Koshtunica: Nëpunësi shtetëror po e shet Kosovën

Beograd, 10 mars – Ish kryetari i RFJ-së e kryeministri i Serbisë, dhe kryetar i Partisë Demokratike serbe, Vojisllav Koshtunica deklaroi sot se pushteti serb “në mënyrën më të keqe e ka përulur Serbinë asisoj që, me urdhrin e Brukselit dhë Washingtonit, ka pranuar fillimin e dialogut me përfaqësuesit e shtetit të rrejshëm të Kosovës”.
“Veçmas e padenjë është që këtë shitje të Kosovës e bën një nëpunës shtetëror, derisa ata që sipas Kushtetutës janë të ngarkuar të udhëheqin vendin janë të zënë gjoja me punë më të rëndësishme”, theksoi ai, transmeton gazeta Kurir.
“Shpërblimi që Serbia duhet ta marrë nga Brukseli e Washingtoni për dialog të suksesshëm me të vetëquajturin shtet i Kosovës, është dhënia e kandidaturës për anëtarësim në BE”, tha Koshtunica, dhe shtoi se deri tash asnjë shtet nuk e ka paguar biletën për në BE me territor të vetin, por këtë e ka pranuare vetëm pushteti aktual në Serbi.
“Vetëpërulja kurrë asnjë shteti nuk i ka sjellë asgjë të mirë dhe politika e tillë sigurisht është fatale për interesat shtetërore dhe ekonomike të Serbisë dhe për ardhmërinë e qytetarëve të saj”, vlerësoi ai.