Kosova feston Ditën e Evropës, e kjo nuk e pranon

Të festosh ditën e organizatës që as nuk ta njeh statusin e shtetit tënd, padyshim është një karakteristikë që e dallon Kosovën nga të gjitha vendet e tjera, që Bashkimin Evropian e kanë një nga opsionet.
Në fakt, BE-ja për Kosovën është alternativa e vetme, ndërsa nuk ka të regjistruar asnjë grup, i cili do hidhte në dyshim këtë gjë, pra mungon në tërësi grupi i skeptikëve ndaj BE-së. Madje njohës të rrethanave në Kosovë, e mendojnë se një gjë e tillë edhe po ta dëshironte dikush, është një luks i paarritshëm.
Në fakt dashurinë që Kosova dhe kosovarët e kanë shprehur rregullisht për BE-në, rrallëherë e kanë marrë nga Brukseli, kjo pak a shumë e ndikuar dhe nga mosnjohja e Kosovës si shtet nga të gjitha vendet anëtare të BE-së, shkruan “Zëri”.
Bile ministrja për Integrime e Kosovës, Vlora Çitaku, marrëdhënien me BE-në thotë se disa e quajnë edhe “platonike”.
Një nga sqarimet për këtë “marrëdhënie platonike” është të dashurosh pa lidhje fizike, një marrëdhënie spekulative apo thjesht teorike.
Kosova ende nuk ka marrëdhënie kontraktuale me BE-në, ndërsa premtimet evropiane që po i bëhen tani Kosovës, janë përsëritje e asaj që i është ofruar edhe para disa vitesh.
Megjithëse, nga institucionet e vendit thuhet se është çështje kohe, Kosova vazhdon të jetë i vetmi vend në Ballkan ndaj të cilës BE nuk ka politika afirmative (udhërrëfyes) për lehtësimin e vizave dhe si pasojë është ndër vendet më të izoluara.