Marrëveshje për Asistencë ndërmjet Kosovës dhe SHBA-së

Presidentja e Republikës së Kosovës Atifete Jahjaga dhe ambasadorja e SHBA në Republikën e Kosovës Tracey Ann Jacobson dhe Maureen A. Shauket, drejtore e Misionit të USAID-it, nënshkruan Marrëveshjen ndërshtetërore për Asistencë ndërmjet Republikës së Kosovës dhe Shteteve të Bashkuara të Amerikës, në fushën e zhvillimit ekonomik dhe punësimit të të rinjve, në sundim të ligjit, në forcimin e qeverisjes dhe institucioneve demokratike. Përkrahja konkrete financiare e qeverisë amerikane bëhet nëpërmjet USAID-it.
Marrëveshja e nënshkruar do të ofrojë mundësi më të mëdha për edukimin e të rinjve, si dhe do të përkrahë krijimin e Autoritetit për Mbështetje Kreditore, që do të ofrojë hua për bujqit në Kosovë, sidomos për gratë fermere.
Presidentja e Republikës së Kosovës, zonja Atifete Jahjaga e ka vlerësuar marrëveshjen si një ndihmë konkrete dhe të vazhdueshme të SHBA-së për Kosovën në fushën e ekonomisë, të bujqësisë dhe të forcimit të institucioneve demokratike, në edukimin e të rinjve dhe hapjen e vendeve të reja të punës për ta.
Në fushën e lidershipit transformues, USAID-i do të ofrojë mundësitë për shkollim të lartë për të përkrahur krijimin dhe fuqizimin e kuadrove të reja kosovare. Misioni i USAID-it në Kosovë synon t’i realizojë këto qëllime duke ofruar bursa për shkollim në SHBA, punë praktike dhe shkëmbime universitare krahas objektivit të përcaktuar për zhvillim institucional.