Kosova po shpreson të jetë befasia e eliminatoreve

Përfaqësuesja më e re e futbollit në botë po shpreson të jetë befasia e eliminatoreve të Kampionatit Botëror “Rusia 2018”, vetëm pak muaj pas anëtarësimit të plotë në FIFA dhe UEFA.
Kosova është pranuar në UEFA më 3 maj të këtij viti, kurse në FIFA dhjetë ditë më vonë dhe shumë shpejt u përfshi në eliminatoret e botërorit që do të mbahet në Rusi pas dy vjetësh, shkruan sot “Koha Ditore”. Me meritë fitoi një pikë pas barazimit me Finlandën (1:1) në Turku gjatë muajit të shkuar, në ndeshjen debutuese ndërkombëtare dhe po synon të bëjë befasi edhe kundër Kroacisë e Ukrainës, duele këto që do t’i zhvillojë gjatë kësaj jave në kuadër të Grupit I.
Megjithatë, seleksionuesi i Kosovës, Albert Bunjaki, insiston se objektivi me real për t’u arritur mbetet Kampionati Evropian i vitit 2020.
Përfaqësuesja e Kosovës luan kundër Kroacisë të enjten në Shqipëri, në qytetin verior Shkodër, pasi nuk ka stadium të pranuar nga UEFA.
Tri ditë më vonë luan në territor neutral ndeshjen si mysafire e Ukrainës. Ky ballafaqim luhet në Poloni, pasi ukrainasit nuk e njohin Kosovën si shtet të pavarur