Publikuar me datën: Mon, Jan 10th, 2011

Në emër të kujt?

Vakuumi institucional jep mundësi për marrje vendimesh, që madje mund të jenë të kundërligjshme, por edhe u lë hapësirë grupeve të vetëquajtura të mbrojtjes së moralit të të kërcënohen me disiplinim të dhunshëm, veç pse mendon ndryshe

A e keni vërejtur, qytetarë të Prishtinës, që ka ditë që numri i sorrave është zvogëluar në minimum? Nuk e di cila do të mund të ishte arsyeja, por nëse bazohemi në arsyetimin që u dha pas cofjes masive të zogjve të zinj në Arkansas, se kjo kishte ndodhur si pasojë e stresit që ua kishin shkaktuar fishekzjarrët dhe petardët, këta zogj tanë të zinj duket se dolën të jenë më të mençëm – ikën në pushim të dhunshëm për t’u strehuar diku ku ka më pak stres.

Natën e ndërrimit të vitit shpresoja t’i kisha do krahë, e të largohesha edhe unë diku ku mund t’i ikja stresit që më shkaktonin shpërthimet e asaj nate. Dhe jo vetëm stresit dhe mundimit, por edhe frikës se isha shurdhuar fare, ngase as nga një metër e gjysmë distancë nuk arrija ta dëgjoja Elizën tek këndonte, pa ia ngritur volumin televizorit në 85… Kaloi edhe ai ankth – por, ende nuk kam përgjigje se pse duhet të përdorim aq shumë mjete piroteknike për të “dëshmuar” gëzimin. Pos nëse dikë e bëjmë zengjin me faktin se për shembull importojmë mjete piroteknike në vlerë vetëm katër herë më të vogël sesa Australia, e cila i ka nja 7 milionë kilometra katrorë sipërfaqe dhe nja 11 herë më shumë banorë se ne… Si do që të jetë… shyqyr mbaroi kjo fazë e masakrimit të veshëve, që i hapi rrugë vazhdimit të maltretimit të ri të shqisave pamore dhe dëgjimore.

Pritëm, e pritëm, e pritëm rinumërimin e votave dhe më në fund na thanë se ishin rinumëruar të gjitha dhe se posa të kryhej raundi i votimeve të dielën, do të shpalleshin krejt tubë. Por, ja që Gjykata Supreme e prishi planin dhe i anuloi edhe nja 16 vendvotime (nga 29 vendvotime) në Mitrovicë… duke na lënë të hutuar për kush e di të satën herë gjatë këtyre javëve. Kjo për shkak se tash nuk dihet se kur do të shpallen rezultatet “përfundimtare”. Kjo gjithashtu do të thotë se në mungesë të Kuvendit, Qeveria në largim do të mund të vazhdonte të merrte çfarëdo vendimi, kurdo për çfarë të dojë, edhe në kundërshtim me ligjin po qe nevoja – sepse do të thirret në nevojën e mbushjes së vakuumit institucional, i cili vetëm sa shkon e zgjerohet, si pasojë e drejtpërdrejtë e vjedhjes masive të votave. Kështu, ngase nuk dihet se edhe sa vendvotime të tjera do të mund t’i anulonte Gjykata Supreme, për shkak se PZAP-i ende nuk i ka përfunduar procedurat për të gjitha ankesat e parashtruara.

Kështu do të gjendemi në situatën ku nesër do të ketë përsëritje të votimeve në tri komuna, plus dy vendvotime në dy komuna të tjera, pa idenë se kur do të mbahen votimet në ato të tjerat të anuluara; nëse do të ketë ende të anuluara, dhe nëse ai anulim do ta tejkalojë gjysmën e vendvotimeve apo të votave… Po edhe kështu si është puna, nuk e di kujt mund t’i duken normale zgjedhjet e këtilla? Cila do të ishte vlefshmëria dhe ligjshmëria e tyre dhe çfarë institucionesh do të nxirreshin nga këto zgjedhje, pavarësisht se edhe sa rivotime do të mund të organizoheshin brenda këtij muaji? Mbase edhe do ta fitonin ndonjë legjitimitet, po qe se certifikohen, mirëpo nuk duhet harruar se sipas Propozimit gjithëpërfshirës të Ahtisaarit (neni 11), certifikimin e zgjedhjeve të para parlamentare të Kosovës së pavarur do duhej ta bënte një trup kompetent ndërkombëtar, i cili do të duhej të vlerësonte se këto zgjedhje i kanë përmbushur standardet ndërkombëtare.

Nëse dikush ka dëgjuar se ky trup ekziston, do të ishte mirë të na thuhet. Nëse certifikimin do të duhej ta bënte ky trup, çka do të bëhet nëse këto zgjedhje nuk vlerësohen si të tilla që i përmbushin standardet ndërkombëtare? Dhe si do t’ia bëjmë që deri në zgjidhjen e këtyre dilemave, ne do të vazhdojmë të funksionojmë me kryetar ushtrues detyre, pa parlament, me qeveri gjysmake, që është kolektivisht e shkarkuar e merr vendime me implikime të rënda buxhetore dhe me shoqata që “ruajnë moralin” dhe sulmojnë gjithandej atë që guxon dhe “merr të drejtën” për ta thënë mendimin e vet për çfarëdo qoftë. Atë që beson në një diçka që quhet “e drejta e shprehjes së lirë”, e që dikur në sistemin e kaluar është quajtur “delikt verbal”, e që është ngufatur me burgim.

Pra, Shoqata e Veteranëve të UÇK-së, e cila “është e vetëdijshme se përfaqëson vlerat më sublime të kombit shqiptar” (nuk e di se cilat janë ato vlera, dhe se çfarë në të vërtetë do të thotë kjo fjali), kërcënon se “…Shpresojmë se kjo është hera e fundit që dikush drejton gishtin nga OVL të UÇK-së. Përndryshe do t’i demaskojmë me fakte të gjithë individët dhe grupet që marrin guxim të tillë”. Por jo para se t’ia shtronin një varg pyetjesh kolegut tonë Halil Matoshit, përfshirë edhe “…Me çfarë të drejte është hedhur si mbështetës i idesë së krijimit të kombit kosovar? Ne dimë që shqiptar nuk e quan veten, por edhe i garantojmë se komb kosovar nuk do të ketë”.

Pra, ja e shohim sesi pjesëtarët e organizatës që kanë luftuar për lirinë e Kosovës, tash me një gjuhë absolutisht të papranueshme dhe diktatoriale, ua përcaktojnë të gjithëve, dhe jo vetëm Halilit, kufirin për atë çfarë guxon e çfarë nuk guxon të thuhet. Janë ata që përcaktojnë se kjo shoqëri ka tema tabu dhe ai që “merr guximin” (e që duhet të dijë se ka të tillë që punë e kanë me tut’ gjin) do të pësojë, ngase është kjo organizatë ajo që ka fakte me të cilat do të demaskohen që të gjithë ata që janë kundërshtarë të ideologjisë së tyre.

Kjo të bën t’i shqyrtosh disa çështje:
E para, pse cilido që mund të reagojë kundër OVL-së, a priori ka diçka të fshehtë që do t’i zbulohet me fakte që OVL-ja e rryer i ka të arkivuara?
E dyta, a nuk ka OVL-ja punë të tjera pos të merret me spiunimin e njerëzve, e që t’i “mbledhë” faktet për “ata të këqijtë, që nuk janë me OVL-në”, që në momentin kur këta të flasin, t’u gjuhen në qafë?
E treta, pse duhet besuar se OVL-ja paska çfarëdo faktesh për të demaskuar individë e grupe që marrin guxim të tillë, e pse të mos besohet se bëhet fjalë për konstruksione dhe shpifje, sipas manireve të shërbimit sekret serb, që i futi në burg me mijëra shqiptarë për ideologji?
E katërta, po qe se ka fakte të tilla, e OVL-ja ka emra dhe di për “keqbërjet e të guximshmëve”, pse ka pritur deri tani, e pse këto nuk ia ka dërguar prokurorisë, që si institucion i pavarur që është, të merret me këtë punë?

Nga ana tjetër, t’ia shtrosh dikujt pyetjen “me çfarë të drejte je hedhur ta mbështesësh idenë e kombit kosovar…” është një fjali që nuk kapërdihet, e që për përgjigje do ta ketë: “Po kush jeni ju t’ia jepni apo mos t’ia jepni dikujt të drejtën për ta shprehur mendimin e vet të lirë”. E drejta e Matoshit për të thënë çfarë t’ia ka ëndja, e që për këtë të mbajë përgjegjësi personale, por edhe ligjore po qe nevoja është e tija. Është e drejtë e patjetërsueshme dhe e drejtë të cilën e gëzon që nga momenti kur ka lindur. Kurse, edhe para luftës, por sidomos gjatë bombardimeve, këtë të drejtë ia mohuan serbët, ashtu siç tash po doni t’ia mohoni edhe ju, me kërcënime dhe me shantazhe. Ashtu siç ia bëni në fund të fjalisë, kur garantoni se nuk do të ketë komb kosovar – duke përçuar edhe një mesazh dhune potenciale: Ose bëhet kështu siç themi ne, ose keni me pa! Shumë demokratike, s’ka dyshim.

Për ata që kanë mbajtur pushkën dhe kanë luftuar, mbes përjetë plot respekt. Gjithashtu do të kem shumë respekt edhe për të gjithë ata civilë që nuk mbajtën pushkë, por e përkrahën luftën me atë çfarë ditën dhe mundën, aty në terren dhe duke u përkujdesur për popullatën civile, e cila megjithatë dhe shumë shpesh mbeste e pambrojtur. Ashtu siç ndodh në secilën luftë.

Por kjo nuk do të thotë se jua kam borxh jetën dhe unin tim. E besoj ka edhe të tjerë që këtë mendim e ndajnë me mua. Kjo nuk do të thotë se tash të gjithë duhet të bëhemi robër të një ideologjie, vetëm për shkak se atë e përfaqësojnë veteranët e luftës së shkuar. Për luftën duhet të flitet edhe atëherë kur kujtimet nuk janë të gjitha të mira dhe pozitive. Unë shumë shpesh i kujtoj, e tash do t’i ndaj edhe me ju – ditën që i takova ushtarët e UÇK-së për herë të parë dhe krenarinë që ndjeva, takimin me Tahir Deskun në Tërdevc pas dhjetë vjetësh, kur e kam takuar Komandant Luanin në Blinajë, i cili bisedën e shteri duke i sharë “sheherlitë” që pinë makiato në Prishtinë; apo Gazetarin në Krojmir, për të cilin pas dy javësh kisha dëgjuar se kishte dezertuar dhe kishte ikur në Zvicër; e kur i kam gjetur ushtarët nga ana e Komoranit në rroba civile në Berishë, tek shikonin me e gjetë mënyrën për të dalë në Prishtinë; kur e kam gjetur veturën e “porsahuazuar” të një miku në Prishtinë, para shtabit kryesor në Obri… e shumë rrëfime të tjera që, megjithatë, nuk do ta shuajnë nderimin me të cilin gjithnjë do t’i referohem një lufte e cila në fund, falë NATO-s, na solli deri në këtë pikë sot.

Por kjo assesi nuk do të thotë se për shkak të këtij nderimi, do të lejojmë që të na ndalet rrjedha e mendimit e as “guximi” për ta shprehur atë lirshëm. Dhe absolutisht nuk do të lejojmë që të ngufatemi nga vetë njerëzit tanë vetëm për shkak se janë verbuar pas shkëlqimit që jep fuqia e dhunës dhe e forcës. Verbimet e shumë popujve gjithnjë kanë sjellë vetëm vuajtje dhe shkatërrim – e ne do të duhej ta dinim mirë, ngase vetë ishim viktimë e një verbimi të tillë të serbëve.

Nuk e kam as më të voglin dyshim se OVL-ja do të reagojë ndaj këtij shkrimi, ashtu siç nuk e kam asnjë dyshim se posta elektronike do të më mbushet me porosi të fëlliqura të cilat i dërgojnë njerëzit që nuk kanë argument tjetër pos të sharave, banaliteteve dhe moskulturës për ta kundërshtuar një mendim. E shihni, edhe për të këmbyer mendime duhet ruajtur nivelin – sepse në një debat, pos që e paraqitni veten individualisht, e paraqitni edhe një institucion, i cili e ka rëndësinë e vet historike dhe i cili duhet të dijë ta ruajë dinjitetin e vet.

Dhe fare në fund, mos u lodhni me më pyet se ku isha dhe çka bëra para, gjatë dhe pas luftës. Meqë supozoj nga ajo që e thoni se e keni shërbimin tuaj sekret, ose se shërbeheni me një të tillë, atëherë “informatat inkriminuese” për mua tashmë me siguri i keni dhe nuk e dyshoj se do t’i publikoni nëpërmjet mediumeve tuaja… mu ashtu siç juve do t’jua marrë mendja, për shkak se edhe unë e pata guximin që të ktheja gishtin nga ju. Përderisa ju thirreni në 25 mijë veteranët (një numër shumë i madh i të cilëve, megjithatë, jeton në kushte të këqija – e mbase ata do të duhej të ishin preokupimi juaj primar) dhe thoni se keni përkrahjen e tyre, unë thirrem në ndërgjegjen time dhe në vendosmërinë që të mos heq dorë nga shprehja e lirë e asaj që e mendoj (apo e mendojnë të tjerët), pa pasur nevojë as të kërcënoj e as të ofendoj.

Ndihmo Radio zeri mitrovices


Kontribuesit qe ndihmuan

Radio zeri Mitrovices ne menyr vullnetare

=========================

Muaji: Korik-2011

=========================

Gzim Koadralia 50 euro

_________________________

Hashim Kryeziu 35 euro

_________________________

Naser Xani 25

_________________________

Sami Zeneli 10 euro

=========================

Muaji: Janar-2012

=========================

Ilaz Azemi 40 euro

_________________________

Sami Zeneli 25 euro

_________________________

Naser Xani 25

_________________________

ERISA 15 euro

=========================

Muaji: Shkurt-2012

=========================

Gzim Halili 150 euro

_________________________

Xhafer Gjaka 50 euro

_________________________

Enver Hajzeri 25

_________________________

Muaji: Nentor-2012

=========================

Aslani Rejser (Danimark) 10 euro

_________________________

Xhevahir Gjonaj 50 euro

_________________________

Jeton Aliu 25 euro

_________________________

Sponzor gjeneral

VideoKlipe


Kliko ne kto ikona per ta ndegjuar radion:
Winamp windows Media Player Real Player

Dergo Urimet tuaj ne Radio Mitrovica


Fluturime nga Zvicra Kërko Fluturime te lira për Kosove Dizajn:KosovaPLUS
All Rights Reserved RadioMitrovica.eu

By continuing to use the site, you agree to the use of cookies. more information

The cookie settings on this website are set to "allow cookies" to give you the best browsing experience possible. If you continue to use this website without changing your cookie settings or you click "Accept" below then you are consenting to this.

Close