Krerët e Kosovës në New York për lobim

Prishtinë, 24 gusht – Gjatë punimeve të Asamblesë së Përgjithshme të OKB-së, në New York , do të qëndrojnë presidenti, Fatmir Sejdiu, kryeministri Hashim Thaçi dhe ministri i Jashtëm, Skënder Hyseni.
Kështu konfirmoi për Radio Kosovën, zëdhënësja e Ministrisë së Jashtme, Albana Beqiri, e cila tha se tashmë janë konfirmuar një varg takimesh me homologë nga vende të ndryshme, kryesisht që nuk e kanë njohur Kosovën.
Edhe pse, pa të drejtën e pjesëmarrjes në punimet e Asamblesë së Përgjithshme të OKB-së, Kosova do ta shfrytëzoj këtë rast për të lobuar për njohjen e pavarësisë nga vende që ende nuk e kanë bërë këtë. Gjatë këtyre ditëve, në New York, do të qëndrojnë krerët më të lartë shtetëror të vendit, konfirmon për Radio Kosovën, zëdhënësja e Ministrisë së Jashtme, Albana Beqiri.
“Kosova do të ketë në Nju Jork në ditët e Asamblesë së Përgjithshme, një delegacion të nivelit më të lartë shtetëror, përfaqësuar prej presidentit, kryeministrit dhe ministrit të Jashtëm të vendit”, theksoi Beqiri.
Zëdhënësja Beqiri, edhe pse nuk jep detaje, thotë se tashmë janë konfirmuar një varg takimesh, të cilat anëtarët e delegacionit të Kosovës, do t’i zhvillojnë me homologë të tyre, e që kryesisht janë nga vende që nuk e kanë njohur Kosovën.
“Ashtu sikurse edhe vitet e kaluara, për Asamblenë e Përgjithshme punohet gjatë. Ne kemi konsullatën tonë në New York, kemi edhe Ambasadën në SHBA, ndihmohemi edhe nga Misioni i Shqipërisë në New York, dhe ka një numër të madh takimesh të konfirmuara”, shtoi Beqiri.
Edhe zëdhënësi i presidentit Sejdiu, Xhavit Beqiri, thotë se tashmë ka konfirmime për disa takime me lider të vendeve që do të marrin pjesë në punimet e Asamblesë së Përgjithshme.
“ Do të ketë takime si të vendeve që e kanë njohur pavarësinë e Republikës së Kosovës, ashtu edhe të vendeve që nuk e kanë njohur pavarësinë. Presidenti Sejdiu do t’i shfrytëzoj këto ditë të qëndrimit të tij në New York, për të lobuar për njohjen e mëtejme të pavarësisë së vendit tonë”, tha Xhavit Beqiri, zëdhënës i presidentit.
Pos kësaj, dy zëdhënësat thonë se një aktivitet i madh është zhvilluar për ta bërë të pamundur kalimin e projektrezolutës serbe në Asamblenë e Përgjithshme. Zëdhënësi, Xhavit Beqiri, thotë se aktiviteti është koordinuar me vendet mike të Kosovës.
“Sidomos me vendet e Kuintit, në mënyrë që të pamundësohet kalimi i kësaj rezolute, e cila faktikisht shihet si e dëmshme për proceset e ardhshme, sidomos për integrimet euroatlantike të rajonit”.
Dy zëdhënësat shprehen bindjen e institucioneve që përfaqësojnë se Kosova do të shënojë edhe një sukses në Nju Jork.