Krasniqi ia mbyll mikrofonin Rexhepit, ndërpritet seanca

Rifillimi i pasdites i seancës së sotme të Parlamentit të Kosovës përfundoi ende pa filluar mirë. Për fjalë u paraqit së pari ministri i Punëve të Brendshme, Bajram Rexhepi, i cili filloi me sulme kundër kryeparlamentarit Jakup Krasniqi. Ky pastaj urdhëroi regjinë që t’ia ndërpresë mikrofonin, gjë që edhe u bë. Pas këmbimit të fjalëve midis këtyre dyve, ndërhyri edhe kreu i grupit parlamentar të PD-së, Adem Grabovci, i cili “falënderoi” Krasniqin për qasjen e tillë ndaj ministrit Rexhepi dhe PDK-së. Grabovci tha se nuk ka kushte për vazhdimin e seancës përderisa ai i largon nga salla ministrat, kurse Krasniqi iu përgjigj: unë nuk kam faj që keni sjellë ministra rrugaçë se që PDK-ja duhet të kujdeset që të mos emërojë ministra rrugaçë. “Ai tashti është dashur të japë dorëheqje”, ka thënë kryeparlamentari.
Pas kësaj Grabovci ka kërcënuar Krasniqin me shkarkim, kurse Krasniqi i është përgjigjur me fjalët: “Mblidhi 80 nënshkrime dhe më shkarkoni”.
Pas këtyre fjalëve, deputetët e PDK-së kanë braktisur punimet e seancës, kurse Krasniqi ka shpallur të përfunduar seancën e sotme shkaku i kuorumit, dhe ka caktuar vazhdimin e seancës për ditën e premte.