Nano-Berisha, takim “sekret” në Vjenë

Tiranë, 18 prill – Kriza politike dhe ekonomike që ka mbërthyer Shqipërinë në muajt e fundit ka detyruar kryeministrin Berisha që t’i drejtohet për këshilla një mikut të tij të vjetër, Fatos Nanos, shkruan sot gazeta Shekulli. Një takim informal është zhvilluar mbrëmjen e djeshme në Vjenë, ku Berisha ka mbetur i bllokuar si pasojë e kaosit të fluturimeve. Gjatë takimit Berisha i ka kërkuar ndihmë Nanos që të krizën çështjen me Partinë Socialiste dhe ta ndihmojë në procesin e liberalizimit të vizave. Si një njohës i mirë i vendeve të “Shengenit”, ku edhe kalon pjesën më të madhe të jetës së tij, Nano ka pranuar që t’i japë këshilla Berishës.
Përveç dy “kumbarëve” të politikës, në takim kanë qenë të pranishëm edhe ambasadori shqiptar në OSBE, biznesmeni Samir Mane dhe gazetari Blendi Fevziu. Këta dy të fundit kanë qenë pjesë e eskortës së Berishës gjatë vizitës në Bruksel.
Agjencia e lajmeve NOA pohon se takimi në Vjenë ka vazhduar deri pranë mesnatës. Mësohet se tema kryesore të bisedimeve janë zhvillimet në Partinë Socialiste dhe në tërësi zhvillimet politike në vend. Berisha dhe Nano kanë diskutuar gjatë në lidhje me bojkotin e Partisë Socialiste dhe mënyrat e zgjidhjes së këtij ngërçi. Asnjë nga biseduesit nuk ka qenë dakord me kërkesën e PS për hapjen e kutive. Një temë tjetër e takimit ka qenë edhe protesta që pritet të organizojë opozita më 30 prill.
“Dorëzimi i Pyetësorit nga Sali Berisha në Bruksel, vizita dhe takimet që kryeministri zhvilloi në kryeqytetin belg dhe çështjet që lidhen me integrimin, ishin temat kryesore të takimit të zhvilluar”,- thanë pjesëmarrësit në takim. Sipas tyre, një çështje që është diskutuar shumë, ishte ajo e heqjes së vizave për Shqipërinë me vendet e Bashkimit Evropian.
“Unë jam i preokupuar për çështjen e liberalizimit të vizave, ecurinë e saj dhe hapat që po ndiqen”, ka deklaruar Nano në takimin me Berishën, kanë bërë të ditur për agjencinë NOA burime pranë takimit.
Mësohet se Nano ka marrë informacione të plota nga kryeministri Berisha lidhur me fazat e procesit të liberalizimit të vizave. Ai e ka informuar Nanon me faktin se brenda pak javëve në vazhdim, e pritshme për në maj, referuar zyrtarëve evropianë, do të shpallet propozimi për heqjen e vizave për Shqipërinë dhe Bosnjën.
Burimet pohuan se Berisha është gjendur në Vjenë si pasojë e bllokimit të fluturimeve ndërsa Nano prej vitesh e ka kthyer Vjenën në rezidencën e tij të përhershme. Ai vjen rrallë në Shqipëri, kryesisht në momente të nxehta politike.