Publikuar me datën: Tue, Mar 22nd, 2011

Pacolli: Kosova dhe Shqipëria më pak “protokoll”

Tiranë 21 mars (E plotësuar)- Krijimi i një tregu të përbashkët Shqipëri-Kosovë do të rriste jo vetëm dimensionin ekonomik mes dy vendeve por do ti jepte një frymëmarrje të re marrëdhënieve mes Tiranës dhe Prishtinës. Në vizitën e tij të parë në Shqipëri, presidenti i sapozgjedhur i Kosovës Behxhet Pacolli solli një vision të ri të marrëdhënieve mes dy vendeve gjatë konferencës së përbashkët për shtyp që pati me homologun Bamir Topi. Pacolli i cili po zhvillon në Tiranë një vizitë dy-ditore zyrtare është takuar sot me krerët më të lartë të shtetit. Në një ceremoni solemne ai është pritur në Pallatin e Brigadave nga presidenti Bamir Topi me të cilin pati një bisedë të gjatë, për të konkluduar të dy më pas para mediave.” Unë jam jashtëzakonisht i emocionuar që vizitën e parë e bëj në Shqipëri, këtu në shtetin amë, në shtetin vëlla, tek miku im. Kjo do të thotë shumë për mua dhe do të jetë sigurisht një frymëzim shumë i madh për punën time në mandatin tim. Jam i betuar që të punoj për Kosovën”, tha presidenti Pacolli, para mediave. Kreu i shtetit të Kosovës e quajti tepër të rëndësishme vizitën në Shqipëri jo vetëm në aspektin emocional, por dhe për faktin se ajo ndodh në një moment delikat për Kosovën, pikërisht pas daljes nga një vakum i gjatë institucional.

Një treg i përbashkët

Marrëdhëniet me Tiranës dhe Prishtinës duhet të kenë më shumë hov. Ky hov duhet të nisë që nga intensifikimi i kontakteve në nivel të përfaqësuesve kryesore të institucioneve të dy shteteve. Presidenti Behxhet Pacolli propozoi gjatë takimit me presidentin Topi propozoi që, “së paku dy herë të takohemi në nivel presidentësh, në nivel kryeministrash dhe në nivel parlamentarësh”. “Të sigurojmë lëvizje të lirë të njerëzve, të mallrave, të ideve, të kapitaleve. Së pari mes nesh. Kjo është përgjegjësia jonë, zoti President dhe këtu do të hapim derën edhe për ato shtete që duan t’i bashkohen kësaj ideje. Dhe kjo vlen për Maqedoninë, ku kemi një numër të madh, një përqindje të madhe të banorëve të saj, të cilët i përkasin kombit tonë. Po ashtu vlen edhe për Malin e Zi. Unë jam i bindur që ato janë shumë të interesuara për t’iu bashkangjitur kësaj ideje”, tha presidenti Pacolli. Duke sjellë në kujtesë udhëtimin që kishte bërë për në Tiranës përmes rrugës së Kombit, kreu i shtetit të ri të Kosovës tha se “ndjehej i brengosur që ajo rrugë nuk ishte e plotë”. “Nuk është e karikuar sa duhet me lëvizje të mallrave dhe të njerëzve. Dhe ne këtë do ta bëjmë! Do ta bëjmë këtë duke formuar një treg të përbashkët, por tregu i përbashkët bëhet duke punuar që tani. Ne do të ndërmarrim që tani që të heqim doganat, tarifat doganore, që të unifikojmë dokumentacionin përcjellës të këtyre mallrave, që të bëjmë licenca të mallrave të unifikuara, po pse jo, edhe ligjvënësit tanë, si në Shqipëri, ashtu edhe në Kosovë t’ia fillojnë e të bëjnë ligje të njëjta, standarde të njëjta!”, tha Pacolli duke thënë se kjo është ajo çfarë BE pret nga shqiptarët. Deklaratat e presidentit Pacolli, kreu i shtetit shqiptar I quajti “si një mëndje e hapur me një vizion të qartë për bashkëpunimin midis Shqipërisë dhe Kosovës”. Duke marrë shkas nga deklaratat e homologut kosovar, presidenti Topi u shpreh se ka ardhur koha që dy vendet të pozicionohen qartë me ide të qarta për perspektivën ekonomike. Për presidentin Pacolli lëvizja e lirë nis pikërisht duke i krijuar vetes një lëvizje të lirë. “ Ne duhet të bisedojmë për tarifat doganore që ato të mos ekzistojnë, sidomos mes Shqipërisë dhe Kosovës, që mallrat, prodhimtaria jonë të jetë prodhimtari plotësuese. Ajo që nuk është në Kosovë, të merret nga Shqipëria dhe ajo që është në Kosovë dhe nuk prodhohet në Shqipëri, të merret nga Kosova. Kemi shembullin e rrushit tonë, kemi shembullin e patateve tona. Sot patatet e Kosovës shiten nëpërmes Serbisë në vendet e Lindjes dhe ne do të mundemi ta bëjmë këtë, por jo vetëm pataten, por kemi dhe shumë gjëra të tjera”, tha presidenti Pacolli, duke shtuar se “të mos mbetemi vetëm tek lëvizja e lirë e njerëzve dhe e mallrave, por të kemi edhe lëvizje të lirë të ideve, unifikimin e teksteve shkollore, unifikimin e dokumentacioneve përcjellëse etj, etj”.

Bisedimet Prishtinë-Beograd

Bisedimet Prishtinë-Beograd janë quajtur si tepër të rëndësishme për të ardhmen jo vetëm të dy vendeve por edhe të rajonit. Presidenti Pacolli tha se “ Kosova nuk mund të ketë mbi 60-65% të kufijve të saj të blinduar, të mbyllur. Sot Kosova nuk mund të vuajë nga banda kriminale, të cilat veprojnë në territorin e saj. Prandaj Kosova ka nevoja për bisedime”. “Ua them edhe njëherë që Kosova ka nevojë që të bisedojë me fqinjin tonë të veriut për arsye se humbësja më e madhe ka qenë Kosova. Kur u larguan nga Kosova, serbët morën çdo gjë me vete. Morën paratë tona, morën pensionet tona, shkatërruan fabrikat tona, vodhën fabrikat tona, prandaj jemi ne ata që u kërkojmë atyre llogari. Llogaritë nuk mund të kërkohen më sot, në kohë paqeje, me dhunë. Ne ato do t’i kërkojmë dhe do t’i arrijmë me bisedime. Nuk do të ndalemi asnjëherë që të mos të bisedojmë”, tha presidenti Pacolli, duke quajtur të mbrapshtë idenë për të mos biseduar. “Është fakt se ne kemi shumë gjëra për të biseduar. Edhe njëherë ju garantoj, edhe juve, zoti President, edhe gjithë kombit shqiptar, edhe qytetarëve të Kosovës, se kurrë, asnjë herë nuk do të bisedohet për statusin tonë! Asnjë herë nuk do të bisedohet për integritetin tonë! Asnjë herë nuk do të bisedohet për kufijtë tanë! Prandaj çdo gjë tjetër që bisedohet do të duhet të konsiderohet si e nevojshme dhe ne i quajmë biseda që do të lehtësojnë jetën e qytetarëve të Kosovës”, tha kreu i Kosovës duke i kërkuar mbështetje homologut shqiptar në këto bisedime. Për presidentin Bamir Topi këto bisedime janë tepër të rëndësishme . “Shqipëria e konsideron si shumë të rëndësishëm bashkëpunimin rajonal edhe me vende të tilla si Serbia, sepse jashtë çdo lloj paragjykimi, në kontekstin historik retrospektiv, ne e kemi bërë të qartë, që ndonëse me Serbinë na ndan një gjë shumë e madhe që ka të bëjë me pozicionimin për Kosovën, kjo në kontekste të reja rajonale dhe evropiane, nuk do të thotë që midis dy vendeve të mos ketë dialog politik, të mos ketë bashkëpunim në interes të vendeve, të popujve tanë dhe të paqes rajonale”, tha Presidenti Topi duke shtuar se “.bisedimet që ekzistojnë midis Kosovës dhe Serbisë po zhvillohen në një lloj konteksti të tillë, në respekt të sovranitetit të vendeve respektive, duke diskutuar për çështje të karakterit teknik, të rëndësishme për interesat e dy vendeve”.

Shqipëria lobing për Kosovën

Tirana zyrtare do të vijojë të lobojë jo vetëm për njohjen e mëtejshme të pavarësisë së Kosovës në arenën ndërkombëtare por dhe për heqjen sa më shpejt të regjimit të vizave për qytetarët e saj.”Në bisedë me të gjithë partnerët, në të gjitha tryezat, natyrisht ka qenë dhe do të vazhdojë të jetë që pikërisht kjo të bëhet e mundur sa më shpejt edhe për qytetarët e Kosovës, të cilët nuk mund të mbeten të izoluar. Jam i bindur që shumë shpejt, dhe kjo është edhe në interes të partnerëve tanë ndërkombëtarë, që së bashku me popujt e tjerë të rajonit, kjo të bëhet e vlefshme edhe për qytetarët e Kosovës”, ka thënë presidenti Topi. Mbështetje për të fituar sa më shpejt liberalizimin e vizave apo integrimin në Aleancën e madhe të NATO-s ka qenë dhe një kërkesë e presidentit kosovar Pacolli. “Një ditë pse jo, edhe kosovarët, ashtu si edhe Ushtria Shqiptare, të jenë pjesë e paqeruajtësve jashtë Kosovës, gjerësisht, jashtë Shqipërisë. Ndihma juaj këtu, zoti President, do të jetë shumë evidente. Ne dëshirojmë të jemi aty ku jeni ju! Ne dëshirojmë të rreshtohemi aty ku ju rreshtoheni, për arsye se tradita është në anën tuaj, eksperienca është në anën tuaj, dhe mbetet pothuajse një përgjegjësi e Republikës së Shqipërisë që t’ia shtrijë dorën Kosovës, aty ku Kosova ka nevojë”, tha presidenti Pacolli. Gjatë këtij takimi dy presidentët kanë folur dhe për vazhdimin e një tradite të re takimesh që ka lindur midis Presidentëve të Shqipërisë, Maqedonisë, Malit të Zi dhe të Kosovës. filloi në Vlorë në vitin 2009, vazhdoi në Prizren. Tashmë dy presidentët shqiptar janë ftuar nga Presidenti Ivanov i Maqedonisë dhe takimin e radhës do ta realizojnë në Ohër dhe pas kësaj, i takon Malit të Zi.

Berisha -Pacolli

Presidenti i sapozgjedhur i Kosovës u prit në një takim dhe nga kryeministri Sali Berisha. Kreu i qeverisë shqiptare e uroi presidentin për detyrën e marrë dhe rikonfirmoi besimin se me eksperiencën e tij ai do ta përmbushë me sukses këtë detyrë. Në këtë takim u rikonfirmuar edhe njëherë marrëdhëniet e mira mes dy vendeve e popujve dhe angazhimi i të dy vendeve për të ndërtuar bashkëpunimin më të ngushtë e të shkëlqyer në të ardhmen, duke e shndërruar kështu faktorin shqiptar në shembull të marrëdhënieve të shkëlqyera të bashkëpunimit e miqësisë në rajon.”Bashkëpunimi është në shërbim të interesit më të mirë të qytetarëve të Shqipërisë dhe të Kosovës, paqes, stabilitetit e miqësisë midis vendeve të Ballkanit Perëndimor e më gjerë, si dhe ecjes përpara me shpejtësi drejt të ardhmes së përbashkët në Bashkimin Europian dhe në komunitetin euroatlantik”, ka thënë kryeministri Berisha. Duke folur për intensifikimin e mëtejshëm të këtyre marrëdhënieve , kryeministri Berisha dhe presidenti Pacolli rikonfirmuan vullnetin për ndërtimin e një sërë veprash infrastrukturore që do të lidhin dy vendet dhe do të forcojnë shkëmbimet midis qytetarëve të Shqipërisë dhe Kosovës, përfundimin e rrugës së kombit dhe asket e tjera rrugore që lidhin dy vendet, nevojën për lidhje hekurudhore, si dhe fillimin e punimeve brenda të këtij viti të linjës së interkonjeksionit 400 kilovolt Tiranë – Prishtinë. Duke folur për bisedimet e nisura mes Prishtinës dhe Beogradit, kryeministri Berisha tha se “ky dialog  do t’i shërbejë lehtësimit të jetës së përditshme të qytetarëve të të dy vendeve”.

Ndihmo Radio zeri mitrovices


Kontribuesit qe ndihmuan

Radio zeri Mitrovices ne menyr vullnetare

=========================

Muaji: Korik-2011

=========================

Gzim Koadralia 50 euro

_________________________

Hashim Kryeziu 35 euro

_________________________

Naser Xani 25

_________________________

Sami Zeneli 10 euro

=========================

Muaji: Janar-2012

=========================

Ilaz Azemi 40 euro

_________________________

Sami Zeneli 25 euro

_________________________

Naser Xani 25

_________________________

ERISA 15 euro

=========================

Muaji: Shkurt-2012

=========================

Gzim Halili 150 euro

_________________________

Xhafer Gjaka 50 euro

_________________________

Enver Hajzeri 25

_________________________

Muaji: Nentor-2012

=========================

Aslani Rejser (Danimark) 10 euro

_________________________

Xhevahir Gjonaj 50 euro

_________________________

Jeton Aliu 25 euro

_________________________

Sponzor gjeneral

VideoKlipe


Kliko ne kto ikona per ta ndegjuar radion:
Winamp windows Media Player Real Player

Dergo Urimet tuaj ne Radio Mitrovica


Fluturime nga Zvicra Kërko Fluturime te lira për Kosove Dizajn:KosovaPLUS
All Rights Reserved RadioMitrovica.eu

By continuing to use the site, you agree to the use of cookies. more information

The cookie settings on this website are set to "allow cookies" to give you the best browsing experience possible. If you continue to use this website without changing your cookie settings or you click "Accept" below then you are consenting to this.

Close