Maqedonia është një partner strategjik për Kosovën

Prishtinë, 23 mars – Presidenti i vendit u takuan sot me kryetarin e Kuvendit të Maqedonisë, Trajko Velanovski dhe zëvendëskryeministrin Vasko Naumovski.
Sipas Velanovskit, prioritet i Maqedonisë janë marrëdhëniet e mira me të gjitha vendet fqinje, ndërsa marrëdhëniet me Kosovën trajtohen me shumë rëndësi nga institucionet e Maqedonisë.
“Marrëdhëniet mes Republikës së Maqedonisë dhe Republikës së Kosovës janë në nivel shumë të lartë, si në fushën politike ashtu edhe në fushën ekonomike dhe është obligim i udhëheqësve të institucioneve, i politikanëve, që këto marrëdhënie t’i zhvillojnë edhe më tej”, tha ai.
Ai përkujtoi se në Kuvendin e Maqedonisë janë ratifikuar deri tash dhjetë marrëdhënie ndërshtetërore mes Maqedonisë dhe Kosovës dhe do të ratifikohen edhe marrëdhënie të tjera, njoftoi zyra për shtyp e Presidentit të Kosovës. Ai gjithashtu tha se Kuvendi i Maqedonisë ka krijuar një grup punues për bashkëpunim me Kuvendin e Kosovës dhe pret që edhe Kuvendi i Kosovës ta krijojë një grup të tillë.
Presidenti Pacolli ka theksuar marrëdhëniet shumë të mira mes dy vendeve tona, duke u shprehur i gatshëm që të ndikojë që këto marrëdhënie të intensifikohen edhe më tej dhe të njohin shkallë më të lartë të zhvillimit.
“Maqedonia është një partner strategjik për Kosovën. Bashkëpunimi mes Republikës së Kosovës dhe Republikës së Maqedonisë është shembull për të tjerët”, theksoi Pacolli, duke shtruar nevojën që të punohet edhe më tej për të krijuar mundësi sa më të mira për të gjithë qytetarët e të dyja vendeve.
Ndërkaq, në bisedë me zëvendëskryeministrin Naumovski, Pacolli kërkoi që të dy vendet të jenë në funksion të integrimit të përbashkët ekonomik dhe politikës në përmirësimin e mirëqenies sociale të dy vendeve. Duke iu referuar bashkëpunimit ekonomik dhe nevojës së zhvillimit të dy vendeve, presidenti i Kosovës tha: “Të investojmë me pak para që kemi, me pak kohë që na ka mbetur dhe më shumë shpirt që kemi, në funksion të interesit të qytetarëve të vendit tonë”.