Muzeu Arkeologjik dhe Kalaja, promovuese të vlerave kosovare

Prizren, 19 Prill – Ditës Botërore e Trashëgimisë Kulturore sivjet ka gjetur zbatim edhe në Kosovë. Përfaqësues të institucioneve e shoqërisë civile të angazhuar në sektorin e trashëgimisë kulturore të dielën kanë vizituar objekte të veçanta të trashëgimisë kulturore në qytetin e Prizrenit, prej nga kanë përsëritur thirrjet për ruajtjen dhe promovimin e këtyre vlerave.
Bartës të institucioneve vendore e ndërkombëtare kanë përuruar objektin e rinovuar të Muzeut Arkeologjik dhe kanë paraqitur projektin e konservimit dhe restaurimit të Kalasë së Prizrenit. “Inaugurimi i Muzeut Arkeologjik dhe përcjellja dhe prezantimi i punëve rreth restaurimit dhe konservimit të Kalasë është shenjë e përkushtimit tonë të përbashkët”, ka thënë zëvendësministrja e Kulturës, Rinisë dhe Sporteve, Lirije Kajtazi.
Ndërsa Kjartan Bjornsson nga Zyra Ndërlidhëse e Komisionit Evropian ka theksuar se kujdesi për trashëgiminë kulturore paraqet një vlerë të rëndësishme për secilin vend. “Por, gjithashtu besojmë se trashëgimia kulturore dhe diversiteti kulturor është pjesë integrale e procesit të integrimeve evropiane, prandaj dhe kjo fushë do të mbetet njëra ndër prioritetet tona”, ka thënë Bjornsson.
Drejtori i Institutit për Mbrojtjen e Monumenteve Historike, Hasan Hoti është shprehur mirënjohës për investimet e MKRS-së dhe KE-së në Kala, duke shprehur bindjen se ato do t’ia ndërrojnë pamjen këtij objekti si dhe do ta bëjnë pikë referimi për vizitorët e ndryshëm.