Koordinojnë bashkëpunimin lëvizjet për bashkim të Shqipërisë e Kosovës

Prishtinë, 1 nëntor – Një delegacion i Lëvizjes për Bashkim, i përbërë nga kryetari z. Avni Klinaku, nga nënkryetari, z. Raif Qela, nga sekretari organizativ, z. Sabit Gashi, dhe anëtarët e KP-së z. Valon Murati e z. Agim Kuleta, qëndroi për një vizitë pune në Republikën e Shqipërisë.
Delegacioni i LB-së, sipas një njoftimi për media të Zyrës për informim të kësaj partie,
mori pjesë në Kongresin e shpalljes së subjektit më të ri politik në Republikën e Shqipërisë – Lista për Shqipërinë natyrale, subjekt i cili qëllim kryesor të veprimtarisë politike e ka bashkimin e trojeve shqiptare në një shtet të vetëm dhe i cili udhëhiqet nga Dr. Koço Danaj.
Në emër të Lëvizjes për Bashkim, Kongresin e përshëndeti Kryetari i LB-së, z. Avni Klinaku.
Takimin e parë zyrtar z. Koço Danaj e zhvilloi me përfaqësuesit e Lëvizjes për Bashkim. Në takim u analizua gjerë e gjatë situata politike në të gjitha trojet shqiptare dhe mundësitë e veprimit drejt bashkimit kombëtar.
Takimi ishte vëllazëror dhe palët u akorduan për të gjitha çështjet e diskutuara. Me këtë rast u shpreh gatishmëria për bashkëpunim të ngushtë reciprok dhe u arritën marrëveshje të rëndësishme.
Delegacioni i LB-së pati takime mjaft të frytshme edhe me ekspertë të lëmenjve të ndryshëm nga Republika e Shqipërisë.