Përkushtim për t’u rikthyer krenarinë tetovarëve për Tetovën.

Të nderuar përfaqsues të mediave,
Të nderuar qytetar,
Si që jeni të njoftuar unë do të garoj në zgjedhjet lokale të këtij viti si kandidate për postin e kryetarit të Tetovës. Për këtë arsye dua tju njoftoj që sot do të jap dorëheqje nga funksioni i zëvendëskryeministrit për çështje evropiane dhe do ti përkushtohem tërësisht fushatës parazgjedhore që do të zhvillohet në Tetovë.
Procesi i integrimit evropian të këtij shteti ka filluar dekadën e kaluar ndërsa në rastin më të mirë do të përfundojë këtë dekadë. Për mua ishte kënaqësi që për dy vite kisha përgjegjësinë të udhëheq me Sekretariatin për çështje evropiane dhe të kontribuoj që procesi i integrimit evropian të ec para me qëllim të përmbushjes së të ardhmes evropiane të qytetarëve tanë . Në këtë periudhë hapëm Dialogun aderues në nivel të lartë që kontribuoi për progres të konsiderueshëm në procesin e reformimit të shoqërisë tonë, pranuam raport pozitiv dhe morrëm konkluzat e Këshillit të ministrave të BE që orientojnë qartë kornizat e veprimit tonë të ardhshëm në funksion të fillimit të negociatave me BE.
Uroj që në periudhën e ardhëshme faktorët politik dhe institucionet shtetërore të përkushtohen maksimalisht në plotësimin e detyrave të dhëna nga BE dhe me përgjegjsinë më të madhe të marrin vendimet politike në të mirën e qytetarëve tanë. Republika e Maqedonisë ka shansin të filloj negociatat me BE dhe ky shans nuk duhet të na ik prej dorës duke qenë të vetëdijshëm që ardhmëria evropiane është ardhmëria e vetme që ka ky shtet ndërsa alternativa e neutralitetit është inegzistente për te.
Duke e bazuar angazhimin tim politik në standardet e etikës dhe përgjegjësinë që në vete bart shërbimi ndaj realizimit të qëllimeve politike në dobi të së mirës së përgjithshme jam përpjekur të jap maksimumin nga vetja ime për të përparuar procesin e integrimit evropian ndërsa do të jetë nder dhe krenari për mua që me të njejtin përkushtim të punoj në realizimin e vizionit për zhvillimin e qytetit të dytë më rëndësishëm për nga potenciali ekonomik, kulturor dhe intelektual – Tetovën.