Kongresistët amerikanë i panë barrikadat mbi Urë e Ibrit

Kongresistë amerikanë dhe mysafirë nga shtetet fqinje e Evropa, të cilët kanë qëndruar në Kosovë si pjesëmarrës në takimin e 10-të të Evropës Juglindore – Lutjet e Mëngjesit, sot, ditën e fundit të qëndrimit të tyre vizituan vende të ndryshme të vendit tonë. Ata vizituan Manastirin e Graçanicës, pastaj Mitrovicën, Prekazin dhe Prizrenin. Po ashtu, një pjesë e këtij delegacioni vizitoi edhe kishën katolike në Letnicë.
Gjatë vizitës së tyre në Mitrovicë, ata vizituan edhe Urën e Ibrit, ku kryetari i Komunës, Avni Kastrati i informoi për situatën në veri, duke thënë se situatën e tensionuar në pjesën veriore të Mitrovicës po vazhdojnë ta mbajnë strukturat kriminale serbe. “Fatmirësisht marrëveshja është arritur, andaj mendoj se sipas planit dhe dinamikës kjo gjendje do të tejkalohet. Më vjen mirë dhe shpresoj që për herë të fundit do të keni rastin ta shihni këtë barrikadë këtu”, i tha ai mysafirëve.
Kongresisti amerikan, Robert Aderholt tha se shpreson që me arritjen e marrëveshjes në Bruksel situata në këtë pjesë do të përmirësohet.
Si njofton Zyra për informim e Kuvendit të Kosovës, mysafirët vizituan Prekazin dhe bënë homazhe tek varrezat e Jasharëve, si dhe vizituan kompleksin memorial “Adem Jashari”. Në fund të këtij turi pjesëtarët e delegacionit vizituan edhe shtëpinë përkujtimore të “Lidhjes së Prizrenit”.