Publikuar me datën: Mon, Feb 28th, 2011

Kosova po bisedon me Serbinë, e Serbia…?

Prishtinë, 28 shkurt – Një ditë pas deklarimit të shefit të delegacionit serb,  Borko Stefanoviq, se dialogu me Kosovën nuk do të jetë vetëm i karakterit teknik, por do të prekë edhe në çështjen “e pazgjidhur të statusit”, analistët në Prishtinë i bëjnë thirrje për kujdes palës kosovare.
Analisti politik, Azem Vllasi, ka deklaruar për “Kohën Ditore” se pala kosovare para fillimit të dialogut duhet të kërkojë garanci nga Brukseli që Serbia në një të ardhme të afërt do ta heqë nga Kushtetuta e saj “Kosovën si krahinë autonome”.
“Nëse në Kushtetutën e Serbisë figuron Kosova si pjesë e Serbisë, çfarëdo marrëveshjeje, çfarëdo bisedash me Serbinë në pikë të fundit nuk ia vlejnë asgjë për ne”, ka thënë ai.
Kurse Shkëlzen Gashi, duke përmendur se dialogu është parakusht drejt afrimit me BE-në, konsideron se kosovarët patjetër duhet të jenë të përgatitur, pasi që fundi i dialogut do të mund të prodhojë një “status special” për serbët e veriut të Kosovës.
Bisedimet në mes të Prishtinës dhe Beogradit tashmë janë çështje javësh. Nën trysni edhe të BE-së, të dyja palët janë duke i bërë përgatitjet. Serbia, së fundi edhe Kosova kanë emëruar nga një udhëheqës delegacionesh, ndonëse jo të njëjtë për nga pesha politike.
Vllasi vlerëson se bisedat me Serbinë duhet të jenë për çështje praktike që i përkasin rregullimit të raporteve mes dy shteteve, e të cilat do ta kenë edhe dimensionin e vet politik, por jo për çështjen e statusit të Kosovës.
Sipas tij, qysh para fillimit të dialogut duhet të definohen pozicionet e secilës palë se “kush me kë po bisedon”.
“Pala kosovare e ka të qartë se po bisedon me përfaqësuesit e shtetit të Serbisë. Ndërsa pala serbe, përderisa thotë se po bisedon me përfaqësuesit e shqiptarëve ose me përfaqësuesit e Prishtinës, kjo është absolutisht e papranueshme. Pala jonë nuk i përfaqëson shqiptarët apo Prishtinën, po e përfaqëson shtetin e Kosovës”, konsideron ai.
“Në fillim delegacionit serb përmes ndërmjetësuesve t’i ofrohet nënshkrimi i një deklarate të përbashkët, në të cilën të dyja palët, që do të thotë dy shtetet, deklarojnë se e pranojnë dhe e konsiderojnë të pacenueshme tërësinë territoriale të njërit dhe tjetrit shtet dhe deklarojnë se e respektojnë paprekshmërinë e kufijve të dyja shteteve”, ka theksuar Vllasi, duke vlerësuar se një veprim i tillë do t’i relaksonte bisedat.
Sipas tij, nëse pala serbe nuk do ta pranojë një propozim të tillë, atëherë ajo e bën me dije se bisedimet me Kosovën i përdor për ta bindur Brukselin se është duke bërë hapa drejt anëtarësimit të vet në Unionin Evropian dhe jo që ka qëllime serioze të rregullimit të marrëdhënieve me Kosovën.
Kurse për cilësimin se bisedimet e ardhshme “do të prekin çështjen e pazgjidhur të statusit”, që po u bën pala serbe, Vllasi mendon se ky cilësim është vetëm për konsum të brendshëm të serbëve.
Avokati Vllasi ka theksuar më tutje se pala kosovare ka përparësi absolute në këto biseda, natyrisht nëse di ta shfrytëzojë këtë përparësi.
“Para së gjithash, vlerësimi i Gjykatës Ndërkombëtare të Hagës se shpallja e pavarësisë së Kosovës është në përputhje me të drejtën ndërkombëtarë dhe fakti se qarqet relevante të komunitetit ndërkombëtar, që duan edhe të ndërmjetësojnë në këto biseda, deklarojnë se çështja e statusit është e kryer, kjo është përparësia”.
Në anën tjetër Vllasi ka konsideruar se institucionet e Kosovës me emërimin e zëvendëskryeministres Edita Tahiri në postin e shefet së delegacionit, vetë u kanë dhënë dimension politik bisedimeve.
Ai thotë se Tahiri është e zonja për këtë punë, por “nuk është dashur që pala jonë t’i japë formalisht nivel më të lartë sesa pala serbe, sepse kjo është porosi jo vetëm te serbët, që menjëherë e kanë vërejtur këtë punë, por edhe për qarqet ndërkombëtare që ne e kemi ndërmend të pranojmë edhe biseda më të rënda përtej çështjeve praktike e teknike”.
Në anën tjetër, analisti Shkëlzen Gashi, pasi tregon se bisedimet duhet të ndodhin si parakushte drejt afrimit me BE-në për të dyja palët, thotë se pala serbe do t’i shfrytëzojë këto bisedime për ta fituar statusin e kandidatit për anëtarësim në BE, ndërsa Kosova nga to mund të arrijë në nivelin që e ka tani Serbia, natyrisht duke plotësuar një sërë kushtesh të tjera.
Gashi vlerëson se përfundimisht nga ky dialog pala serbe do të mund të fitojë një “status special” për serbët e veriut.
“Dialogu mund t’i ndihmojë të dyja palët për të lëvizur drejt BE-së. Mirëpo Serbia është disa hapa përpara Kosovës drejt integrimit në BE. Dialogu për çështje ‘të vogla’ – kadastrën, të zhdukurit, kryesimin e CEFTA-s, regjistrimin e popullsisë, targat e automjeteve, e me radhë – mund të jetë dobiprurës për të dyja palët”, ka thënë Gashi, duke shtuar se kjo është e mundur vetëm nëse palët janë konstruktive, “sepse, ta zëmë, dialogu për të zhdukurit ka tashmë shtatë vjet që zhvillohet me pak sukses”.
Sipas Gashit, Kosova duhet të angazhohet maksimalisht që t’i sigurojë kushtet e tjera të BE-së, në mënyrë që mbarimin me sukses të dialogut për çështje “të vogla” (faza e parë) t’ia kushtëzojë me nënshkrimin e marrëveshjes për stabilizim-asociim dhe të asaj për liberalizimin e vizave.
Pa dyshim, ka theksuar Gashi, se dialogu për çështje “të mëdha” (faza e dytë) do të ketë për temë veriun e Kosovës, “me gjithë premtimin elektoral të ministrit të Punëve të Brendshme, Bajram Rexhepi, se do të insistojë që veriu i Kosovës të mos bëhet subjekt i bisedimeve Serbi-Kosovë. Në këtë kuadër mund të diskutohet për gjashtë pikat e Ban Ki-moonit, për dogana, gjyqësi, transport, polici, kufij e trashëgimi kulturore”.
Fundi i fazës së dytë, siç e quan ai, duket se do të prodhojë një “status special” për serbët.
“Kjo, me fjalët e ambasadorit të SHBA-së në Prishtinë, Christopher Dell, është ‘…një zgjidhje baraspeshë mes ruajtjes së shtetit të Kosovës dhe krijimit të hapësirës për serbët e veriut që të jetojnë siç zgjedhin vetë’”, ka thënë me tutje ai.
Sipas tij, nuk duhet harruar që Kosova udhëhiqet nga liderë, që për të mbetur në pushtet e të pasuruar paligjshëm, do të bëjnë koncesione të dhimbshme për Kosovën.
“Prandaj, mbetet të shihet se si ndërmjetësuesi kryesor i BE-së, diplomati britanik, Robert Cooper, autori i librit ‘The Breaking of Nations’ (Çarja e kombeve) do ta çajë Kosovën”.
Ndërsa, Klubi për Politikë të Jashtme vetëm një ditë më parë ka konsideruar se platforma e bisedimeve me Serbinë duhet të kalojë përmes Kuvendit të Kosovës.
“Mënyra sesi Qeveria po i qaset këtij procesi ngre shqetësime serioze për ecurinë e tij, por mbi të gjitha për pasojat që do të mund të prodhoheshin në raport me interesat shtetërore. KPJ-ja vlerëson se i tërë procesi i bisedimeve duhet të jetë konsensual dhe duhet t’i nënshtrohet verifikimit të Kuvendit të Kosovës”, ka deklaruar drejtori i KPJ-së, Ylli Hoxha.
Ndryshe, ndërmjetësi në bisedime, Robert Cooper, ka qëndruar të premten në Prishtinë, ku është takuar me kryeministrin Hashim Thaçi dhe me zëvendëskryeministren Edita Tahiri, e cila është emëruar si udhëheqëse e palës kosovare në bisedime. Takimi i Cooperit me krerët e Qeverisë së Kosovës është mbajtur larg syve të mediave, ndërsa ndërmjetësi ka udhëtuar edhe në Beograd për t’u takuar me krerët e shtetit atje.
Ndaj veprimeve të Qeverisë për të hyrë në bisedime pa u njoftuar Kuvendi i Kosovës kanë reaguar edhe partitë opozitare ditë më parë.
Gazeta ka provuar gjatë ditës të flasë me të emëruarën si udhëheqëse të bisedimeve të palës kosovare, Edita Tahiri, por ka qenë i pamundur kontakti me të. Ajo është emëruar të enjten si udhëheqëse e ekipit nga kryeministri Hashim Thaçi, por nuk janë dhënë detaje të tjera për ekipin dhe për platformën e bisedimeve.
Qeveria e Kosovës nuk ka bërë të ditur kohën se kur do të nisë dialogu, megjithëse është zhvilluar takimi i parë me ndërmjetësin Cooper, ndërsa në një komunikatë për media të lëshuar të enjten është bërë e ditur se dialogu do të jetë ndërshtetëror.
Duke vlerësuar se deri në këtë kohë autoritetet kosovare nuk kanë marrë hapa konkretë për kthimin e Fondit pensional nga Serbia, Partia e Pensionisteve të Kosovës ka kërkuar që gjatë këtyre bisedimeve t’i bëhet presion Serbisë që t’i kthejë kontributet e tyre.

Ndihmo Radio zeri mitrovices


Kontribuesit qe ndihmuan

Radio zeri Mitrovices ne menyr vullnetare

=========================

Muaji: Korik-2011

=========================

Gzim Koadralia 50 euro

_________________________

Hashim Kryeziu 35 euro

_________________________

Naser Xani 25

_________________________

Sami Zeneli 10 euro

=========================

Muaji: Janar-2012

=========================

Ilaz Azemi 40 euro

_________________________

Sami Zeneli 25 euro

_________________________

Naser Xani 25

_________________________

ERISA 15 euro

=========================

Muaji: Shkurt-2012

=========================

Gzim Halili 150 euro

_________________________

Xhafer Gjaka 50 euro

_________________________

Enver Hajzeri 25

_________________________

Muaji: Nentor-2012

=========================

Aslani Rejser (Danimark) 10 euro

_________________________

Xhevahir Gjonaj 50 euro

_________________________

Jeton Aliu 25 euro

_________________________

Sponzor gjeneral

VideoKlipe


Kliko ne kto ikona per ta ndegjuar radion:
Winamp windows Media Player Real Player

Dergo Urimet tuaj ne Radio Mitrovica


Fluturime nga Zvicra Kërko Fluturime te lira për Kosove Dizajn:KosovaPLUS
All Rights Reserved RadioMitrovica.eu

By continuing to use the site, you agree to the use of cookies. more information

The cookie settings on this website are set to "allow cookies" to give you the best browsing experience possible. If you continue to use this website without changing your cookie settings or you click "Accept" below then you are consenting to this.

Close