Kushtetuesja, dy muaj afat për rastin Pacolli

Prishtinë, 3 mars – Behgjet Pacolli do ta ushtrojë i qetë detyrën e Presidentit të Kosovës gjatë dy muajve të ardhshëm, derisa Gjykata Kushtetuese ta thotë fjalën e fundit. Kjo ngase kërkesës së opozitës për interpretim ligjor të proceduarve gjatë zgjedhjes së Presidentit, gjykata duhet t’i përgjigjet brenda 60 ditësh nga koha e dorëzimit.
Por, kjo punë mund të marrë kohë edhe më shumë, në rast se opozita vendos ta dërgojë për interpretime edhe shkeljen e pretenduar të Kushtetutës nga vetë Pacolli, në momentin kur ai e votoi qeverinë.
AKR-ja, parti të cilën deri më 22 shkurt e udhëhoqi Behgjet Pacolli, të gjitha pretendimet për shkelje të Kushtetueses i hedh poshtë, duke thënë se atë ditë u shkel vetëm ligji i protokollit të shtetit.