Publikuar me datën: Mon, Mar 7th, 2011

Kuvendi para aktit të kryer për dialog me Serbinë

Në disa raporte të progresit të Komisionit Evropian radhazi është kritikuar ashpër Kuvendi i Kosovës për moskryerje të detyrës që ka në mbikëqyrjen e ekzekutivit dhe detyrat e tjera që i ka një parlament si organi kryesor i shtetit që përfaqëson qytetarët. Këto kritika të Komisionit Evropian kanë qenë me vend. Por BE-ja, e besa edhe bashkësia më e gjerë ndërkombëtare që vepron në Kosovë,  këtu ka një qasje hipokrite. Përderisa për shkak të parimeve thonë se Parlamenti duhet të ushtrojë kontrollin mbi ekzekutivin, në fakt ata preferojnë që në Kosovë te kenë punë me sa më pak njerëz, të merren vesh me ta, pa pasur nevojë që të debatohet më parë në Kuvend. Kështu ka qenë edhe me dialogun që nesër fillon mes Prishtinës dhe Beogradit. Kuvendi edhe një herë është vënë para aktit të kryer, dhe në vend që të jetë instanca e parë ku do të përgatitej dhe miratohej ndonjë strategji për dialog, Kuvendi është i fundit i cili debaton për këtë, dhe atë në momentin e fundit. Duket si një lloj „las minute“ aranzhim sa për të pasur përshtypjen se kinse është konsultuar edhe Kuvendi. Kështu Kuvendi i Kosovës edhe një herë është dëshmuar të jetë, siç thonë në Kosovë, „bira e fundit e kavallit“.
Kuvendi i Kosovës nuk ka pasur asnjë rol deri më tash në përgatitjen e dialogut me Serbinë. Thënë të vërtetën, as roli i Kosovës nuk ka qenë shumë i rëndësishëm, sepse Brukseli e Beogradi janë marrë vesh së pari, e kanë njoftuar për këtë më vonë Hashim Thaçin, dhe tash dialogu nis, ndërsa deputetët e Kuvendit marrin vesh nga mediat.   Por Kuvendi i Kosovës sot duhet së paku t’i vërë disa vija të kuqe për këtë dialog.
Mst: Kuvendi të caktojë vijat e kuqe
Kuvendi i Kosovës duhet qartë përmes një rezolute, që do ta obligonte qeverinë të thotë se dialogu mund të jetë vetëm dialog në mes të dy shteteve sovrane dhe të pavarura, se në dialog nuk mund të shtrohet si temë statusi i Kosovës e as integriteti territorial i saj. Është për t’u habitur se Parlamenti Evropian tashmë është shprehur se „statusi i Kosovës nuk mund të diskutohet në dialog“, ndërsa përpos deklaratave boshe të politikanëve në media këtë nuk e ka vënë në letër asnjë institucion i Kosovës ende. Po ashtu edhe Grupi Drejtues Ndërkombëtar, ku janë edhe 20 vende të BE-së, e ka thënë qartë se dialogu duhet të jetë dialog i dy shteteve të pavarura.  Prandaj Qeveria e Kosovës e sidomos Kuvendi nuk duhet të dëgjojnë disa nëpunës të Këshillit të BE-së kur thonë se „nuk është mirë të përcaktoni linja të kuqe“, sepse edhe miqtë e Kosovës, si GDN dhe Shtetet e Bashkuara të Amerikës,porosisin se qëndrimi i prerë i lidershipit politik të Kosovës është garancia më e mirë që statusi nuk do të diskutohet në dialog e as ndarja e Kosovës. Por ja se qytetarët e Kosovës pikërisht për këtë janë të shqetësuar, sepse nuk kanë ndonjë besim në përkushtimin dhe sinqeritetin e udhëheqësve të tyre. Sa qëndrime i ka ndërruar në muajt e fundit Behgjet Pacolli, presidenti i Hashim Thaçit, që vetëm para disa muajve mburrej sesi kishte refuzuar ofertën e Thaçit të bëhej president, sepse donte që në këtë post ta zgjidhte populli e jo t’ia falte Thaçi, e tash ka marrë këtë post me diku rreth  4% të votave të popullit, por me mbi 90% të votave të siguruara në Kuvendin e Thaçit pa opozitë. Vetëm dy tri ditë pas betimit solemn si president nuk i kujtohet se a ka votuar apo jo. Thaçi në anën tjetër po ashtu ka ndërruar disa qëndrime, duke hyrë në koalicion me rryma të cilat para disa vjetësh i konsideronte si të rrezikshme për Kosovën, për shkak të orientimeve të tyre. Prandaj, duke pasur parasysh se dialogu tashmë po fillon dhe duke pasur parasysh deklarimin e Brukselit se „Kosova edhe po të dojë nuk mund ta ndalë përparimin e Serbisë drejt BE-së“, duke pasur parasysh se Kosova e ka shpallur veten të pavarur, duke pasur parasysh se Kosova e ka pranuar Pakon e Ahtisaarit si kompromis, Kuvendi duhet të gjejë minimumin e konsensusit dhe të japë udhëzime për Edita Tahirin, të dërguarën e posaçme të kryeministrit Hashim Thaçi për dialog me Serbinë.   Përmendja e Thaçit si njeri që personifikon gjithçka rreth dialogut me Beogradin nuk është ndonjë paragjykim por refleksion i realitetit. Edhe vetë baronesha Ashton,  nëpunësit e së cilës do ta „ndihmojnë“ dialogun, në një intervistë në numrin e sotëm të “Kohës Ditore” thotë se „ka besim të plotë në kryeministrin Thaçi“ dhe nuk e përmend Kuvendin.
Kuvendi në këto udhëzime duhet të thotë qartë se çfarë mund të pranojë si temë bisedimesh delegacioni i Kosovës dhe çfarë jo. Natyrisht se në fillim Brukseli dhe Beogradi do të lënë përshtypjen se Kosova po merr diçka si rezultat i dialogut. Por fjala është vetëm për heqjen e  bllokadave që Serbia, po ti kishte respektuar thirrjet e BE-së, është dashur t’i kishte hequr qëmoti. Taktika e Serbisë, sado e thjeshtë dhe e tejdukshme që është, po jep rezultat: bën probleme dhe pastaj paraqitu si zgjidhës i tyre dhe shpërblehesh.
Mst:Kuvendi të përgatitë strategji alternative nëse rihapet Pakoja e Ahtisaarit
Ajo që do të jetë rrezik në dialog, herët apo vonë, është ndarja faktike e Kosovës. Për këtë e di edhe Hashim Thaçi. Edhe sot, një ditë para nisjes formale të dialogut, nga Brukseli porosisin se „duhet nisur nga realiteti“. Pra, jo nga Pakoja e Ahtisaarit, por nga realiteti. Realitet është, si për Brukselin ashtu edhe për Beogradin, se Qeveria e Kosovës tash e sa vjet nuk ushtron pushtetin në veri të Kosovës. Dhe kur flitet për „nisjen nga realiteti“ mendohet në pranimin e faktit se ajo pjesë e Kosovës nuk do të jetë asnjëherë e administruar nga Prishtina. Kësaj i thonë ndarje, pa marrë parasysh se  a do të quhet „status special“ apo „trajtim i veçantë“, siç citohet të jetë shprehur në takime me diplomatë të huaj kryeministri Thaçi.
Kuvendi i Kosovës sot duhet të rikujtojë, dhe atë me rezolutë, se Pakoja e Ahtisaarit nuk ka qenë një propozim i Kosovës, por një kompromis ndërkombëtar të cilin Kosova e ka pranuar. Tash kur Brukseli tregon gatishmëri që në një pjesë të Kosovës të mos vlejë ajo pako, Kosova duhet të bëjë një plan strategjik sesi të veprojë në rast të rihapjes së Pakos së Ahtisaarit. Duhet ta bëjë të qartë se ajo pako nuk do të duhej rihapur, dhe nëse rihapet duhet të rihapen të gjitha mundësitë.
Qeveria e Kosovës duhet po ashtu ta kuptojë se një pjesë e madhe e opozitës dhe e shoqërisë civile nuk është kundër dialogut si dialog, por kundër mënyrës sesi i është qasur këtij dialogu. “Vetëvendosja”, si një forcë respektabile në Kuvend dhe si një kundërshtar i dialogut me potencial që të organizojë edhe protesta në rrugë, duhet të merret po ashtu seriozisht. AAK-ja dhe LDK-ja po ashtu duhet të sqarojnë qasjen e tyre ndaj këtij dialogu. Këto tri parti që përfaqësojnë shumicën e popullit të Kosovës dhe shumicën e votave shqiptare në Kuvendin e Republikës kanë përgjegjësi. Ato kanë votuar zgjedhjen e institucioneve të tandemit Thaçi-Pacolli, por janë shprehur se nuk e bojkotojnë Kuvendin dhe punën e tij. Prandaj, duke u nisur nga thënia „më mirë vonë se kurrë“ edhe këtë debat për dialogun që do të zhvillohet sot në Kuvendin e Kosovës  duhet ta shfrytëzojnë për të shpëtuar atë që ende mund të shpëtohet në këtë proces, për të cilin Kuvendi është lënë në terr deri më tash.

Ndihmo Radio zeri mitrovices


Kontribuesit qe ndihmuan

Radio zeri Mitrovices ne menyr vullnetare

=========================

Muaji: Korik-2011

=========================

Gzim Koadralia 50 euro

_________________________

Hashim Kryeziu 35 euro

_________________________

Naser Xani 25

_________________________

Sami Zeneli 10 euro

=========================

Muaji: Janar-2012

=========================

Ilaz Azemi 40 euro

_________________________

Sami Zeneli 25 euro

_________________________

Naser Xani 25

_________________________

ERISA 15 euro

=========================

Muaji: Shkurt-2012

=========================

Gzim Halili 150 euro

_________________________

Xhafer Gjaka 50 euro

_________________________

Enver Hajzeri 25

_________________________

Muaji: Nentor-2012

=========================

Aslani Rejser (Danimark) 10 euro

_________________________

Xhevahir Gjonaj 50 euro

_________________________

Jeton Aliu 25 euro

_________________________

Sponzor gjeneral

VideoKlipe


Kliko ne kto ikona per ta ndegjuar radion:
Winamp windows Media Player Real Player

Dergo Urimet tuaj ne Radio Mitrovica


Fluturime nga Zvicra Kërko Fluturime te lira për Kosove Dizajn:KosovaPLUS
All Rights Reserved RadioMitrovica.eu

By continuing to use the site, you agree to the use of cookies. more information

The cookie settings on this website are set to "allow cookies" to give you the best browsing experience possible. If you continue to use this website without changing your cookie settings or you click "Accept" below then you are consenting to this.

Close