Publikuar me datën: Sun, Feb 27th, 2011

Me këmbë të majtë

Ditët e para të punës së kësaj qeverie e të kryetarit të ri u përshkuan me një skandal diplomatik, një tjetër “gjuhësor” dhe një fotografik

Pa dyshim ilustrimin më të mirë për atë që ndodhi javën që e lamë pas na e dhanë  Trembelat, të cilët zgjedhjen e kryetarit të Kosovës e përshkruan duke e riformuluar nenin 86 të Kushtetutës: “Presidenti i Kosovës zgjidhet nga Kuvendi me vota të fshehta”. Kjo pjesa e fundit (siç po shihet ? ) u fshi dhe u zëvendësua me “NËPËRMJET SMS-ve”. Në ilustrim, ky riformulim vëzhgohet nga figura e një diplomati të huaj, i cili nuk ka të bëjë me SMS-të. Veç me telefon.

Kosova u bë me kryetar pas seancës tashmë të përshkruar të Kuvendit, që u quajt kundërkushtetuese nga kryetari i Parlamentit dhe nga partitë opozitare, që tashmë kanë paralajmëruar padi në Gjykatën Kushtetuese. E cila, ta kujtojmë, nuk është aty vetëm për ta vlerësuar kushtetutshmërinë e një akti, por edhe ligjshmërinë e një veprimi apo vendimi. E shkelja e një rregulloreje pune, si ajo e Kuvendit, që llogaritet si akt nënligjor, gjithashtu do të mund të ishte shkelje ligjshmërie, që mbase do ta ndërronte fatin e institucioneve të porsazgjedhura. Pra, së shpejti do t’i takojë Kushtetueses të dëshmojë nëse vërtet është organizëm i pavarur dhe se mund të marrë vendime pa presion të asnjë lloji, edhe nëse ai vjen nga miqtë tanë ndërkombëtarë, që e bënë të mundur krijimin e saj.

Ndërkohë, pasi na kritikoi ashpër për “spiunim dhe regjistrim të paligjshëm” për shkak se e kryem punën tonë profesionalisht dhe ia zbuluam publikut këmbimin e një varg porosish inkriminuese, në Radio Evropa e Lirë ambasadori Dell e dha edhe vlerësimin e vet për atë se kush kishte faj që Pacolli u zgjodh kryetar i Kosovës. Apo  thënë më mirë, sipas tij, më përgjegjësi që “…Behgjet Pacolli është president sot, është duke ndenjur në qelinë e burgut në Hagë. Fakti që AAK-ja për arsye të veta zgjodhi të mos i bashkohet koalicionit qeverisës, e bëri pothuajse të pashmangshme që president u bë Behgjet Pacolli”. Sinqerisht, më duket jokorrekte që Ramushi të akuzohet për diçka që ka ndodhur kur ky është me mijëra kilometra larg Prishtinës dhe në kohën kur ai e ka të ndaluar të merret me aktivitete politike. Për më tepër, po i bëhet një akuzë, ndaj së cilës ai nuk mund të përgjigjet, po për të njëjtat arsye. Nuk është fer… por siç ma kishin mësuar amerikanët një thënie qysh në fëmijëri: “Life is not fair” – pra jeta nuk është fer. Ashtu është. Në Kosovë jeta është ferr.

Nëse bash duam t’i gjejmë më përgjegjësit dhe më fajtorët për zgjedhjen e Pacollit kryetar i Kosovës, atëherë ata quhen Hashim Thaçi dhe Behgjet Pacolli – sepse ata i deshën dy pozicionet kyç për vete. Pavarësisht pasojave. E këtu po i citoj fillimisht Fatmir Limajn, ish-ministrin “i cili vullnetarisht” u tërhoq nga Qeveria e re, dhe Jakup Krasniqin, i cili ka thënë se Behgjet Pacolli është kryetar i “papërshtatshëm”, “i zgjedhur pa vullnetin e qytetarëve”, si dhe “me vota të presionit”. Dhe, me aminin e përfaqësuesve ndërkombëtarë në Kosovë. Nëse jo publik, atëherë gjithsesi të heshtur dhe moskundërshtues.

Pra, përderisa nuk ka vendim nga Gjykata Kushtetuese, mbesim me këtë kryetar dhe me këtë Qeveri, që qysh javën e parë nisën me gjysmëskandale dhe incidente. Kryetari, për shkak se me avazin e vet të vjetër vazhdon me deklaratat kontroverse, te pamatura dhe gjuhësisht problematike (apo mbase jo vetëm gjuhësisht). Tash, sipas deklaratave të tij të fundit, Kosova do të bëhet me komb multietnik (Çka ka dashtë autori me thanë?); Kosova do t’i hyjë negociatave me Serbinë (Negociata, për çka? Për territor?) dhe se Profeti (mbase BP) nuk vlen asgjë në vendin e vet. Nëse veten e sheh si profet i kësaj Kosove ku “nuk vlen gjë”, pse atëherë insistoi dhe pranoi të bëhej kryetar, do të shtrohej pyetja… Qeveria, për shkak se njëri ndër ministrat më të rinj në moshë nisi ditën e parë me heqjen selektive të fotografive të Rugovës dhe të Nënës Terezë nga holli, duke lënë të hapur dyshimin se këtë ka mundur ta ketë bërë për motive fetare, e që do të ishte një çështje shumë problematike që mund të krijojë antagonizma të padëshiruara.

Nga ana tjetër, tashmë kanë nisur deklaratat e të huajve, sipas të cilëve kjo është “Qeveria me duart e pastra”, e cila u kërkua pas zgjedhjeve të papastra. Ani që nga radhët e PDK-së kanë mbetur të gjithë të vjetrit, pos tre ministrave (dhe janë shtuar ca të rinj): Limaj i apostrofuar për korrupsion; Shiroka-Pula, ministria e së cilës u shkri në “Ministrinë për Zhvillimin Ekonomik”; dhe Ahmet Shala, për të cilin përflitet posti i guvernatorit, ani që nuk ka konkurruar për të. Pra, sipas logjikës së duarve të pastra, a i bie kjo se këta na qenkan ministrat me duart e papastra? Dhe nëse qenka kështu, çfarë masash do të ndërmerren që duart t’u pastrohen? Apo çfarë do të bëjnë këta ministra për të treguar se i kanë duart e pastra?

Shala i ka të gjitha shënimet financiare të tre vjetëve të shkuar në duar. Do të mund të fliste për atë se nga dhe si shkuan paratë dhe pse u harxhuan gjithë ato në tenderë njëburimorë. Shiroka-Pula do të mund të na fliste për mihjet dhe planet e privatizimit, përkatësisht të ndërtimit të termocentralit të ri. Do të mund të fliste për arsyet se pse ky projekt nuk u nis në mandatin e shkuar dhe çka humb Kosova po qe se i jep asetet në eksploatim për 99 vjet, a sa t’ia marrë mendja dikujt se i vyen. Limaj do të mund të na e zbulonte kontratën me “Bechtel-Enkan”. Kaq ia ka borxh kësaj Kosove, e cila nis këtë vit fiskal me minusin prej gati gjysmë miliardi eurosh, ngase nja 300 milionë duhet të paguhen për “eeeeendrën e kombit”. Ato “kusurat” e tjerë kanë të bëjnë me rritjet e rrogave të premtuara… dhe me administratën e re që do të krijohet për pesë zëvendëskryeministra dhe 30 zëvendësministra e nja 100, 200 a 300 këshilltarë të këtyre e të atyre 18 ministrave.

Nuk e di kush do të dalë të na flasë për nevojën urgjente të shitjes së PTK-së dhe nuk e di kush do t’i përshpejtojë procedurat që kjo të ndodhë, ani që ka të tillë që parashohin se kjo nuk do të ndodhë deri nga fundi i vitit, dhe se paratë mbase do të derdhen vitin që vjen… Nga ana tjetër mund të ndodhë shumë lehtë që tash të realizohet propozimi i Pacollit për koncesionimin a kreditimin e PTK-së, apo çfarëdo ideje tjetër që do t’ia realizojë këshilltari i tij, i cili u dëshmua shkrues i mirë i SMS-ve. Sido që të jetë, unë vazhdoj të mendoj se 300 milionë janë skajshmërisht pak për një aset kaq të rëndësishëm strategjik.

Cilat do që të jenë variantet, Koha Ditore, Kohavisioni, Koha.net-i dhe ARTA do të jenë aty për të raportuar, si gjithmonë. Do të vazhdojmë të jemi burim i pashtershëm i gazetarisë profesionale, përkundër asaj që e mendojnë dhe e thonë për ne. Si prodhues i korrespondentëve dhe i komentatorëve që kanë arritur të bëjnë emër në mediumet e rëndësishme në Evropë e në Amerikë. Si ekip që e di se çfarë është etika dhe pse duhet respektuar atë. Si profesionistë që e dimë se duhet treguar të vërtetën dhe se e dimë se nuk ka vlerë më të madhe sesa të gjykojmë vetë, pa frikë dhe të pavarur nga çfarëdo presioni. E kjo pavarësi nuk është vetëm jona – është e të gjithë atyre që besojnë në ne. Ta ruajmë së bashku!

Ndihmo Radio zeri mitrovices


Kontribuesit qe ndihmuan

Radio zeri Mitrovices ne menyr vullnetare

=========================

Muaji: Korik-2011

=========================

Gzim Koadralia 50 euro

_________________________

Hashim Kryeziu 35 euro

_________________________

Naser Xani 25

_________________________

Sami Zeneli 10 euro

=========================

Muaji: Janar-2012

=========================

Ilaz Azemi 40 euro

_________________________

Sami Zeneli 25 euro

_________________________

Naser Xani 25

_________________________

ERISA 15 euro

=========================

Muaji: Shkurt-2012

=========================

Gzim Halili 150 euro

_________________________

Xhafer Gjaka 50 euro

_________________________

Enver Hajzeri 25

_________________________

Muaji: Nentor-2012

=========================

Aslani Rejser (Danimark) 10 euro

_________________________

Xhevahir Gjonaj 50 euro

_________________________

Jeton Aliu 25 euro

_________________________

Sponzor gjeneral

VideoKlipe


Kliko ne kto ikona per ta ndegjuar radion:
Winamp windows Media Player Real Player

Dergo Urimet tuaj ne Radio Mitrovica


Fluturime nga Zvicra Kërko Fluturime te lira për Kosove Dizajn:KosovaPLUS
All Rights Reserved RadioMitrovica.eu

By continuing to use the site, you agree to the use of cookies. more information

The cookie settings on this website are set to "allow cookies" to give you the best browsing experience possible. If you continue to use this website without changing your cookie settings or you click "Accept" below then you are consenting to this.

Close