Masakrohet shqipja në Maqedoni

Shtrembërimi i gjuhës shqipe vazhdon në institucionet e Maqedonisë. Kjo dëshmohet edhe me mbishkrimet nëpër tabela treguese, por edhe në tabela informuese. Një rast i tillë është edhe një tabelë informuese lidhur me realizimin e projektit infrastrukturor të rrugës Bellanoc – Stançiq, që lidh Maqedoninë me Kosovën, transmeton ina. Tabela e tillë është promovuar nëpër rrjetet sociale edhe nga politikanë dhe zyrtarë institucionesh, pa shprehur shqetësim lidhur me këto skandale drejtshkrimore. Një gjë të tillë për këtë kishte bërë deputetja e BDI-së, Ermira Mehmeti.
Tabela treguese ka një numër të madhe të gabimeve drejtshkrimore. Një pjesë e institucioneve në Maqedoni, edhe pse kanë përkthyes të punësuar, ato vazhdojnë skandalet e shtrembërimit dhe masakrimit të gjuhës shqipe. Siç bëhet e ditur një pjesë e përkthyesve janë të paaftë për të kryer punën e tyre dhe se ata janë pranuar në shumë institucione pa pasur arsimimin adekuat dhe pa plotësuar kushtet e kërkuara. Në një rast të caktuar rolin e përkthyesit e kryejnë edhe persona që janë hoxhallarë apo kanë kryer medresetë dhe fakultete fetare.