Publikuar me datën: Fri, Nov 26th, 2010

Parlamenti boshatiset nga “deputetët e pavarësisë”

Prishtinë, 26 nëntor – Vetëm nëntë deputetë do të mund të hyjnë e të dalin lirshëm nëpër dyert e Kuvendit të Kosovës, pas 30 nëntorit.  Të privilegjuarit janë anëtarë të Kryesisë. Me Rregulloren e punës së Kuvendit, ata janë të obliguar që ta ruajnë vazhdimësinë e punës së këtij institucioni, deri në konstituimin e legjislaturës së re, e cila pritet të dalë pas zgjedhjeve të 12 dhjetorit.

Të tjerët, që nuk janë pak, por 111, nga 1 dhjetori, duhet të paraqiten para personelit të sigurimit të Kuvendit, nëse dëshirojnë të futen brenda institucioneve ku e kanë shpallur pavarësinë e vendit. Dikush nga ta ka punuar për një mandat të paplotë, 3-vjeçar, dikush dy mandate, por ka nga ta që kanë punuar nga fundi i vitit 2001, saktësisht nga koha kur është mbledhur për herë të parë Kuvendi. Por, nga 3 nëntori, kur Kuvendi u shpërbë si pasojë e vetërënies së Qeverisë, ata nuk kanë pasur më kurrfarë obligimi institucional, shkruan sot “Koha Ditore”.
Kryesia në largim, ka marrë vendim që deputetët e pavarur, por edhe grupet parlamentare që gjatë kësaj jave t’i pastrojnë zyrat, me qëllim që ato të jenë të gatshme, për sistemimin e përbërjes së re të legjislative.
“Nga 1 dhjetori, deputetët nuk do të kenë më qasje në zyrat ku kanë punuar deri tani. Ata janë udhëzuar që t’i tërheqin materialet dhe gjërat me vlerë që mund t’i kenë në Kuvend”, ka thënë anëtari i AAK-së në Kryesi, Naim Maloku.
Fillimi i muajt të ardhshëm, sipas tij, shënon edhe fundin e marrëdhënies së punës për gjithë stafin e asistentëve politikë.
Meqë, fundi i muajit është afruar, ligjvënësve u është kërkuar të deklarohen nëse duan ose jo ta marrin pagën e deputetit.
Sekretari i Kuvendit, Ismet Krasniqi, bën të ditur shumica dërrmuese e deputetëve janë përcaktuar për pagë “pasive”.
“Nga 111 deputetë, vetëm gjashtë nga ta kanë hequr dorë nga paga e Kuvendit. Pra, janë 105 deputetë që kanë konfirmuar marrjen e ‘pagës pasive’”, ka pohuar Krasniqi. Niveli i kësaj page është 1.488 euro – bruto. Secili deputet ka të drejtë ta gëzojë atë për një vit rresht. Por, ata që kanë vendosur të garojnë në zgjedhje dhe arrijnë ta fitojnë besimin e qytetarëve për t’u bërë pjesë e legjislaturës së katërt, kalojnë drejtpërdrejt në pagë të rregullt, me të rifilluar punën.
Ata që nuk do ta kenë fatin për ta ripërtërirë ID-në e deputetit, së paku do të kenë me çka ta ruajnë kujtimin për Kuvendin. Do të mbajnë laptopët që Kuvendi ua ka dhënë në shfrytëzim për të kryer punë prej deputeti.
“Nuk e kemi parë të udhës që deputetët t’i kthejnë laptopët. Ata që hyjnë prapë në Kuvend, do të vazhdojnë t’i përdorin të njëjtët, kurse ata që mbeten jashtë do t’i mbajnë në shfrytëzim”, ka shpjeguar Maloku. Dorëlirë me laptopa ishte treguar edhe Kryesia e legjislaturës së dytë. Edhe ajo ua kishte falur laptopet ish-deputetëve që nuk kishin arritur të merrnin mandat të ri në Kuvend. Megjithatë, deputetët e dy legjislaturave të para, nuk kanë gëzuar të mira materiale, aq sa deputetët e legjislaturës së tretë. Për shkak se u pati rënë barra për ta shpallur pavarësinë, këta të fundit, e patën shpërblyer vetën me nga 500 euro, në prag të pushimeve të verës së vitit 2008. Paret i patën marrë me arsyetimin se kishin bërë angazhime shtesë jo vetëm në shpalljen e shtetit, por edhe në miratimin e ligjeve për implementimin e statusit të Kosovës dhe në miratimin e Kushtetutës. Po atë vit, ata patën kërkuar zyra, vetura, asistentë, dhe në fund ia patën dalë të siguronin pagën e 13-të. Praktika, marrjes së pagës shtesë u aplikua edhe në vitin pasues, ndonëse, atë vit, Kuvendi nuk kishte arritur të përmbushte as 30% të planit të punës. Ndryshe nga viti paraprak, në vitin 2009, ligjvënësit i ngritën edhe pagat mujore. Nga 1.080 i bënë 1.488 euro. Jashtë kësaj shume, ata siguruan edhe shtesat për pjesëmarrje në seanca plenare, shtesat për punë në komisione parlamentare, për angazhim në Kryesi të Kuvendit si dhe shtesat për kryesim të grupeve parlamentare. Me të gjitha këto shtesa, një deputet arriti të siguronte rreth 2.000 mijë euro në muaj. Niveli më i lartë i Kuvendit-anëtarët e Kryesisë, edhe pse e ulën pagën bruto nga 2.200 në 2.000 euro, me shtesat funksionale arritën t’i ofroheshin, bile disa nga ta edhe ta kalonin shumën prej 3 mijë eurosh. Kështu, pesë anëtarë të Kryesisë e kaluan nivelin e të ardhurave të kryeparlamentarit, Jakup Krasniqi, i cili nuk merr më shumë se 2.700 euro. Në vitin e fundit, ata u përkujdesen që ta rregullonin me ligj statusin e tyre. Miratuan një ligj, i cili u siguron marrje të pensionit suplementar qysh në moshën 50-vjeçare.
Pas reagimeve të shoqërisë civile, mosha për përfitimin e këtij lloj pensioni u shty në 55 vjeç, megjithatë, të paprekura mbeten përqindjet e përfitimeve mujore në bazë të mandateve. Ai që ka punuar vetëm një mandat si ligjvënës në Kuvend, tash me ligj, përfiton pension suplementar në nivel 50% të pagës së deputetit. Kush ka punuar dy mandate realizon pensionin në vlerë prej gjashtëdhjetë për qind të pagës. Ndërsa ai që ka shërbyer në tri e më shumë mandate do marrë pension në lartësi prej shtatëdhjetë për qind të pagës bazë. Monitorues të punës së Kuvendit nga KDI-ja, të cilët bashkë me 12 përfaqësues të OJQ-ve të ndryshme kanë bërë “presion” mbi ish-presidentin Fatmir Sejdiu që të mos e nënshkruante këtë ligj, ende vazhdojnë të mos pajtohen me privilegjet që ia kanë bërë vetes deputetët.
“KDI-ja ka kundërshtuar komplet Ligjin për privilegjet dhe përgjegjësitë e deputetëve, sepse si i tillë ka qenë i papranueshëm dhe diskriminues për pjesën tjetër të shoqërisë. E gjithashtu edhe dhënia e pagës së plotë pa punuar fare është e padrejtë, mendoj se ata do të duhej ta merrnin 50 për qind të pagës derisa të gjenin një punë”, ka thënë para pak ditësh Driton Selmanaj i KDI-së. Ai ka bërë me dije se kërkesa e më shumë se dhjetë OJQ-ve kundër miratimit të Ligjit për të drejtat dhe privilegjet e deputetëve, të cilën ia kishin dërguar kohë më parë Ombudspersonit të Kosovës, së shpejti do të procedohet në Gjykatën Kushtetuese të Kosovës. E Kuvendi, ndërkohë, i pret të zgjedhurit e rinj të popullit.

Ndihmo Radio zeri mitrovices


Kontribuesit qe ndihmuan

Radio zeri Mitrovices ne menyr vullnetare

=========================

Muaji: Korik-2011

=========================

Gzim Koadralia 50 euro

_________________________

Hashim Kryeziu 35 euro

_________________________

Naser Xani 25

_________________________

Sami Zeneli 10 euro

=========================

Muaji: Janar-2012

=========================

Ilaz Azemi 40 euro

_________________________

Sami Zeneli 25 euro

_________________________

Naser Xani 25

_________________________

ERISA 15 euro

=========================

Muaji: Shkurt-2012

=========================

Gzim Halili 150 euro

_________________________

Xhafer Gjaka 50 euro

_________________________

Enver Hajzeri 25

_________________________

Muaji: Nentor-2012

=========================

Aslani Rejser (Danimark) 10 euro

_________________________

Xhevahir Gjonaj 50 euro

_________________________

Jeton Aliu 25 euro

_________________________

Sponzor gjeneral

VideoKlipe


Kliko ne kto ikona per ta ndegjuar radion:
Winamp windows Media Player Real Player

Dergo Urimet tuaj ne Radio Mitrovica


Fluturime nga Zvicra Kërko Fluturime te lira për Kosove Dizajn:KosovaPLUS
All Rights Reserved RadioMitrovica.eu

By continuing to use the site, you agree to the use of cookies. more information

The cookie settings on this website are set to "allow cookies" to give you the best browsing experience possible. If you continue to use this website without changing your cookie settings or you click "Accept" below then you are consenting to this.

Close