Një Argjentinë e tërë në këmbë për një gërvishtje të Messis

Buenos Aires, 23 maj – Fokusimi te sulmuesi i Barcelonës, Lionel Messi, para Kampionatit Botëror “Afrika e Jugut 2010” është aq i madh, saqë një lëndim i tij i vogël në stërvitje te Përfaqësuesja e Argjentinës bëri bujë të madhe nëpër të gjitha mediumet botërore.
Futbollisti më i mirë në botë tashmë po stërvitet me ekipin e përzgjedhur nga Diego Armando Maradona dhe gjatë seancave stërvitore Buenos Aires ai ka pësuar vetëm një gërvishtje në muskulin e këmbës së djathtë. Kjo ka shqetësuar opinionin, por Maradona ka qetësuar atë, duke garantuar se Messi do të jetë në fushë për ndeshjen miqësore me Përfaqësuesen e Kanadasë, të hënën.
“Jo vetëm unë, por të gjithë jemi frikësuar për Messin”, ka deklaruar Maradona. “Nuk e kam parë duelin, sepse kam qenë me shpinë i kthyer. Por, ai dhe Javier Mascherano kanë përplasur gjunjët dhe Messi përnjëherë është ndalur. Nuk është asgjë serioze, sepse ai do të jetë në fushë me Kanadanë”.
Messi është shpresa më e madhe e Argjentinës në Afrikën e Jugut pas një edicioni fantastik me Barcelonën ku u shpall shënuesi më i mirë në La Liga me 34 gola të shënuar.