Mustedanagiq: Për një kombëtare shqiptare në Maqedoni

Sipas së përditshmes “Sport Ekspres”, zëvendëstrajneri i Kombëtares së Shqipërisë, Xhemal Mustedanagiq ka propozuar krijimin e një përfaqësuese të shqiptarëve të Maqedonisë, në përpjekje për të ndalur rrjedhjen e talenteve kuqezi.
Mustedanagiq ishte në Tetovë fundjavën e kaluar, ku ndoqi kampionen e re të Maqedonisë, Shkëndijën. Në bllokun e tij të shënimeve përfunduan disa futbollistë cilësorë të kësaj skuadre, por menjëherë pas ndeshjes ai mori vesh se të gjithë, në një formë a një tjetër, kishin luajtur të paktën nga një ndeshjet me ekipet përfaqësuese të Maqedonisë.
“Është një fatkeqësi, pasi disa lojtarë mund t?i shërbenin përfaqësueses sonë. Maqedonia, i merr, i fut vetëm nga një ndeshje, duke i djegur, dhe më pas nuk kujtohet më për ta”, ka thënë Mustedanagiq, transmeton Indeksonline.
Ish-futbollisti boshnjak ka mundur të shohë në Tetovë dëshirën e të gjithë lojtarëve të Shkëndijës që një ditë të mund të veshin fanellën kuqezi. “Secili ëndërronte të vishte një ditë fanellën e Shqipërisë. Unë u propozova që të krijonin një ekip të shqiptarëve të Maqedonisë dhe të vinin të luanin ndeshje miqësore në Shqipëri. Në këtë mënyrë do të mund të ishin përherë nën vëzhgimin e trajnerëve të përfaqësueses. Në Shqipëri do të kenë përherë më shumë vëmendje sesa në Maqedoni”, ka deklaruar Mustedanagiq