Publikuar me datën: Thu, Nov 24th, 2011

Kufiri Kosovë-Serbi është 130 vjet i vjetër

Kufiri lindor dhe verilindor i Kosovës me Serbinë është ndër kufijtë më të vjetër ndërkombëtarë në rajon, i ratifikuar me marrëveshjet e Shën Stefanit dhe Kongresit të Berlinit. Ky është kufiri otoman me Mbretërinë Serbe nga jugu i Vranjës deri në Jarinjë, që me shkallë të lartë legjitimiteti historik ka shërbyer si bazë e kufirit Kosovë-Serbi

Debati i ngritur së fundi rreth kufijve të Kosovës, që është ngrehur zvarrë që nga një ndryshim i pretenduar fantom kufijsh që kanë zhvendosur një pjesë të Kosovës duke i marrë asaj një pjesë me etnikum shqiptar për t’iu shtuar një pjesë tjetër në veri, është një temë interesante që më shumë si mit apo trajtim është bërë disa herë në margjina të shoqërisë, por kurrë i patrajtuar publikisht dhe nga profesionistët.

Si i tillë ai është hapur shpesh në Beograd në kuadër të tendencave të hapura për ndarje të Kosovës apo “korrigjim kufijsh”, që nga Qosiqi, Kërstiqi, akademiku Samarxhiq, e Iviqi, dhe historianët e ndryshëm serbë që kanë tentuar të shpjegonin që Kosova dhe kufijtë e saj janë një krijesë artificiale komuniste që nuk ka bazë të jetë një entitet i veçantë. Një trajtim i këtillë është përvjedhur edhe në disa analiza ndërkombëtare që kanë operuar mbi disa supozime të përsëritura medialisht.

Debati i fundit që është iniciuar në Parlamentin e Kosovës, për herë të parë ka ngritur një temë të këtillë në domen publik.

Duhet thënë që kufiri verior dhe verilindor i Kosovës, që nga pika në juglindje të Vranjës e deri në Jarinjë në veri, është në fakt njëri nga kufijtë më të vjetër ndërkombëtarë në Ballkan, që njihet si i tillë së paku qe 130 vjet. Si një kufi ndërkombëtar në mes dy shtetesh sovrane, mu në kufirin e sotshëm, ishte një vijë kufitare e vendosur me Marrëveshjen e Shën Stefanit, në mars të 1878-s, dhe Kongresin e Berlinit, në qershor 1878, që njohën pavarësinë e plotë të Principatës së Serbisë. Sipas kushteve të marrëveshjes, Serbia mori nën kontroll distriktet otomane, sanxhakun e Nishit, territori i të cilit përfshinte në jug hapësirën deri në Vranjë. Si një kufi i brendshëm administrativ që ndante provincën e Kosovës dhe Nishin, po e njëjta vijë kufitare daton që nga fillimi i shek. XIX.

Gjatë dekadës së parë të shek. XX, Mitrovica së bashku me rrethinën e saj më në veri, deri në pikën e sotshme kufitare në Jarinjë, mbetën nën vilajetin otoman të Kosovës, i ndarë nga Serbia në pjesën verilindore dhe lindore, pikërisht në vijën e njëjtë kufitare të sotshme që ndan Kosovën nga Serbia. Detajet mbi këtë vijë kufitare janë të qarta dhe të dokumentueshme në hartat e kohës së shkallës së lartë nga kalimi i shekujve XIX e XX. Njëra nga këto harta të shkallës së lartë 1:210,000 është përgatitur për nevojat e Shtabit Suprem të Armatës Otomane më 1901-1902. Ajo tashmë është e digjitalizuar në Universitetin e Harvardit dhe sillet për herë të parë në publicistikën shqipe (shih foto 1). Në seksionin e përqendruar në pjesën e cilësuar si rajon i Prishtinës mund të vërehet qartazi kufiri ndërkombëtar në mes të Perandorisë Otomane (vilajeti i Kosovës) dhe Serbisë, në hapësirën afër pjesës së Vranjës në jug e deri tek pika më veriore e Kosovës. Pjesa më veriore e këtij porcioni të kufirit është treguar në majën e këndit të majtë të hartës dhe tregon kufirin në veri të Podujevës. Prej ku kufiri i orientuar në drejtimin veri-jug kthehet nga perëndimi në pjesën më kulmore të hartës, vija kufitare shkon nëpër fshatrat kosovare, Sllatinë, Reçicë, Belushë dhe Tërnavicë nga perëndimi-veriperëndimi deri tek fshatrat Majdevë dhe Zërnasek. Të gjitha fshatrat janë të regjistruara në hartë me shkrim arab, respektivisht otomanishte të vjetër. Pjesa tjetër e kësaj harte tregon hapësirën territoriale në perëndim të pjesës së përmendur më lart. Në pjesën verilindore të këndit të djathtë të kësaj pjese të hartës përfshihet pjesa e locuar në lindje dhe jug të qytetit të Novi-Pazarit. Në pjesën e këndit më të lartë në të djathtë (verilindje) mund të shihet fshati Leshak, pak më në jug të Jarinjës, që i takon Kosovës. Nga këtu, pjesa e tehut lindor të hartës kalon mu në lindje të fshatrave kosovare të Suhadollit të Banjës, Padinës dhe Uglarit, afër Zubin-Potokut. Ç’është e vërteta, një pjesë e vogël e këtij tehu lindor të Kosovës nuk paraqitet deri në fund në hartën e Shtabit Qendror të Armatës Otomane. Por ky kënd është i balancuar në kombinim me përdorimin e një harte të provinencës tjetër, nëse konsultohet harta ushtarake austro-hungareze për këtë hapësirë, që është përpiluar më 1898, dhe e printuar më 1910. Harta në fjalë është e përmasave 1:200,000, që është digjitalizuar në Bibliotekën universitare Eötvös Lóránd të Budapestit (shih: foto 2). Seksioni tjetër i kësaj harte nga pjesa e Novi-Pazarit tregon vazhdimin e kufirit Kosovë-Serbi që shkon në perëndim të fshatit Zërnosek. Kufiri duket që vazhdon vijën ekzistuese deri në Jarinjë, mu në veri të Leshakut. Nga Jarinja vija kufitare vazhdon tutje në veri, nëpër shtratin e lumit Ibër, ku Sanxhaku i Novi-Pazarit mbetet në të djathtë të këtij lumi dhe Mbretëria Serbe në lindje të Ibrit. Lumi Ibër ishte kufi në veri deri në derdhjen e lumit Rashka në Ibër, më në jug të Rashkës, që ishte qyteti i parë i Serbisë në Ibër. Nga kjo pikë kufiri shkonte nga rrjedha e epërme e lumit të Rashkës në jugperëndim, deri te fshatrat në Milatkovcë, në bregun të majtë të lumit Rashka, që ishte pjesë e Serbisë, dhe në Panojovicë, në pjesën e djathtë të lumit Rashka, që ishte pjesë otomane e territorit, në distriktin e Novi-Pazarit. Nga kjo pikë kufiri otomano-serb e lë lumin e Rashkës dhe vazhdonte në drejtimin nga veriperëndimi, në vijën që përcillte vargmalet me kuotën 880 m lartësi mbidetare, afër luginës së Tushimlës në Sanxhak. Në fakt, Sanxhaku i Novi-Pazarit ka qenë pjesë e Vilajetit të Kosovës deri në shpërbërje të Perandorisë Otomane më 1912. Qyteti i Mitrovicës mu në këtë kohë arriti një rëndësi kulmore pikërisht duke qenë stacioni i fundit kyç i hekurudhës së re strategjike që lidhej me Selanikun, në vitin 1873-78, por që administrohej nga Novi-Pazari në atë kohë. Sanxhaku i Novi-Pazarit, edhe pse nominalisht perandori osmane, praktikisht ishte nën mbikëqyrjen austro-hungareze deri më 1908.

Pas fundit të luftës ballkanike më 1912, provinca otomane ishte e ndarë në mes të Mbretërisë së Serbisë, që kishte marrë pjesën e lindjes dhe jugun e Kosovës, dhe Mbretërisë së Malit të Zi, që kishte okupuar pjesën perëndimore të Kosovës. Gjatë Luftës së Parë Botërore armata austro-hungareze i kishte dëbuar ushtritë serbe e malazeze, por fundi i luftës solli prapë sundimin serb pas nëntorit 1918, njëherë në formën e Mbretërisë serbo-kroate-sllovene dhe pastaj Mbretërisë Jugosllave, që inkorporoi Kosovën në territoret e saj. Kështu, kufiri i dikurshëm kosovaro-serb ishte tash kufi i brendshëm administrativ, por prapë i pandryshuar. Më 1929 mbreti Aleksandër suspendoi Parlamentin dhe Kushtetutën dhe filloi një centralizëm administrativo-territorial, me qëllim të shpërbërjes së njësive administrative të entiteteve historike-gjeografike. Njësia e imponuar territorialo-administrative u imponua banovina. Kështu, e tërë Maqedonia dhe pjesa e Vranjës dhe rajonet e Kosovës rreth Prishtinës, Gjilanit e deri te Prizrenit u bënë banovinë e Vardarit me seli në Shkup. Një pjesë tjetër e vogël e Kosovës rreth Podujevës e Vushtrrisë u bë pjesë e banovinës së Moravës me qendër në Nish. Pjesa tjetër e Kosovës, perëndimi – Peja, Gjakova, Rahoveci dhe veriu – Istogu, Skenderaj, Mitrovica, Trepça, Leposaviqi, së bashku me një pjesë të Dalmacisë dhe Malit Zi u bënë banovinë e Zetës.

Në fakt, ky rirregullim radikal i kufijve të brendshëm ishte një eksperiment afatshkurtër dhe nuk zgjati më shumë se një dekadë, kur me fillimin e Luftës së Dytë Botërore territori në fjalë u vendos nën okupimin gjerman, italian e bullgar.

Pas Luftës së Dytë Botërore pushteti komunist me Titon rivendosi njësitë historike administrative-gjeografike Bosnjë- Hercegovinën e Kosovën, duke respektuar kufijtë e vjetër historikë. Sikurse edhe kufiri i Kosovës, po ashtu edhe ai i Bosnjës njihet ndër kufijtë më të vjetër historikë dhe si të tillë u rikthyen dhe u respektuan si kufij administrativë nga Jugosllavia e dytë. Në këtë aspekt, kufiri Kosovë-Serbi pas vitit 1945 ishte kryesisht i njëjtë si ai i Kosovës me Serbinë i kohës otomane, që shkonte deri në Jarinjë, sikurse 130 vjet më parë.

Në fakt, ky kufi lindor kosovar ishte me precedent historik nga më të vjetrit në rajon dhe si i tillë u respektua, por sfidë për kufi të ri ishte kufiri kosovaro-maqedonas, që nuk kishte precedent historik, në fakt i takonte po të njëjtit Vilajet të Kosovës që qendrën e pati në Shkup, pastaj në Prishtinë. Në këtë problematikë bënte pjesë edhe Presheva, e cila si luginë në jug të Vranjës kishte qenë pjesë e po të njëjtit kufi otoman të para 130 vjetësh. Kjo pjesë kufitare e Kosovës nga lugina e Preshevës dhe nga Maqedonia ishte kufi administrativ që u bë kufi ndërkombëtar më 1992, dhe që kishte përcjellë kufirin natyror të vargmalit të Sharrit.

Kufiri i vendosur me Luginën e Preshevës, si kufi kosovaro-serb duket se ndoqi një logjikë të aneksimit të kësaj pjese për arsye strategjike, pasi që Lugina ishte vendkalimi natyror i ndërlidhjes së korridorit që lidhte Serbinë me basenin e Egjeut, me Maqedoninë. Në këtë aspekt kufiri i dikurshëm otomano-serb nga më në jug të Vranjës deri në Jarinjë, i vendosur në Konferencë dhe me marrëveshje ndërkombëtare para 130 vjetësh, kishte relevancë ndërkombëtare që është respektuar me shkallë legjitimiteti dhe permanencë në masë të madhe si kufi kosovaro-serb, i pranuar madje edhe në kohën e Jugosllavisë së Titos. Ky kufi 130 vjet i vjetër ishte po ashtu kufi i Vilajetit të Kosovës, që ishte entitet i pranuar administrativ otoman.

Nga kjo mund të shihet se nga periudha 1878-1912, kufiri me relevancë historike në mes të Serbisë dhe Perandorisë Otomane ka përcjellë vijën nga jugu i Vranjës në Jarinjë, ndërsa kufiri tjetër pas 1945, kufiri në mes të Kosovës dhe Luginës së Preshevës si Serbi ka qenë i karakterit të brendshëm administrativ dhe nuk ka shërbyer për kontroll të qarkullimit të njerëzve dhe mallrave, deri në shpartallimin e RSFJ-së dhe pavarësimit të Kosovës.

Kufiri i Kosovës, sipas Kushtetutës së fundit jugosllave të vitit 1974, nuk është as rastësi e as invencion komunist, siç ka pretenduar nganjëherë një pjesë e historisë nacionaliste serbe. Ai është ndërtuar mbi precedentët historikë të kohës dhe të verifikuar nga marrëveshjet ndërkombëtare. Ky kufi i demarkacionit serbo-otoman, njëkohësisht kufi i Vilajetit të Kosovës, është shtrirë nga Lugina e Preshevës në jug të Vranjës, deri tek pika e sotshme kufitare – Jarinjë, duke ruajtur relevancën e legjitimitetit për kufirin e ardhshëm Kosovë-Serbi. Si i tillë, ky kufi është më i vjetër sesa kufijtë e natyrës administrative në mes të Kosovës dhe Serbisë, te Dheu i Bardhë nga Lugina e Preshevës, që qartazi u inkorporua në Serbi për shkak të relevancës komunikative të korridorit gjeografik që përmes basenit të Vardarit mundëson lidhjen Panoni-Egje, dhe për të thyer kompaktësinë etnike shqiptare në këtë hapësirë gjeografike. Por ndryshimet e supozuara të mëvonshme pas vitit 1945, nuk janë të dokumentueshme me dokumente përkatëse legale, politike e historike.

Realisht, që nga krijimi i shtetit të parë serb ndërkombëtarisht të njohur që u përkufizua me Kosovën, kufiri në mes të Kosovës e Serbisë në konstelacione të ndryshme kohore e politike ka histori relativisht të gjatë për kushte ballkanike. Ai është vendosur për 134 vjet, nga të cilat  ka shërbyer si kufi me kontroll për qarkullimin e njerëzve dhe mallrave për nja 47 vjet, ndërkohë që për 33 vjet kufiri ka qenë jofunksional dhe për vetëm 10 nga to plotësisht i ndryshuar, ndërsa për 66 vjet të tjerë ky ka qenë kufiri administrativ i njohur nga dyja palët dhe nga akti më i lartë ligjor, Kushtetuta e përbashkët jugosllave.

Me fjalë të tjera, nga 134 vjetët e vendosjes së këtij kufiri, ai për 113 vjet ka shërbyer si i tillë, herë si kufi shtetëror herë si administrativ, i njohur dhe i pakontestuar nga palët.

Prandaj, kontestimi dhe mosfunksionimi i sotshëm i kufijve duket aq më joreal.

Në fakt, politika hegjemoniste beogradase që nga Naçërtanja e tutje deri në Memorandumin e Akademisë së Shkencave ka synuar që përmes kontestimit të kufijve të bëjë zhbërjen e entiteteve që nga Bosnja e deri në Kosovë, që pjesërisht e ka arritur me krijimin e Republikës Serbe, të kufijve brenda kufijve. Kontestimi i kufijve të 1974-s ka qenë dhe është pjesë e kësaj logjike.

Fotolegjenda: Harta e ushtrisë së Perandorisë Osmane, nga viti 1901-1902

Fotolegjenda2:

Vinjeta

Kufiri i Kosovës, sipas Kushtetutës së fundit jugosllave të vitit 1974, nuk është as rastësi e as invencion komunist, siç ka pretenduar nganjëherë një pjesë e historisë nacionaliste serbe. Ai është ndërtuar mbi precedentët historikë të kohës dhe të verifikuar nga marrëveshjet ndërkombëtare.

Ndihmo Radio zeri mitrovices


Kontribuesit qe ndihmuan

Radio zeri Mitrovices ne menyr vullnetare

=========================

Muaji: Korik-2011

=========================

Gzim Koadralia 50 euro

_________________________

Hashim Kryeziu 35 euro

_________________________

Naser Xani 25

_________________________

Sami Zeneli 10 euro

=========================

Muaji: Janar-2012

=========================

Ilaz Azemi 40 euro

_________________________

Sami Zeneli 25 euro

_________________________

Naser Xani 25

_________________________

ERISA 15 euro

=========================

Muaji: Shkurt-2012

=========================

Gzim Halili 150 euro

_________________________

Xhafer Gjaka 50 euro

_________________________

Enver Hajzeri 25

_________________________

Muaji: Nentor-2012

=========================

Aslani Rejser (Danimark) 10 euro

_________________________

Xhevahir Gjonaj 50 euro

_________________________

Jeton Aliu 25 euro

_________________________

Sponzor gjeneral

VideoKlipe


Kliko ne kto ikona per ta ndegjuar radion:
Winamp windows Media Player Real Player

Dergo Urimet tuaj ne Radio Mitrovica


Fluturime nga Zvicra Kërko Fluturime te lira për Kosove Dizajn:KosovaPLUS
All Rights Reserved RadioMitrovica.eu

By continuing to use the site, you agree to the use of cookies. more information

The cookie settings on this website are set to "allow cookies" to give you the best browsing experience possible. If you continue to use this website without changing your cookie settings or you click "Accept" below then you are consenting to this.

Close