Publikuar me datën: Fri, Feb 1st, 2013

Një skenar i mbrapshtë për Kosovën

Si ka mundësi që në pranverë Prishtina e Beogradi ta kenë një dokument historik të nënshkruar mes vete, por që Kosova të mbetet e bllokuar në OKB e BE, dhe të hyjë në një cikël të ri të gjatë të negociatave për zbatimin e “marrëveshjes”, në kohën kur bashkësia ndërkombëtare nuk do të ketë më interes për t’u rimarrë me “një problem të zgjidhur”?

PARADOKSALISHT, NË QOFTË se nuk do të tregohet vëmendja e duhur, dokumenti i parë që do të nënshkruhet nga Prishtina dhe Beogradi, si rezultat i ndonjë dialogu negociator, lehtë mund të jetë edhe më i dëmshmi për Kosovën.

Siç e dimë, deri më tash, gjatë më se dy dhjetëvjeçarëve, ka pasur disa procese negociatore të Prishtinës dhe Beogradit, që të gjitha të dështuara, ose si këto të dialogut teknik-(politik) ku nuk është vënë asnjë nënshkrim.

Tash, në pranverë, për herë të parë pritet që në kuadër të asaj që është quajtur “Dialog për normalizim marrëdhëniesh mes Kosovës e Serbisë”, të ketë një marrëveshje të nënshkruar nga dy kryeministrat e përfshirë në këto bisedime, Thaçi e Daçiq, ose eventualisht presidentët, Jahjaga e Nikoliq.

E dëmi mund të bëhet, pasi që ekziston rreziku që me vënien e këtyre nënshkrimeve, për bashkësinë ndërkombëtare të fitohet përshtypja se është përmbyllur suksesshëm problemi i Kosovës dhe i Serbisë, pasi që të dyja palët janë dakorduar.

Por, në qoftë se kjo marrëveshje e nënshkruar, nuk do të rezultojë me anëtarësimin e Kosovës në OKB, thyerjen e bllokadës së pesë shteteve të BE-së, si dhe integrimin e veriut nën administrimin e Prishtinës, kjo mund të rezultojë me taiwanizimin e çështjes.

KA PASUR, PRA, gjatë këtyre 6-7 vjetëve disa procese për të arritur dhe për ta rrumbullakuar pavarësinë e Kosovës.

Fillimisht, procesi i Ahtisaarit dështoi për të marrë mbështetjen në Këshillin e Sigurimit të OKB-së. U bënë përpjekje që të shpëtohet diçka me vazhdimin e bisedimeve me treshen ndërmjetësuese Wisner – Ischinger – Botsan-Kharchenko. Pas edhe një dështimi të palëve për t’u marrë vesh, u vendos opsioni i shpalljes së pavarësisë nga Kuvendi i Kosovës dhe arritja e ulëses në OKB nëpërmjet njohjeve. Sinjalet e para se edhe kjo rrugë mund të mos jetë e lehtë u dhanë që me mosdakordimin e shteteve anëtare të BE-së që ta njohin Kosovën en block, si dhe pamundësia për të arritur një numër substancial të njohjeve të shpejta, në mënyrë që Rusia dhe Kina në OKB të vihen pak a shumë para aktit të kryer.

Së fundi mund të thuhet se filloi edhe njëfarë faze e degjenerimit edhe të procesit të njohjeve nga shtetet, duke parë se disa shtete për të cilat na u kumtua nga qeveria ta kenë njohur Kosovën, në fakt e mohuan atë, teksa u shënua edhe rasti i parë i tërheqjes së njohjes, me Sao Tome e Principen.

Së këndejmi, opsioni i bindjes së Serbisë, me anë të një dialogu shtesë për të hequr dorë nga Kosova, nëpërmjet të normalizimit të marrëdhënieve, duket si një rrjedhojë e logjikshme, sidomos kur kemi parasysh këmbënguljen e madhe nga Brukseli dhe Washingtoni për këtë.

Mirëpo, çka mund të shkojë gabim?

RREZIKU ËSHTË QË në fund të këtij dialogu marrëdhënia e Kosovës dhe Serbisë t’i ngjajë modelit të “Dy Gjermanive”, të ketë autonomi për veriun, të mos ketë ulëse në OKB për Prishtinën, dhe që pesë shtetet e BE-së, ose së paku ndonjë prej këtyre të pesëve, të vazhdojë të mos e njohë pavarësinë, që sërish do të mjaftojë për t’i vënë veto rrugës drejt integrimit.

Ndonëse në procesin e dialogut janë të përfshirë Brukseli e Washingtoni, deri më tash vetëm është aluduar tërthorazi se me anë të këtyre negociatave Kosova do të ketë ulëse në OKB dhe se do të ketë njohje nga shtetet e BE-së.

Ne fare mirë e dimë se, në fund të fundit, nuk varet nga vullneti dhe përkushtimi i baroneshës Ashton njohja e Kosovës nga shtetet e veçanta të BE-së, e as nga administrata e Obamas, bindja e dy shteteve anëtare të Këshillit të Sigurimit. Në qoftë se do të ishte kështu, sigurisht se gjithçka tashmë do të ishte e kryer.

Së këndejmi, duhet pasur shumë kujdes me kompromiset që mund të imponohen përgjatë këtij procesi, siç është ai për krijimin e Fondit Zhvillimor për Veriun. Ky fond, do të duhej gjithsesi të përfshijë edhe jugun e Mitrovicës dhe Vushtrrinë, pasi që përndryshe do të nënkuptonte një territor kompakt njëetnik, duke krijuar mundësi shtesë për autonomi. Po ashtu, fondi do të duhej të kishte saktësi në aspektin e mbledhjes së mjeteve financiare, menaxhimin e monitorimin, kohëzgjatjen, dhe ç’është më e rëndësishmja, qartësinë se çka do të ndodhë me territorin përfitues nga fondi, pas skadimit të afatit të mandatuar.

E në anën tjetër, para vënies së nënshkrimit në çfarëdo dokumenti, do të duhej pasur qartësi se a do ta përdorin të drejtën e vetos ndaj Kosovës shtetet e deritashme bllokuese në BE e OKB.

Nëse këto nuk arrihen e liderët e Prishtinës e Beogradit nënshkruajnë, Kosova mund të futet në një spirale të re kokëçarëse e të paparashikueshme, kur do të duhet vrapuar nëpër qendrat e vendosjes për të dëshmuar se “marrëveshja” nuk po përmbushet dhe se kjo e ka futur vendin në një izolim të ri të pashpresë.

TASH, SI PO ndodhemi buzë një situate të mundshme të re izolimi, pas gjithë atyre proceseve negociatore për të bërë dhe rrumbullakuar shtetësinë e vendit, përgjigjja mund të gjendet te puna që është bërë brenda vetë Kosovës.

Në qoftë se institucionet do t’ia dilnin që gjatë këtyre viteve të pavarësisë ta bënin Kosovën shtet të zhvilluar e funksional, sigurisht se s’do të kishte shumë nevojë të bindeshin shtetet skeptike. Suksesi do ta bënte punën e vet.

Gjithsesi se, pavarësisht dëshirës sonë, nuk mund të presim ndonjë simpati e përkrahje të madhe në qoftë se përshtypja e jashtme për ne është kryesisht si për një gjysmështet, në prag të dështimit.

adriatik@kohavision.net

Ndihmo Radio zeri mitrovices


Kontribuesit qe ndihmuan

Radio zeri Mitrovices ne menyr vullnetare

=========================

Muaji: Korik-2011

=========================

Gzim Koadralia 50 euro

_________________________

Hashim Kryeziu 35 euro

_________________________

Naser Xani 25

_________________________

Sami Zeneli 10 euro

=========================

Muaji: Janar-2012

=========================

Ilaz Azemi 40 euro

_________________________

Sami Zeneli 25 euro

_________________________

Naser Xani 25

_________________________

ERISA 15 euro

=========================

Muaji: Shkurt-2012

=========================

Gzim Halili 150 euro

_________________________

Xhafer Gjaka 50 euro

_________________________

Enver Hajzeri 25

_________________________

Muaji: Nentor-2012

=========================

Aslani Rejser (Danimark) 10 euro

_________________________

Xhevahir Gjonaj 50 euro

_________________________

Jeton Aliu 25 euro

_________________________

Sponzor gjeneral

VideoKlipe

By continuing to use the site, you agree to the use of cookies. more information

The cookie settings on this website are set to "allow cookies" to give you the best browsing experience possible. If you continue to use this website without changing your cookie settings or you click "Accept" below then you are consenting to this.

Close