KQZ-ja certifikon nëntë partitë e para politike

Prishtinë, 18 nëntor – Ndërsa sot është dita e fundit (deri në mesnatë) për certifikimin e subjekteve politike për pjesëmarrje në zgjedhjet e 12 dhjetorit, Komisioni Qendror Zgjedhor ka certifikuar të mërkurën nëntë partitë e para politike, nga 29 sa kanë aplikuar gjithsej. Certifikimi i partive nga KQZ-ja është bërë pas rekomandimit të bërë nga Zyra për Regjistrimin e Partive Politike, pas verifikimit të dokumentacionit të dorëzuar nga subjektet politike. “Në bazë të dokumenteve të dorëzuara dhe të verifikuara, Zyra konstaton se janë plotësuar të gjitha kushtet për regjistrim”, ka thënë drejtoresha e Zyrës për regjistrim, Miradije Mavriqi, në mbledhjen e KQZ-së. Pas kësaj, anëtarët e KQZ-së me shumicë votash kanë votuar pro certifikimit të partive. Partitë e para të certifikuara janë: LDK-ja me 110 kandidatë, Fryma e Re me 86 kandidatë, KTB – Partia Turke 25 kandidatë, PREBK Partia Rome e Bashkuar e Kosovës 6 kandidatë, PDAK, Partia Demokratike e Ashkalinjve të Kosovës 49 kandidatë, LEK- Lidhja e Egjiptianëve të Kosovës 6 kandidatë, SDSG Partia Socialdemokrate e Gorës 13 kandidatë, IRDK-Iniciativa e re Demokratike e Kosovës 9 kandidatë dhe Partia e Ashkalinjve për Integrim me 9 kandidatë.