LB: Zgjidhja për veriun e Kosovës të jetë model për jugun e Serbisë

Lëvizja për Bashkim insiston që tri komunat me shumicë shqiptare në Serbi, përkatësisht Preshevë, Bujanoc dhe Medvegjë të përfshihen në bisedimet politike eventuale me Serbinë. Kjo, sipas kreut të kësaj lëvizjeje, Avni Klinaku, duhet të ndodhë, nëse në tavolinën e bisedimeve hidhet çështja e veriut të Kosovës.
Klinaku në një konferencë për media ka thënë se çfarëdo zgjidhjeje që do të bëhej për veriun e Kosovës do të duhej që të bëhej edhe për jugun e Serbisë.
“Ne mendojmë që zgjidhja më e mirë, më e pranueshme e më e kapshme do të ishte që vetëm të mos përdoren standarde të dyfishta. Çfarëdo zgjidhje që do t’i jepej veriut t’i jepet edhe Kosovës Lindore dhe kjo mund të shkojë që nga zgjidhjet pa ndonjë status deri te zgjidhjet me status e deri te zgjidhjet më radikale, përfshirë ndryshimin e kufijve”, ka thënë ai.