Kosova nuk brengoset që “miniera” e saj po gërmohet

Prishtinë, 10 janar – Ekspertë të futbollit dhe krerë të Federatës së Futbollit të Kosovës gjithnjë kanë insistuar se Zvicrën e shohin si “minierë” të vërtetë me talente kosovarë dhe se këta do të jenë e ardhmja e Përfaqësueses së Kosovës. Kjo “minierë” i ka shërbyer shumë edhe vetë Zvicrës, pasi ka marrë në përfaqësuese lojtarë si Valon Behrami, Xherdan Shaqiri, Granit Xhaka e të tjerë. Mirëpo, tani atje po “gërmohet” për talente kosovarë edhe nga jashtë dhe FFK-ja nuk tregohet e shqetësuar, të paktën jo publikisht.
Drejtuesit e Federatës Shqiptare të Futbollit (FSHF) do të organizojnë një kamp për futbollistët e rinj në Zvicër dhe këta futbollistë kryesisht janë shqiptarë nga Kosova. Kampi do të mbahet më 14, 15 e 16 janar dhe do të drejtohet nga vetë seleksionuesi i Kombëtares A, kroati Josip Kuzhe.
Shefi i ekipeve kombëtare të Shqipërisë, Denis Bastari ka bërë të ditur se janë shpërndarë rreth 120 ftesa për futbollistët e rinj. Ai ka pranuar se shumica e të ftuarve janë kosovarë, por nuk i ka bërë të ditur emrat e tyre.
“Ftesat tashmë i kemi dërguar dhe presim që një pjesë e futbollistëve të ftuar t’i përgjigjen pozitivisht këtij seleksionimi. Shumica e futbollistëve janë kosovarë dhe i kemi ftuar pasi ata llogariten pjesë e jona. Nëse tregohet ndonjëri i suksesshëm, atëherë do të nisim procedurat për ta pajisur me pasaportë”, është shprehur Bastari.
Koncentrimi i madh i kosovarëve në Zvicër i bën ata ndër komunitetin më të madh në këtë vend dhe talentet asnjëherë nuk kanë munguar. Ata më të shquarit tashmë janë “rrëmbyer” nga Zvicra. Tani edhe ata më të rinjtë mund t’i ikin Kosovës.
Seleksionuesi i Përfaqësueses së Kosovës, Albert Bunjaki kampin e organizuar nga FSHF-ja e vlerëson pozitiv për karrierën e lojtarëve kosovarë dhe për vetë FSHF-në. Megjithatë, ai beson se kosovarët do t’i kthehen ekipit të origjinës, kudo qofshin ata.
“Nuk është hera e parë, nuk është asgjë e re që FSHF-ja mban kampe të tilla. Është çështje që duhet zgjidhet mes dy federatave. Më shumë i takon FSHF-së të vlerësojë këtë, sepse ata me siguri që e kanë parasysh se kur ne të pranohemi mund të mbesin pa disa lojtarë”, tha Bunjaki. “Do të bashkëpunojmë me FSHF-në dhe këtë e shoh si pozitive për lojtarët kosovarë. Sa më e fortë që është Shqipëria, aq më i fortë do të jetë ekipi i Kosovës. Detyra ime është që ekipi ynë të jetë shembull në rajon dhe gjithashtu të jetë i fuqishëm”.
Deri tash FFK-ja nuk është paraqitur me ndonjë platformë për të mbrojtur këto talente jashtë vendit. Në të njëjtën kohë, FFK-ja insiston se Kosova dhe Shqipëria nuk mund të kenë një Kombëtare të vetme për shkak të rrethanave politike.
Sekretari i përgjithshëm i FFK-së, Eroll Salihu thotë se kur Kosova të pranohet në FIFA dhe UEFA, atëherë gjërat do të shkojnë vetëm në favor të Përfaqësueses kosovare. Me gjithë këto lëvizje, ai insiston që Përfaqësuesja e Kosovës do të jetë më atraktivja në rajon.
“Nuk mundemi tash të intervenojmë dhe askujt nuk mund t’ia ndalojmë të luajë për cilëndo përfaqësuese. Kur të pranohemi gjërat do të jenë në favorin tonë, sepse pjesa dërrmuese e futbollistëve do t’i bashkohet Përfaqësueses së Kosovës”, tha Salihu.
Ai bëri të ditur se edhe FFK-ja në bashkëpunim me seleksionuesin Bunjaki kanë në plan të organizojnë një kamp të tillë për futbollistë të rinj. Sipas Salihut, kampi mund të mbahet në Zvicër, por nuk përjashtohet mundësia që ai të mbahet edhe në shtetet e tjera ku ka numër të madh të talenteve nga Kosova.
Në të vërtetë, në kohën kur seleksionues i Kosovës ishte Edmond Rugova, në Zvicër u mbajt një grumbullim me talentet kosovarë dhe ndër të tjerët pjesëmarrës ishte edhe Xherdan Shaqiri.