Pesë subjekte serbe në zgjedhjet komunale të Parteshit

Partesh, 7 maj – Katër iniciativa qytetare dhe një subjekt politik janë certifikuar për zgjedhjet e 20 qershorit që do të mbahen në komunën e re të Parteshit, e cila përfshin edhe fshatrat Pasjan dhe Budrikë e Poshtme. Ekipi përgatitor është duke kryer punën në organizimin e zgjedhjeve dhe procedurave rreth formimit të kësaj komune.
Përfaqësues nga KQZ-ja, Miradije Mavriqi, Bogolub Staletoviq, një përfaqësues turk dhe një i komunitetit rom, kanë marrë pjesë në shortin për radhitjen e iniciativave qytetare dhe partive politike në zgjedhjet e 20 qershorit.
Vesna Jovaniq, aktiviste dhe ish-deputete e Kuvendit të Kosovës në dy mandate, në
periudhën 2001 – 2007, ka thënë se në zgjedhjet komunale të Parteshit do të marrin
pjesë Iniciativa Qytetare – Zajedno za Opstanak – ZZO (Së bashku për ekzistencë) –
me kandidaten për kryetare Vesna Jovanoviq, SSDS e Sllavisha Petkoviqit me kandidatin për kryetar Goran Millosheviq, JDS – Jedinstvena Srpska Lista (Lista e bashkuar
serbe) – kandidat Todor Mirkoviq, lista Zaviçaj – iniciativë qytetare, me
kandidatin Nenad Cvetkoviq, dhe Narodna Iniciativa (Iniciativa popullore), e cila nuk ka kandidat, por merr pjesë në zgjedhje me kandidatë për këshilltarë komunalë.
Kuvendi Komunal i Parteshit do të ketë 15 këshilltarë.
Vesna Jovanoviq ka thënë të premten se KKZ-ja në Partesh ende nuk ka marrë udhëzime se kur duhet të fillojë fushata parazgjedhore. Jovanoviq i ka cilësuar zgjedhjet në Partesh të rëndësishme për qytetarët, për përmirësimin e kushteve të jetesës. “Me këto zgjedhje bashkësia serbe në Partesh ka një shans të mirë për ta ndryshuar mënyrën e jetesës, tha ajo.
Edhe Dragan Jantiq, anëtar i Ekipit përgatitor, ka vlerësuar pozitivisht përgatitjet për zgjedhjet e 20 qershorit. Ai është shprehur optimist se formimi i komunës së Parteshit do ta ndryshojë jetesën e tyre.