Kosova me Task Forcës edhe për integrime evropiane

Kryeministri i Kosovës Hashim Thaçi tha se agjenda e integrimit të Kosovës në Bashkimin Evropian këtë vit ka shënuar një arritje pozitive dhe konkrete. Këto komente, Thaçi i bëri në takimin e njëmbëdhjetë të Këshillit Ministror për Integrime Evropiane, me ç’rast theksoi se lansimi i studimit të fizibilitetit dhe fillimi i dialogut për liberalizimin e vizave, hapin një etapë të re në marrëdhëniet mes shtetit të Kosovës dhe BE-së.
Për Qeverinë e Kosovës nuk ka agjendë më të rëndësishme sesa agjenda evropiane, tha kryeministri Hashim Thaçi në takimin e njëmbëdhjetë të Këshillit Ministror për Integrime Evropiane, në të cilin kërkoi nga secili institucion vartës i ekzekutivit, që t’i përkushtohet totalisht kësaj agjende. Thaçi tha se pret rezultate konkrete në përmbushjen e kritereve që kërkohet për këtë agjendë.
Qëllimi i takimit të sotëm është për të avancuar koordinimin dhe për të bërë monitorimin e arritjeve tona si qeveri. njëkohësisht edhe për të përcaktuar obligimet për javët dhe muajt në vijim, tha kryeministri.
Takimi i Këshillit Ministror për Integrime Evropiane vjen vetëm një ditë pas formimit të Task Forcës për integrime evropiane. Thaçi tha se ky është një mekanizëm praktik i cili pritet të sigurojë përfaqësimin e gjithë spektrit politik, akademik dhe të biznesit në procesin integrues. Në krye të këtij mekanizmi është caktuar ministrja Vlora Çitaku.
Kryeministri Thaçi ndërkohë përshëndeti vlerësimin e Freedom House për progresin e arritur për mediat e lira në Republikën e Kosovës, duke thënë se Qeveria edhe në të ardhmen do të jetë partner me mediat.