Kurti: Forcohet opozita, jo koalicion me LDK-në

Lideri i lëvizjes “Vetëvendosje”, Albin Kurti, duke folur për takimin e djeshëm me kreun e LDK-së, Isa Mustafa, deklaroi se lëvizja e tij synon të forcojë bllokun opozitar në Kosovë, por aktualisht nuk mund të flitet për një koalicion me LDK-në, pasi, sipas tij kanë shumë dallime konceptuale.
“Besoj që ishte një takim i mirë,sepse edhe pak bëhen dy vjet që ne jemi në Kuvendin e Kosovës dhe ne takohemi për herë të parë.Besoj që ju e dini se lëvizja “Vetëvendosje” ka qenë e gatshme dhe e interesuar për këso takimesh,por për një koalicion tash për tash as që mund të flitet. Kjo nuk është diskutuar. Kemi dallime të mëdha,por pajtohemi në disa çështje”, tha Kurti për RTV21.
Kurti tha se “Vetëvendosje” nuk është fajtore pse deri më tash nuk ka pasur një opozitë të fuqishme në Kuvend.
“Është situata ajo e cila po na bënë neve të dukemi ekstremë, sepse posaçërisht PDK-ja e ka futur Kosovën në pazar dhe e ka zbritur pazarin për toke. Nuk është faji jonë pse nuk ka pasur bashkëpunim opozitar”, theksoi ai.
Sipas liderit të kësaj lëvizje, “Kompromisi i ardhshëm për Kosovën nuk do ta ketë si përfundim autonominë e veriut, pasi autonomia do të jetë vetëm fillimi, prandaj kjo duhet të ndalet”.
Lëvizja “Vetëvendosje” akuzon qeverinë se e ka harruar Luginën e Preshevës.
“Asnjëherë Lugina e Preshevës nuk është trajtuar në mbledhjen e qeverisë së Kosovës. Ju i keni parë ato mbledhjet e qeverisë që janë të hapura për mediat”, tha ai.
Në këtë intervistë Kurti foli edhe për raportet që partia e tij i ka me ndërkombëtarët.
“Duhet t’i pyesni të huajt pse nuk bashkëpunojnë me ne sepse ne jemi të gatshëm.
Kush tha që ne jemi antievropianë e antiamerikanë. E bëri një ambasador, i cili na e solli një president me sms-a dhe një presidente me zarf. Unë jam takuar edhe me ambasadorin Dell, por unë nuk bëhem servil i askujt. Nuk bëhem, sepse në jemi në rrugën e drejtë që bazohet në parimet demokratike”.
Kurti kërkoi që edhe qasja e ndërkombëtarëve ndaj Kosovës të ndryshojë.