Loja e rrezikshme me tela gjemborë në Rudar të Zveçanit

Grupe serbësh, në orët e vonë të së martës kanë vendosur tela gjemborë te barrikada në hyrje të fshatit Rudar të Zveçanit. Në këtë mënyrë nga ana jugore pengohej qarkullimi e banorëve shqiptarë të tri fshtarave të Zveçani – Zhazhë, Boletin dhe Kelmend. Por, banorët e këtyre fshatrave të organizuar kanë larguar telat nga aty. Fatmir Kelmendi, përfaqësues i fshatit Kelmend, thotë se këto veprime të strukturave ilegale serbe e kanë tensionuar shumë situatën. Banorët i kanë vërejtur serbët rreth orës 19:30 duke vendosur telat gjemborë në hyrje të rrugës, që shpi për këto tri fshtar. “Kjo ka ndikuar shumë në tensionimin e situatës, meqë banorët e këtyre tri fshatrave e kanë rrugën kryesore atë, e cila para dy vjetësh ishte asfaltuar me mbështetje të Qeverisë së Kosovës”, ka sqaruar ai.
Banorët i kanë vërejtur serbët, të cilët pasi i kanë vendosur gjemborët janë vendosur matanë barrikadës, ka thënë Kelmendi, i cili më tej ka shtuar se për këtë rast kemi lajmëruar edhe Policinë e Kosovës, e cila ka dalë në vendin e ngjarjes. Sipas tij, disa orë pas largimit të telave, serbët prapë i kanë rivendosur më vonë. Ai tha se disa herë gjatë natës i kanë larguar telat, por serbët i kanë rivendosur.
Kelmendi shtoi se pos Policisë së Kosovës, atje nuk ka dalë askush tjetër. Sipas tij, KFOR-i dhe EULEX-i nuk kanë dalë fare në terren.