qëndrojë për vizitë zyrtare në Republikën e Maqedonisë. Përveç pjesëmarrjes në hapjen solemne të kompleksit memorial të Holokaustit, Topi do të takohet edhe me nikoqirin e tij, presidentin e Maqedonisë, Gjorge Ivanov.
Gjatë vizitës së tij në Shkup, presidenti shqiptar pritet të takohet edhe me përfaqësues të partive politike të shqiptarëve në Maqedoni.
Lajmi është konfirmuar edhe nga kabineti i presidentit maqedonas, i cili ka informuar se edhe presidenti i Maqedonisë më 15 dhe 16 mars do të qëndrojë për vizitë dyditore në Shqipëri.
Temë bisedimesh në këto takime do të jetë avancimi i marrëdhënieve të mira ndër fqinjësore, si dhe sfidat e përbashkëta që i presin të dyja vendet në rrugën e tyre drejt anëtarësimit në Bashkimin Evropian.
Edhe pse i ftuar, presidenti i Kosovës, Behgjet Pacolli nuk do të vizitojë Shkupin të enjten, por disa ditë më vonë.