Monaco Telecom: Numrat e operatorit virtual dominojnë në tregun e “Sim to Sim”

Prishtinë, 24 gusht – Gazeta Koha Ditore duke bërë publike të dhënat e një raporti konfidencial të Monaco Telecom International dhe të kompanisë “Polyconsiel”, e cila është angazhuar për luftimin e krimit të organizuar që kryhet nëpërmjet “Sim to Sim”, shkruan se operatori virtual i korporatës së Postë-Telekomit ka shtrirjen më të madhe në trafikun ilegal. Kompania “Z-Mobile”, sipas këtij raporti, dominon tregun ilegal të thirrjeve ndërkombëtare, duke marrë pjesë me 98 për qind të numrave të përfshirë në “Sim to Sim”. Ndërsa, 2 për qind i përkasin operatorit të telefonisë mobile “Vala”.
“Diku një e katërta e numrave të operatorit ‘Z-Mobile’ janë të përfshirë në trafikun ilegal të njohur si ‘Sim to Sim’”, thuhet në këtë raport të cilin e disponon gazeta dhe i cili i është dorëzuar Postë-Telekomit të Kosovës në muajin gusht. Raporti i referohet zhvillimit të trafikut ilegal të thirrjeve ndërkombëtare përgjatë muajit korrik të këtij viti.
Zyrtarët e operatorit virtual që është pronë e kompanisë “Dardafone.net” kanë mohuar të dhënat e këtij raporti.