Premtimet zgjedhore serbe për Kosovën – njohje ose ndarje

Qytetarët e Serbisë do të duhej të zgjedhin mes fytyrave të vjetra të politikës së tyre, të dielën, kur do të dalin për të votuar. Ndonëse shumë në numër, 12 kandidatët për president të shtetit fqinj nuk kanë sjellë alternativa të reja të besueshme dhe mbi të gjitha që mund potencialisht të zgjidhen nga qytetarët me të drejtë vote e që gjithsej janë 7 milionë e 26 mijë.
Qytetarët që do të votojnë katërfish do të zgjedhin liderët e tyre lokalë, ata rajonalë, parlamentarë dhe presidentin e vendit, që pritet të jetë njëri nga dy fytyrat më të përfolura gjatë fushatës elektorale në Serbi, ish-presidenti Boris Tadiq dhe lideri i SNA-së, Tomislav Nikoliq. Të dy kandidatët kryesorë nuk kanë premtuar njohjen e Kosovës. Njëri nga ta ka premtuar ndarjen, e tjetri statusin special për veriun dhe BE-në, pa e njohur shtetin e ri.
Nikoliq ka thënë se do të pranonte ndarjen nëse për një gjë të tillë vendos populli i Serbisë me referendum, por është betuar se nuk heq dorë nga Kushtetuta që e definon Kosovën si pjesë të Serbisë.
E ish-presidenti që udhëheq Partinë Demokratike dhe që ndërpreu mandatin e tij të tretë për t`u hapur rrugë zgjedhjeve, ka premtuar BE-në dhe Kosovën, në atë që ai e quan mbrojtje të serbëve dhe të trashëgimisë serbe në Kosovë