Nga sot fundi i mbikëqyrjes së pavarësisë së Kosovës

Ligjvënist e Kosovës me votën e tyre i kanë dhënë fund sot mbikëqyrjes së pavarësisë. Me 98 vota për, përfshirë këtu edhe 22 votat e komuniteteve, 10 kundër dhe 1 abstenim, u miratuan 22 amendamentet në Kushtetutën aktuale të Kosovës, që sanksionojnë përfundimin e mbikëqyrjes ndërkombëtare të pavarësisë së vendit tonë.
Paraprakisht në seancën e sotshme të Kuvendit të Kosovës përfaqësuesit e grupeve parlamentare u deklaruan reth këtyre ndryshimeve. Vetëm Grupi parlamentar i Vetëvendosjes u deklarua kundër ndryshimeve, me arsyetimin se ato nuk përmbushin kërkesën për heqjen e mbikëqyrjes, por për vazhdimin e saj ndaj Kosovës.
Ndërkohë, ka filluar debati rreth kërkesës së presidentes Atifete Jahjaga për zgjatje të mandatit të EULEX-it në Kosovë deri në vitin 2014.
Letra e presidentes, e cila i është dërguar shefes për Politikë të Jashtme të Bashkimit Evropian, Catherine Ashton, parashihet të miratohet në formë të traktatit ndërkombëtar.
Në procedurat e deritashme kundër vazhdimit të mandatit të misionit evropian për sundim të ligjit janë shprehur vetëm deputetët e Lëvizjes Vetëvendosje. Grupi i deputetëve të PDK-së e të LDK-së tashmë janë deklaruar për kërkesën e Presidentes. Pritet që edhe grupet e tjera të përkrahin vazhdimin e mandatit të EULEX-it.
Të hënën, Kosova dhe grupi punues ndërkombëtar do të shpallin përmbylljen e mbikëqyrjes së pavarësisë së Kosovës.