Policia shton kontrollin në Karadak të Shkupit

Shkup, 11 maj – Policia e Maqedonisë ka intensifikuar kontrollin në rajonin e Karadakut të Shkupit. Gjatë ditës së diel, helikopterë të policisë kanë patrulluar gjatë gjithë ditës mbi fshatrat malorë, Brezë, Malinë, Goshincë dhe në kufirin me Kosovën, bën të ditur “Lajm” i Shkupit. Gjithashtu, banorë të këtyre viseve kanë pohuar se janë dëgjuar krisma, por policia mohon të ketë ndonjë incident. “Fluturimet e helikopterëve janë të rregullta, pasi ata duhet të përmbushin një normë të caktuar të orëve që duhet t’i fluturojnë brenda një kohe të caktuar. Sa i përket krismave, nuk kemi të regjistruar ndonjë incident të ndodhur, por mund të jetë ndonjë krismë e zakonshme që shpeshherë ndodhë në këtë rajon”, tha zëdhënësi i MPB-së, Ivo Kotevski.
Ditëve të fundit është vërejtur prani më e madhe e forcave të policisë edhe në rajonin e Tetovës.