Me “Shengen” shtetasve të Kosovës s’u duhet viza kroate

Prishtinë, 17 mars – Ministri i Punëve të Jashtme i Republikës së Kosovës, Enver Hoxhaj ka pritur në takime të ndara disa nga ambasadorët e akredituar në vendin tonë. Ai dje u takua me ambasadorin e Mbretërisë së Bashkuar, Ian Cliff Cameron, ambasadorin e Zvicrës, Lukas Beglinger dhe ambasadorin e Republikës së Kroacisë, Zoran Vodopija. Ambasadori britanik dhe ai kroat i kanë dorëzuar ministrit Hoxhaj kopjet e letrave kredenciale dhe urimet e shteteve të tyre në forcimin e marrëdhënieve bilaterale. Ndërsa, ambasadori zviceran Beglinger ka dorëzuar një letër urimi të Presidentes, njëkohësisht ministres së Punëve të Jashtme të Zvicrës, Micheline Calmy Rey.
Në bisedë me diplomatin britanik, Ministri Hoxhaj e informoi Ambasadorin Cameron me zhvillimet politike në Kosovë, për hapat e shtetndërtimit të Republikës së Kosovës dhe mbështetjen që e kemi marrë nga Mbretëria e Bashkuar në këto dhjetë vjetët e fundit, e veçanërisht mbështetjen për këto tri vjetët e fundit si shtet. “Republika e Kosovës ka një bashkëpunim të ngushtë me Londrën zyrtare dhe ne jemi shumë të interesuar që ky bashkëpunim të jetë i natyrës së zhvillimit ekonomik, i natyrës së tregtisë, kulturës, gjë që Mbretëria e Bashkuar çdo herë e ka ndihmuar Kosovën dhe qytetarët e saj”, tha Hoxhaj. Ndërkaq, Ambasadori i ri i Britanisë së Madhe Ian Cliff Cameron tha se kjo është një detyrë shumë e rëndësishme për të. “Britania ka qenë njëri nga shtetet mbështetëse të Kosovës për shume vite. Pres me padurim që Britania të vazhdojë të mbështesë Kosovën politikisht, për realizimin e aspiratave të saj për integrime euroatlantike edhe, siç tha edhe ministri, është e rëndësishme të zhvillohen jo vetëm marrëdhëniet politike, por edhe marrëdhëniet individuale”. Ambasadori Cameron po ashtu shfaqi gatishmërinë e shtetit të tij që të ndihmojë Kosovën edhe në njohjet ndërkombëtare të Pavarësisë së Kosovës. “Në Britani është një zyrë në Forein Office ku njerëzit po punojnë dhe analizojnë pse ende disa shtete nuk e kanë njohur pavarësinë e Kosovës, dhe si ne në bashkëpunim me shtetet Komonueltit po punojmë që t’i sigurojmë më shumë njohje”, tha ambasadori Cameron. Në takimin me Ambasadorin e Zvicrës, Lukas Beglinger, Ministri Hoxhaj ka falënderuar shtetin e Zvicrës për ndihmën tradicionale që ka dhënë ky shtet popullit të Republikës së Kosovës. Ai tha se ka një traditë të gjatë të marrëdhënieve mes dy popujve dhe kjo traditë do të forcohet edhe më tej. “Ka një traditë të gjatë në marrëdhëniet mes Republikës së Kosovës dhe Zvicrës. Ky shtet ka ndihmuar Kosovën para dhe pas pavarësisë dhe për këtë do të jemi gjithmonë mirënjohës”. Ministri Hoxhaj e siguroi Ambasadorin Beglinger se Republika e Kosovës do të vazhdojë bashkëpunimin edhe në fushën e ekonomisë, tregtisë, kulturës dhe sportit. Ndërsa, Ambasadori i Zvicrës, Lukas Beglinger ka uruar ministrin Hoxhaj për emërimin e tij në postin e Ministrit të Punëve të Jashtme dhe ka përcjellë përgëzimet e shtetit, popullit dhe të presidentes, njëkohësisht Ministres së Punëve të Jashtme, Micheline Calmy Rey. “Do të vazhdojmë përkrahjen tonë për Kosovën në shumë fusha. Ne po ashtu u pajtuam që duhet t’i hapim mundësi investimeve të diasporës në Zvicër në zhvillimin e Republikës së Kosovës”. Me rastin e dorëzimit të letrave kredenciale të Ambasadorit të Republikës së Kroacisë në Republikën e Kosovës, Zoran Vodopija, Ministri i Punëve të Jashtme, Enver Hoxhaj shfaqi kënaqësinë e tij. Ministri tha se nga ky takim dalin dy mesazhe kryesore. Mesazhi i parë është që bashkëpunimi rajonal në Kosovë është shumë vendimtar dhe ne do të bëjmë përpjekje maksimale si Ministri e Punëve të Jashtme që ta mbështesim bashkëpunimin që Republika e Kosovës të jetë pjesë e iniciativave dhe mekanizmave rajonal. Në fushën e këtij bashkëpunimi relacionet ndërmjet Republikës së Kosovës dhe Republikës së Kroacisë, e cila e ka njohur ndër vendet e para Republikën e Kosovës duhet të jetë jo vetëm bashkëpunim i natyrës diplomatike e politike, por edhe ai i rrafshit ekonomik, i rrafshit tregtar, i rrafshit kulturor, i rrafshit arsimor. “Mesazhi i dytë ishte se unë u informova nga Ambasadori i Republikës së Kroacisë që së shpejti jam i ftuar për një vizitë zyrtare në Zagreb. Është kjo një vizitë, e cila do të përfundojë me nënshkrimin e një marrëveshjeje të rëndësishme të protokollit ndërmjet dy shteteve. Kjo është vizita ime e parë që e bëj si ministër i jashtëm në një vend të huaj”, tha Ministri Hoxhaj. Ambasadori i ri i Kroacisë në Prishtinë Sinisha Ivanec nga ana e tij shfaqi kënaqësinë që është përfaqësues i shtetit të parë që pret Ministrin e Punëve të Jashtme të Kosovës, Enver Hoxhajn në vizitë zyrtare në Ministrinë e Punëve të Jashtme të Kroacisë. “Ne jemi gjithashtu të lumtur të jemi në gjendje të sigurojmë qytetarët e Kosovës të cilët kanë vizë shengen, mund të kalojnë transit përmes Kroacisë dhe mund të qëndrojnë deri në 90 ditë nga 1 prilli deri me 31 tetor të këtij viti. Ky do të jetë vendimi i fundit për lehtësimin e komunikimit midis Kosovës dhe Evropës dhe gjithashtu kjo do të lehtësojë komunikimin ndërmjet dy vendeve tona”, tha ambasadori Vodopija.