Perduca: Hetimet në MTPT nuk kanë prapavijë politike

Bruksel, 21 maj – Juristi italian Alberto Perduca sapo është larguar nga Kosova, pas 26 muaj punë në përpjekjet për të forcuar komponentin e drejtësisë në misionin e EULEX-it. Intervista me të u zhvillua në selinë e Këshillit të BE-së, në Bruksel, ku kishte ardhur për të ndarë për herë të fundit përvojën e tij me bazën.
„Mandati im ka përfunduar. Isha në Kosovë më shumë se 26 muaj dhe tash është koha për t’u kthyer pasi kam mbaruar mandatin. Jam emëruar zëvendëskryeprokuror në vendin tim dhe kjo është arsyeja“, thotë ai duke sqaruar se nuk ka kurrfarë baze për spekulime se po kthehet herët, pasi që, në fakt, ka qëndruar pak më shumë sesa që ishte planifikuar.
Në një intervistë ekskluzive për “Kohën Ditore”, të cilën kjo e ka publikuar sot, ai ka përmendur disa nga sukseset e misionit të tij në Kosovë – përfundimin e disa lëndëve të trashëguara nga UNMIK-u dhe bashkëpunimin e mirë me gjyqësorin vendës të Kosovës.
Ai po ashtu, pa mohuar kritikat nga Komisioni Europian për ndërhyrjet e politikës në sistemin gjyqësor të Kosovës, ka thënë “se në disa raste pozicionet e institucioneve lokale kanë qenë të matura, kanë shprehur besim në drejtësi dhe kjo është e rëndësishme. Mendoj se duhet të bëjmë dallim mes vlerësimeve politike dhe ngjarjeve historike, në njërën anë, dhe respektimit të rolit të drejtësisë, në anën tjetër”.
I pyetur nëse bastisja e Ministrisë së Transportit nga EULEX-i ka dëmtuar raportet e tij me Qeverinë e Kosovës, ai u përgjigj “Jam i sigurt se nuk do t’i dëmtojë. Ky rast është duke u ndjekur në mënyrë serioze nga ana e prokurorëve profesionistë, policisë profesioniste dhe mendoj se nuk ka arsye për të shfaqur kritika shqetësuese.
… Prokurorët tanë, ashtu sikur edhe prokurorët e Kosovës, janë autonomë. Ata duhet të ndërmarrin hapat e tyre vetëm duke marrë parasysh materialin që kanë në dispozicion dhe kornizën ligjore në të cilën veprojnë. Vendimi për të hapur një rast, për të nisur hapat e hetimeve, është vetëm në kompetencën e tyre, pikërisht ashtu siç ndodh në shumë shtete të tjera”.
Në intervistën për “Koha Ditore”, tash ish-[prokurori i EULEX-it në Kosovë, Perduca pohoi se “I kam pasur të gjitha informatat proporcionale dhe adekuate”, duke mohuar që hetimi të ketë pasur motive politike
“Nuk e di se çfarë mendojnë ata me „rast politik“ dhe do të doja të isha në mundësi ta kuptojnë se çfarë mendojnë ata me këtë kualifikim. A do të thotë kjo se është një „rast politik“ për shkak se është hapur për arsye politike? Përgjigjja ime do të ishte JO. A është „rast politik“ për shkak se është hapur duke pasur parasysh kriteret politike? Përgjigjja ime prapë do të ishte JO. A do të thotë se ky rast mund të ketë ndikim në kontekstin politik? Atëherë përgjigjja mund të jetë: Ndoshta”, ka thënë Perduce, duke shtuar se “është në interes të secilit shtet, përfshirë edhe Kosovën, që të lejojë gjyqësori, pra prokurorët dhe gjykatësit, të kryejnë punën e tyre në mënyrë që të zbulojnë veprimet kriminale dhe, nëse kanë dëshmi, të sjellin para drejtësisë të dyshuarit. Ky është nocioni bazë i drejtësisë dhe i sundimit të ligjit. Mendoj se është në interes të institucioneve të Kosovës që kjo të bëhet. Kjo duhet të bëhet në mënyrë serioze, të balancuar, por duhet të bëhet.
“Rasti Kurti” tha se është trashëguar nga UNMIK-u. “Bazuar në ligj, duke respektuar ligjet ekzistuese në momentin e caktuar është aranzhuar gjykimi në këtë rast nga paneli i gjykatësve të EULEX-it dhe të Kosovës në Gjykatën e Qarkut në Prishtinë. Ka qenë një prej disa rasteve të cilat i ka marrë jurisprudenca lokale së bashku me EULEX-in. Për mua është vështirë të pranoj se ky rast është politik. Nëse thoni se është rast politik, sepse i akuzuari është lider politik, kjo mund të qëndrojë. Por, nëse mendohet se është „rast politik“ për shkak se EULEX-i dëshiron ta nxjerrë në gjyq këtë lider për arsye politike, kjo nuk është e vërtetë. Ne i kuptojmë tërësisht implikimet politike që mund t’i ketë për disa arsye, por ajo që është me rëndësi është se gjykatësit tanë po merren me këtë rast në mënyrën me normale, duke tentuar të arrijnë vetëm një qëllim, atë të gjykimit të drejtë. Nëse deri tash nuk kanë arritur nuk është dështim i tyre. Gjykatësit tanë ishin të pranishëm që nga fillimi dhe problemi ka qenë që të sigurohej gjykatësi kosovar si anëtar i tretë i panelit. Arsyeja tjetër pse ky rast nuk është nisur është edhe për shkak të pozicionimit të Shoqatës së Avokatëve. Nuk mund të pajtohem me vlerësimin e tyre se ata nuk mund ta kryejnë profesionin e tyre në një rast politike sepse ky nuk është rast politik. Ky rast duhet t’u ndihmojë të gjithëve të reflektojnë se si mund të ndërtojmë një sistem të duhur të drejtësisë funksionale. Gjykatësit e Kosovës duhet t’i kryejnë obligimet dhe detyrat e tyre dhe një lloj edhe avokatët. Nuk mund të pranojmë që drejtësia të mohohet për shkak të refuzimit të ndonjërit aktor që të mos marrë pjesë në proces. Secili i akuzuar, përfshirë zotin Kurti, do të ketë të gjitha mundësitë që të sfidojë akuzat dhe gjykatësit, nëse nuk shohin evidenca të mjaftueshme, do të marrin vendimin e duhur. Por lufta për drejtësi duhet të bëhet në sallën e gjyqit”.
Ndërkaq për vonesën e gjykimit të Nazim Bllacës, theksoi se “Jemi në fazën e hetimeve e jo të procesit gjyqësor ende”. (gjerësisht në numrin e sotshëm të “Kohës Ditore”.