Likovë, puna e stacionit shëndetësor

Drejtori i këtij institucioni Qenan Saqipi tashmë ka bërë kërkesat e nevojshme në ministri, për vënien në funksion edhe të këtyre shërbimeve mjekësore dhe shpreson se në një të ardhme të afërt, këto kërkesa do të realizohen.

Banorët e komunës së Likovës, prej një viti tashmë i marrin shërbimet mjekësore në stacionin shëndetësor “Likovë” që punon 24 orë. Mëvetësia i këtij institucioni nga shtëpia e shëndetit të Kumanovës, ka mundësuar lehtësimin e marrjes së ndihmës shëndetësore për mbi 30 mijë banorët e kësaj komune.
Por, megjithë statusin e këtij institucioni, në këtë Ent Shëndetësor akoma mbeten jashtë realizimit disa shërbime mjekësore për shkak të mungesës së mjeteve të nevojshme dhe personelit mjekësor siç është stomatologjia, ndihma e shpejtë dhe vaksinimi i fëmijëve parashkollor dhe shkollor.
Drejtori i këtij institucioni Qenan Saqipi tashmë ka bërë kërkesat e nevojshme në ministri, për vënien në funksion edhe të këtyre shërbimeve mjekësore dhe shpreson se në një të ardhme të afërt, këto kërkesa do të realizohen.
“Ne si institucion fillestar normalisht si të gjitha institucionet tjera kemi has në vështirësi, kemi mungesë të kuadrit, kemi mungesë të aparaturave mjekësore dhe momentalisht kryejmë vetëm disa shërbime si vizita shtëpiake dhe shërbimin e ambulancës në ndërrim të natës… Me atë kohë që ka kaluar ne kemi arritur shumë dhe me siguri në të ardhmen do t’i bëjmë të gjitha shërbimet. Momentalisht nuk mund të kryejmë shërbimin e ndihmës së shpejt për shkak të mungesës së kuadrit mjekësor pasi kam nevojë për punësim të mjekëve të përgjithshëm dhe motrave medicinave çka shpresoj se në të ardhmen do të bëhen. Mungesa tjetër është mungesa e aparaturave mjekësore sidomos veturave sanitare që është e patjetërsueshme si kusht për të funksionuar ndihma e shpejt”, tha Qenan Saqipi, drejtor i stacionit shëndetësor në Likovë.
Numri i pacientëve që kërkojnë ndihmë mjekësore në këtë institucion sillet deri në 50 pacientë brenda 24 orëve, ndërsa vizitat shtëpiake realizohen edhe në mungesë të makinës.
“Pacientet patjetër duhet të kenë raport nga mjeku specialist dhe të vijnë të regjistrohen këtu dhe në bazë të raportit. Ne së bashku, mjeku dhe motra, shkojmë dhe e vizitojmë pacientin dhe japim terapinë përkatëse që e kanë ato …Mungesa jonë kryesore është automjeti dhe edhe një ekip është i nevojshme se kemi edhe paradite dhe pasdite dhe jemi të ngarkuar”, tha Valbona Hasani, mjeke.
“Zakonisht janë shërbimet e natës që bëhen. Është në të mirë të këtij vendi dhe kësaj popullate se tash shërbimet i kryen këtu, kur dikur i kanë kryer në Kumanovë dhe kanë pritur rend, mesatarisht në 24 orë është diku nga 40-50 , ka raste që janë edhe më tepër ose më pak p.sh sezoni i gripit tash numri është tepër më i madh në krahasim me sezonet tjera”, tha Llokman Zimberi, mjek.
Pacientët kanë përshëndetur punën e personelit mjekësor dhe institucionit në përgjithësi.
“Shërbimi është shumë i mirë. Ne jetojmë në Zvicër. Kur kemi rast të sëmurë, vijmë këtu në spitalin në Likov dhe nuk ka nevojë të shkojmë në Kumanovë ose në Shkup, diku larg por e kemi spitalin tonë”.
“Shërbimet i kemi në nivel, 24 orë punon. Jemi të kënaqur”.
“Për momentin, për ambulancën jemi shumë të kënaqur se deri tani nuk kemi pasur. Jemi shumë të kënaqur dhe beso se me dëshirë e kam pritur dhe me vullnet të madh”.
Në stacionin shëndetësor ‘Likovë’, tani për tani ka të punësuar 15 persona, megjithatë nëse do të vihen në funksion edhe shërbimet e tjera, atëherë ky numër pritet të rritet në 60 të punësuar. Kontribut të veçantë të vënies në funksion të këtij institucioni, ka edhe komuna e Likovës.Gjyltene Rexhallari