Publikuar me datën: Thu, Jan 27th, 2011

Matematika e qeverisjes: Tre plus një

Prishtinë, 27 janar – Nëse qeveria e ardhshme do të ketë një program të saj, atëherë ai pritet të jetë përzierje e programeve të promovuara gjatë fushatës elektorale nga partitë politike që do të përbëjnë koalicionin.
Zyrtarë të PDK-së, subjekt politik të cilin rezultatet preliminare e kanë nxjerrë fitues të zgjedhjeve të 12 dhjetorit, kanë insistuar se programi i partisë së tyre do të dominojë në atë qeveritar, shkruan sot “Koha Ditore”. Por, subjekte të tjera pa të cilat ajo s’mund ta bëjë mazhorancën në Kuvend, kanë thënë se do të imponojnë edhe pjesë të rëndësishme të programeve të tyre. E ato që do të bashkëqeverisin me PDK-në, pos partive nga komunitetet pakicë, pritet të jenë AAK-ja dhe AKR-ja.
Blerand Stavileci, zëdhënës në PDK, ka thënë se vota e qytetarëve ka përcaktuar se cili program duhet implementuar gjatë mandatit qeverisës të ardhshëm.
“Secili prej partnerëve të mundshëm për koalicion ka prezantuar programet e tyre, ka pasur kohë për t’i prezantuar ato, megjithatë vota e qytetarit ka vendosur për një program tjetër – ky është programi i PDK-së”, ka thënë Stavileci. “Do të dominojë pjesa e programit të PDK-së, natyrisht e ndërthurur me pjesë të programit për çështje të caktuara të subjekteve të tjera që do të jenë pjesë e koalicionit”.
Në fakt, kreu i PDK-së Hashim Thaçi, duke qenë kryeministër në largim, disa premtime elektorale për rritje pagash i ka kthyer në vendime të qeverisë menjëherë pas përfundimit të zgjedhjeve të 12 dhjetorit. Rritja e pagave ka qenë premtimi më kapital i tij dhe kryesisht programi politik i PDK-së ka qenë i fokusuar në rritjen e mirëqenies sociale.
PDK-ja akoma nuk ka thënë se me kë do të bashkëqeverisë, pos konfirmimit të nisjes së negociatave me AKR-në. Ndërkaq, AAK-ja ka propozuar koalicionin e gjerë PDK-LDK-AAK. Mirëpo, LDK-ja ka shprehur qëndrimin kundër bashkëqeverisjes në ndonjë variant me PDK-në, sikur që edhe lëvizja “Vetëvendosje” që është përcaktuar prej kohësh për të qëndruar në opozitë dhe për të mos lidhur partneritet me ndonjë parti parlamentare.
Një koalicion i mundshëm PDK-AAK-AKR-minoritetet do të garantonte një mazhorancë prej rreth 75 ulësesh në Kuvend, nga gjithsej 120 sa ka. Ndërkaq, pa AAK-në, mazhoranca eventualisht do të mund të zinte diçka më shumë se 60 ulëse.
Pikërisht pse në AAK akoma nuk kanë formësuar qëndrimin sa i takon pjesëmarrjes ose jo në koalicion me PDK-në, pa përfshirjen edhe të LDK-së, e konsiderojnë si të hershme pyetjen rreth imponimit të programit të partisë së tyre në atë qeveritar.
Megjithëkëtë, Burim Ramadani, sekretar i përgjithshëm në AAK, ka thënë se nuk mund të mendohet implementimi i programit të tyre, pa qenë njerëzit e AAK-së ata që drejtojnë qeverinë e ardhshme.
“Ne mund të implementojmë programin tonë nëse udhëheqim qeverinë. Përndryshe është vështirë të imagjinohet pjesëmarrja jonë në qeveri”, ka thënë Ramadani. “Programi ynë është për të ndryshuar praktikat qeverisëse në Kosovë, për t’i bërë më të mira dhe kjo mund të ndodhë nëse ne jemi në udhëheqje”.
Ramadani ka shprehur këtë qëndrim, ani se vetë është mbështetës i një koalicioni shumëpërfshirës, në të cilin AAK-ja është partia më e vogël. Por, ka thënë se koalicioni të cilin mbështet do të kishte për mandat kryesisht përgatitjen e vendit për zgjedhje të reja.
“Qeverisja e gjerë PDK-LDK-AAK e ka kuptimin e tejkalimit të krizës, ngërçit politik, dhe të përgatitjes së zgjedhjeve të reja”, ka thënë ai. “Edhe për ta stabilizuar vendin, për të rritur njohjet dhe të gjitha këto”.
Në fakt, gjatë fushatës elektorale AAK-ja fare pak ka folur për programin e saj. Më shumë është marrë me akuza ndaj PDK-së dhe LDK-së, partive që kanë qenë në koalicion qeverisës tre vjet rresht. Kësisoj, nuk ka pasur ndonjë premtim kapital që e ka veçuar këtë parti nga të tjera subjekte.
Ndërkaq, AKR-ja, duke qenë prijëse e një koalicioni më të gjerë partish që bashkërisht kanë garuar në zgjedhjet e 12 dhjetorit, për premtim kapital ka pasur punësimin e rreth 120 mijë kosovarëve gjatë një mandati qeveritar. Po kështu, midis të tjerave zotime programore ka qenë rritja ekonomike për Kosovën prej 7 për qind në vit.
Pjesë programore që e ka veçuar nga të tjera parti, ka qenë futja në shkolla e lëndës fetare dhe lejimi i femrave që të bartin shami në shkolla.
Në AKR, një subjekt politik që shihet më i mundshmi për të bashkëqeverisur me PDK-në, kanë shprehur qëndrimin se një prej kritereve të bisedave për një koalicion të mundshëm qeveritar do të jetë edhe zbatimi i programit të tyre.
Mimoza Kusari-Lila, zëvendëspresidente e AKR-së, ka lavdëruar programin e subjektit politik që përfaqëson dhe ka thënë se kurrkush nuk duhet thirrur në votën e qytetarëve, kur është fjala për implementim programi. Sipas saj, qytetarët nuk kanë votuar në bazë të programeve të prezantuara nga partitë politike gjatë fushatës elektorale.
“Ne e kemi vlerësuar si një program, i cili me të vërtetë adreson disa prej çështjeve kyç me të cilat ballafaqohet Kosova…, prandaj një prej temave do të jetë edhe zbatimi i programit të AKR-së dhe inkorporomi i këtij programi në një program qeverisës”, ka thënë Kusari-Lila. “Në fakt vota pak është bazuar në atë se çfarë është programi”.
Megjithëkëtë, ajo ka thënë se me rastin e ndarjes së ministrive nga partnerët e koalicionit nuk duhet aplikuar mënyra që secili partnerë të implementojë programin e vet në resorët qeveritarë që udhëheq. Kusari-Lila ka konsideruar se veprimet e ndara ose operimi i ministrive sikur janë të ndara nga një funksionim i përgjithshëm i qeverisë she nuk bën mirë.
“Kosova ka për t’u ballafaquar me aso sfidash të mëdha, të cilat me të vërtetë duhet pasur një koordinim e bashkëpunim të ngushtë të aktorëve qeveritarë, një besim për të sjellë edhe objektiva të përbashkëta, të cilat duhet koordinuar në mënyrë që të tejkalohen sfidat”, ka thënë Kusari-Lila. “Po pritet një qeveri me bazë më të gjerë dhe paramendoni sa programe do të zbatoheshin dhe sa çështje do të adresoheshin”.
Edhe në PDK kanë përjashtuar mundësinë që në ministri të caktuara të implementohen programe bllanko të ndonjërit prej partnerëve të saj të mundshëm në koalicion. Madje, kanë shprehur qëndrimin se subjektet tjera nuk mund të imponojnë pjesë të programeve të tyre.
“Nuk mendojmë se ndonjëri nga subjektet do të duhej të vinte kushte, sidomos kur bëhet fjalë për projekte të mëdha, apo për pjesë të programit që janë të rëndësishme për zhvillimin ekonomik dhe për mirëqenien sociale të qytetarëve tanë dhe pjesë tjera”, ka thënë Blerand Stavileci. “Sido që të jetë, nëse është dikush që duhet të imponojë rregulla të lojës apo të bërjes së koalicionit dhe të ndërthurjes së programit, atëherë kjo do të jetë partia fituese”.

Ndihmo Radio zeri mitrovices


Kontribuesit qe ndihmuan

Radio zeri Mitrovices ne menyr vullnetare

=========================

Muaji: Korik-2011

=========================

Gzim Koadralia 50 euro

_________________________

Hashim Kryeziu 35 euro

_________________________

Naser Xani 25

_________________________

Sami Zeneli 10 euro

=========================

Muaji: Janar-2012

=========================

Ilaz Azemi 40 euro

_________________________

Sami Zeneli 25 euro

_________________________

Naser Xani 25

_________________________

ERISA 15 euro

=========================

Muaji: Shkurt-2012

=========================

Gzim Halili 150 euro

_________________________

Xhafer Gjaka 50 euro

_________________________

Enver Hajzeri 25

_________________________

Muaji: Nentor-2012

=========================

Aslani Rejser (Danimark) 10 euro

_________________________

Xhevahir Gjonaj 50 euro

_________________________

Jeton Aliu 25 euro

_________________________

Sponzor gjeneral

VideoKlipe


Kliko ne kto ikona per ta ndegjuar radion:
Winamp windows Media Player Real Player

Dergo Urimet tuaj ne Radio Mitrovica


Fluturime nga Zvicra Kërko Fluturime te lira për Kosove Dizajn:KosovaPLUS
All Rights Reserved RadioMitrovica.eu

By continuing to use the site, you agree to the use of cookies. more information

The cookie settings on this website are set to "allow cookies" to give you the best browsing experience possible. If you continue to use this website without changing your cookie settings or you click "Accept" below then you are consenting to this.

Close