Nis java vendimtare për Kombëtaren

Trimëruese është forma e futbollistëve të Kombëtares para ndeshjes vendimtare, asaj ndaj Serbisë, që luhet të enjten në Elbasan. Grumbullimi i Kombëtares nisi të dielën, ndërsa të njëjtën ditë golin e gjetën tre prej të përzgjedhurve të Gianni De Biasit: Bekim Balaj, Odise Roshi e Armando Sadiku. Të premten shënoi Alban Meha, ndërsa Lorik Cana e Burim Kukeli pritet të jenë plotësisht të gatshëm për ndeshjen. Kur të nisin përgatitjet e vërteta për ndeshje, të hënën (sot), mungesa e vetme e madhe do të jetë ajo e mbrojtësit të qendrës Mërgim Mavraj.
Mavraj që është i lënduar, nuk është përfshirë në listën e De Biasit, të publikuar të shtunën, ndërsa të dielën ka konfirmuar se nuk e ka sanuar lëndimin me kohë, ndonëse për këtë kishte një fije shprese.
“Dita më e rëndësishme për Shqipërinë dhe shqiptarët është shumë afër. Me zemër të thyer ju njoftoj që nuk mund të jem në fushën e lojës pavarësisht të gjitha sakrificave që kam bërë pas operacionit. Kam sakrifikuar gjithçka muajt e fundit. Jam stërvitur tetë orë në ditë, çdo ditë për muaj me radhë, pa pushim, me synim që të isha në fushë për kombin kuqezi. Por lajmet e këqija për mua nuk po marrin fund. Për muaj me radhë lashë pas dore familjen dhe shoqërinë duke iu përkushtuar synimit që kisha. Jeta ime në muajt e fundit kishte vetëm një qëllim, të isha gati për këtë ndeshje, por me dhembje e pranoj që nuk ia dola dot. Megjithatë, nuk jam dorëzuar, sepse besimi im është shumë i madh te djemtë kuqezi dhe te tifozët tanë që do t’i tregojnë botës se, edhe pse jemi një vend i vogël, kemi vlera të jashtëzakonshme”, ka shkruar Mavraj në “Facebook”.
Ai vlerësohet shtyllë e Kombëtares në mbrojtje, por mungoi edhe në dy ndeshjet e kaluara. U zëvendësua nga Arlind Ajeti, me sukses sipas vlerësimeve. Ajeti pritet ta zëvendësojë prapë, shkruan sot Koha Ditore.
Shqipëria është duke ndjekur ëndrrën për kualifikim të parë në një ngjarje të madhe futbolli, përkatësisht në “Euro 2016”. Vendin e tretë në grupin I, përkatësisht barazhin e ka të sigurt, por ka gjasa reale për kualifikim direkt. Portugalia prin në grup me 15 pikë nga 6 ndeshje. Danimarka është e dyta me 12 pikë nga 7 ndeshje. Shqipëria është e treta me 11 pikë nga 6 ndeshje. Pa gjasa janë Armenia në vendin e katërt me 2 pikë nga 7 ndeshje dhe Serbia me 1 pikë nga 6 ndeshje. Të enjten, Shqipëria e pret Serbinë në Elbasan, ndërsa Portugalia luan me Danimarkën. Kualifikimet mbyllen më 11 tetor me ndeshjet Armenia – Shqipëria e Serbia – Portugalia.
Më me peshë vlerësohet ndeshja mes Shqipërisë e Serbisë. Kjo ndeshje ka tejkaluar rrafshin sportiv edhe për shkak të zhvillimeve të një viti më parë kur u ndërpre ndeshja në Beograd.
Masat e sigurisë për ndeshjen e së enjtes janë jashtëzakonisht të mëdha. Të gjithë flasin për rëndësinë që ndeshja të mbyllet pa incidente. Përgatitjet kanë nisur shumë kohë më parë dhe janë në finalizim, ndërsa presionin më të madh do ta kenë lojtarët në fushë. Pritjet prej djemve të Kombëtares janë shumë të mëdha nga të gjithë shqiptarët në Shqipëri, Kosovë, Maqedoni e shumë vende të tjera…