Ministri Besimi takoi Ministrin e Mbrojtjes së Republikës Popullore të Kinës!

Thellimi dhe intensifikimi i bashkëpunimit të ndërsjellë, si dhe konfirmimi i respektit dhe mbështetjes së ndërsjellë ishin temat mbi të cilat, gjatë vizitës së sotme në Republikën e Maqedonisë, diskutuan ministri i mbrojtjes së RP së Kinës, Liang Guangli dhe kolegu i tij nga Maqedonia, ministri Fatmir Besimi.
Në takim, ku morri pjesë edhe shefi i Shtabit të Përgjithshëm të ARM-së, gjeneral-majori Goranço Koteski, ministri Besimi falenderoi RP të Kinës për qëndrimin e tyre parimor në raport me orientimet strategjike të Republikës së Maqedonisë, i cili është reflektim i politikës së përgjithshme të RP së Kinës e cila niset nga parimi i respektimit të së drejtës së natyrshme që secili vend vetvetiu udhëhiqet nga intereset e veta për siguri kombëtare dhe zhvillim të pandërprerë.
Gjithashtu, u shpreh mirënjohje edhe për përkrahjen e pakushtëzuar dhe njohjen e Republikës së Maqedonisë, nën emrin e saj kushtetues, duke nënvizuar se RP e Kinës është një vend i rëndësishëm në suaza botërore, anëtare e përhershme e Këshillit të Sigurisë së OKB, si nga aspekti ekonomik, ashtu edhe nga aspekti i mbrojtjes dhe sigurisë. Për Republikën e Maqedonisë, Ministrinë e Mbrojtjes dhe ARM-në është privilegj të bashkëpunohet me një armatë të fuqishme si që është ajo kineze me 2,5 milionë ushtarë dhe me një buxhet prej 22 miliardë dollarë, me një fjalë, njëri nga partnerët për respekt nga të gjithë, si dhe për Aleancën e Atlantikut të Veriut.
Kjo vizitë paraqet vizitë të parë të një ministri të mbrojtjes së RP së Kinës në Republikën e Maqedonisë, dhe paraqet thellimin e vazhdueshëm të miqësisë midis dy vendeve, si dhe respektimin dhe mirëkuptimin e ndërsjellë.
ARM-ja do të vazhdojë bashkëpunimin me armatën kineze, në veçanti në fushën e shkëmbimit të përvojave nga operacionet paqeruajtëse dhe në trajnimin e njësive speciale. Përndryshe, bashkëpunimi me forcat e armatosura të RP së Kinës shënon një zhvillim të konsiderueshëm edhe atë në fushën e edukimit ushtarak, studimeve dhe trajnimeve ndërkombëtare të instruktorëve në artet luftarake.
Me qëllim të intensifikimit të bashkëpunimit midis dy vendeve, Republika e Maqedonisë planifikon të dërgojë atashe të mbrojtjes në RP të Kinës në pajtim me Strategjinë e miratuar për diplomaci të mbrojtjes.