Kosova e gatshme për dialog me Serbinë

Kryeministri i Kosovës, Hashim Thaçi, do të takojë javën e ardhshme përfaqësuesen e lartë të BE-së për Politikë të Jashtme, Catherine Ashton. Shefi i Qeverisë së Kosovës, sipas burimeve të gazetës, do t`i transmetojë ndërmjetësues së dialogut të ardhshëm politik se Kosova është e gatshme për të nisur bisedimet me Serbinë në çdo kohë dhe në cilindo nivel që vendosin SHBA-ja dhe BE-ja.
Zyrtarë të lartë vendës e ndërkombëtarë kanë konfirmuar për gazetën në kushte anonimiteti se pala kosovare e ka gjetur formulën e konsensusit për dialogun, gjë që pritet të publikohet me afrimin e procesit të dialogut. Formula do të mundësojë konsultimin ndërmjet të të gjitha partive politike përveç “Vetëvendosjes”.
Për një gjë të tillë, sipas këtyre burimeve, pritet do të pajtohet edhe LDK-ja e Isa Mustafës, pas shpjegimit publik të miqve më të fuqishëm ndërkombëtarë të Kosovës për qëllimin e këtij procesi.
“Nuk është e thënë që të pajtohen të gjithë me dialogun, me rëndësi është që të ekzistojë forumi ku do të diskutohet dhe do të bëhet platforma, do të vendosen linjat e kuqe që ka Kosova”, i ka thënë gazetës një zyrtar i lartë ndërkombëtar.
Madje, burime të gazetës kanë bërë të ditur se pala kosovare ka filluar hartimin e një strategjie me anë të së cilës do t`i qaset dialogut me Serbinë. Sipas të njëjtave burime, qëllimi i palës kosovare është që marrëveshja për çfarëdo vetëqeverisjeje në veri të Kosovës të jetë në përputhshmëri me Pakon e Ahtisaarit, ndërkaq që nëpërmjet këtij procesi Serbia të pajtohet me ekzistencën e shtetit të ri dhe të mos e pengojë anëtarësimin e tij as në OKB. Pala kosovare, sipas të njëjtave burime, do të jetë e gatshme që për qytetarët e veriut të pranojë edhe rol të veçantë të EULEX-i, KFOR-it apo prezencave tjera ndërkombëtare për një periudhë të caktuar kohore.
Në këtë mënyrë, sipas burimeve, pala kosovare nuk do të përjashtojë planin në parim të prezantuar kryeministrit Hashim Thaçi gjatë takimit që ka pasur me shefen e diplomacisë së BE-së, Catherine Ashton