Meta paralajmëron njohje të reja pas Hondurasit

Tiranë, 4 shtator – Menjëherë pas njohjes së Kosovës nga Republika e Hondurasit, zëvendëskryeministri dhe ministri i Jashtëm i Shqipërisë, Ilir Meta, ka uruar qytetarët e Kosovës për këtë njohje, duke thënë se ndihet i sigurt që kjo njohje çel rrugën edhe për shume njohje të tjera, që do vijojnë pikërisht pas studimit që vendet e interesuara i kanë bërë opinionit tepër pozitiv të GJND-së për pavarësinë e Kosovës. “Në këtë drejtim, unë jam shumë optimist, pas njohjes nga Hondurasi, që një proces zinxhir njohjesh do të vijojë në mënyrë të vazhdueshme, ashtu siç shpresoj se Serbia do t’i dëgjojë me përgjegjshmëri mesazhet nga Bashkimi Evropian dhe SHBA-ja dhe të tërhiqet nga kjo iniciativë e njëanshme, e cila nuk i shërben absolutisht as forcimit të mëtejshëm të stabilitetit dhe paqes në rajonin tonë, por as perspektivës evropiane të vetë Serbisë”, ka thënë Meta. Pavarësia e Kosovës është njohur dje nga Hondurasi. Vendimi për njohjen e Kosovës i është kumtuar ministrit të Jashtëm të Republikës së Kosovës, Skënder Hyseni, nga ministri i Jashtëm i Republikës së Hondurasit, Mario Canahuati. Kjo është njohja e parë që i vjen Kosovës pas opinionit të GJND-së, ndërkaq e 70-ta që nga 17 shkurti 2008.