Publikuar me datën: Fri, Apr 13th, 2012

Knaus: Koha e fundit për më shumë presion të BE-së ndaj Serbisë

Udhëheqësi i Iniciativës Evropiane për Stabilitet, Gerald Knaus, vlerëson se është koha e fundit që BE t’i përgjigjet në mënyrë më “agresive” retorikës së Beogradit dhe duhet t’i kërkojë që të shpërbëjë strukturat në veri të Kosovës.

Prishtinë, 13 prill – Udhëheqësi i Iniciativës Evropiane për Stabilitet, Gerald Knaus, vlerëson se është koha e fundit që BE t’i përgjigjet në mënyrë më “agresive” retorikës së Beogradit dhe duhet t’i kërkojë që të shpërbëjë strukturat në veri të Kosovës.

Në intervistën ekskluzive për Radio Kosovën, ai thotë se nuk do të ketë ndarje të Kosovës, por mund të diskutohet për mënyrën e organizimit të jetesës së serbëve.

Radio Kosova: Gjatë kësaj jave sërish në pjesën veriore të Mitrovicës kemi incidente dhe tensione. A janë këto shenja se situata atje po eskalon?

Gerald Knaus: Definitivisht, kjo është shenjë se diçka po shkon në drejtimin e gabuar. Është e papranueshme që gjendja të eskalojë dhe është e papranueshme që kjo të arsyetohet me faktin se po mbahen zgjedhje çdo kund, përfshirë zgjedhjet në Serbi. Mirëpo, nëse keni një ministër të Brendshëm në Serbi, i cili thotë hapur se arrestimi i njerëzve mund të jetë masë e reciprocitetit, pavarësisht se mund të arrestohen njerëz të pafajshëm për sinjale politike, atëherë nuk ka nevojë që të ndodh asgjë dhe krahët ekstremë në nivel lokal, do të ndihet të inkurajuar. Pra, në vend që të përçohet mesazhi se masat jashtëligjore, posaçërisht dhuna, janë të përjashtuara, krijohet atmosfera e pandëshkueshmërisë. Kjo është shumë shqetësuese dhe është koha e fundit që Bashkimi Evropian, vendet anëtare dhe organizatat ndërkombëtare, që në mënyrë më agresive t’i kundërvihen kësaj retorike dhe kësaj mënyre të të menduarit.

Radio Kosova: Faktorët ndërkombëtarë e kanë dënuar dhunën atje, por nuk ka hapa konkretë për të vendosur sundimin e rendit dhe ligjit. Çfarë tregon kjo qasje?

Gerald Knaus: Mendoj se duhet të jetë shumë, shumë e qartë: zgjidhja politike për veriun është shumë e komplikuar, por zgjidhjet për ndalimin e dhunës duhet të kërkohen në drejtimin e duhur. Çelësi për ndalimin e dhunës qëndron në faktin se në Beograd dhe në Prishtinë nuk duhet të lejohet që të falet çfarëdo lloj dhune. Dihet se Beogradi ka shumë “leva” në Kosovën veriore. Normalisht, atje ka njerëz që veprojnë me iniciativën personale, por, madje, edhe këta persona varen nga sistemi që mbështetet në transferet nga Beogradi. E dimë se në Bosnje, për shembull, pas ndryshimeve në qeverinë e Zagrebit, në vitin 2000, dhe vdekjes së ish-presidentit Franjo Tugjman, incidentet në Hercegovinë kundër pakicave – morën fund. Kjo ndodhi pasi që nga Kroacia kishte sinjale të fuqishme se kjo është e papranueshme dhe në rast se vazhdohej në të njëjtën mënyrë – atëherë ndaj personave përgjegjës do të kishte presion dhe, madje, do të arrestoheshin. Këto lloj sinjalesh janë të nevojshme nga Beogradi. Në të njëjtën kohë nuk duhet të ketë provokime, aksione që manifestojnë urrejtje apo retorikë nxitëse nga Prishtina. Ky është çelësi: presioni efikas mbi qeveritë për të bërë çfarë është e mundshme për të ndalur ata që janë të predispozuar të përdorin dhunën.

Radio Kosova: Por, kush duhet ta bëj këtë presion? A ka Bashkimi Evropian mekanizma që të bëj presion të tillë ndaj Beogradit?

Gerald Knaus: Definitivisht po. Kjo për arsye se lidershipi i Serbisë ka shumë nevojë për Bashkimin Evropian. Serbia ka nivel shumë të lartë të papunësisë. Niveli i papunësisë në mesin e të rinjve është ndër më të lartit në botë. Ajo ka nevojë për besim dhe për investime. Mendoj se në Serbi ka shumë njerëz që janë plotësisht të vetëdijshëm se për të arritur Kroacinë, Sllovakinë, bile edhe Rumaninë apo Bullgarinë, Serbisë i duhen investime për të rritur punësimin. Problemi qëndron se, ata të cilët janë të interesuar për këto çështje, njëkohësisht janë më pak të interesuar për Kosovën, kurse ata që shqetësohen për Kosovën – janë më pak të interesuar për zhvillimet në Serbi. Këtu, Bashkimi Evropian duhet të ketë qëndrim dykahësh: të inkurajojë por edhe të përcaktojë vija të qarta. Serbia duhet ta ketë të mundur të fillojë bisedimet e aderimit me BE-në, sa më parë që të jetë e mundur, por, paraprakisht, ajo duhet të bëjë gjithçka për të ndaluar dhe për të shpërbërë ato struktura në pjesën veriore të Kosovës, të cilat janë të gatshme që të përdorin dhunën. Kjo duhet të jetë linja e qartë e vendeve të Bashkimit Evropian, sidomos e atyre më të fuqishmeve.

Radio Kosova: Çfarë duhet të bëjnë institucionet e Kosovës për të shtrirë autoritetin e tyre në pjesën veriore të vendit?

Gerald Knaus: Politika më e mençur është ajo e mosprovokimit të gjërave, por e vazhdimit të presionit ndaj Bashkimit Evropian që ta bëjë këtë punë. Dërgimi i policisë speciale, apo retorika agresive nga ana e Prishtinës, mund të sjell disa përfitime afatshkurtra populiste, por nuk ka gjasa që të sjell kthesa të vërteta e madje mund të ndikojë në përkeqësimin e situatës. Çelësi i politikës kosovare duhet të jetë që të bëjë presion mbi Bashkimin Evropian dhe mbi vendet anëtare se ata duhet të bëjnë presion përmes hallkave të tyre mbi Beogradin. Nuk mendoj se kjo është situata në të cilën politikat “agresive” nga Prishtina do të sillnin rezultate.

Radio Kosova: A duhet të fillojnë negociatat politike ndërmjet Prishtinës dhe Beogradit për zgjidhjen e çështjes së veriut të Kosovës?

Gerald Knaus: Është pak qesharake, sepse, në fund të fundit, të gjitha këto çështje për të cilat është diskutuar – janë politike, pavarësisht se prezantohen si teknike. Pasi që një e treta e serbëve të Kosovës jetojnë në veri, natyrisht, se veriu paraqet pjesë të rëndësishme të këtyre debateve. Nuk mendoj se duhet të ketë dialog të veçantë për veriun, por duhet të jetë pjesë e debatit, ashtu si ka qenë pjesë e diskutimeve në Planin Ahtisari. Në kuadër të kësaj kornize, rregulli i parë duhet të jetë që të gjithë ata që janë të predispozuar për të përdorur dhunën – të ndalen, ndërsa ata që nxisin dhunën – duhet të sillen para drejtësisë. Ky është parakusht, bazë për çfarëdo lloji të mirëbesimit. Brenda kësaj kornize të dialogut, atëherë, bëhet e mundur që të diskutohen edhe çështjet praktike që nga interesat e përbashkëta ekonomike e deri tek çështjet e qeverisjes lokale. Në fund, natyrisht, parametrat janë të qartë: nuk do të ketë ndarje të Kosovës, por mund të diskutohet për mënyrën e organizimit të jetesës së serbëve. Por, parakushti i parë është: liria e lëvizjes dhe jo dhunë, jo mjete të dhunshme dhe llogaridhënie për ata që nuk iu binden këtyre parimeve.

Radio Kosova: Zoti Knaus, cila sipas jush duhet të jetë zgjidhja përfundimtare për veriun e Kosovës: Plani Ahtisari, Ahtisari plus, status special, ndarje apo ndonjë alternativë tjetër?

Gerald Knaus: Ndarja është jashtë tryezës. Kjo për arsye se nuk ka një mënyrë principiele për të argumentuar se boshnjakët mund të jetojnë sërish në Srebrenicë, shqiptarët mund të jetojnë në Preshevë apo Maqedoni, kurse serbët nuk po mund të jetojnë në Kosovë. Kjo nuk ka kuptim. Në të njëjtën kohë, kjo do të ishte kundër interesave të vetë serbëve të Kosovës, sepse shumica prej tyre nuk jetojnë në pjesën veriore të Kosovës. Pra, parimi për veriun do të duhej të ishte: ndryshimet të shkaktojnë sa më pak zemërim. Të gjitha institucionet e themeluara nga Serbia në veri të Kosovës, universiteti, kourrikulumet, mësimdhënësit, spitali …, duhet të mbesin ashtu siç janë; duhet të ketë qeverisje sa më të afërt me qytetarët dhe duhet të ketë polici dhe gjyqësi shumetnike, ashtu siç ekziston në gjithë Kosovën. Të gjitha këto mund të diskutohen pavarësisht nëse i quani Ahtisari plus, apo autonomi – këto janë vetëm fjalë. Çelësi është substanca dhe substanca duhet të jetë që të bëhet gjithçka që është e mundur për t’iu mundësuar serbëve që të kenë institucione në Kosovë, pavarësisht nëse jetojnë në Graçanicë, Shterpcë apo Mitrovicë, dhe në të njëjtën kohë, të ketë sundim të ligjit me institucione shumetnike në gjithë Kosovën.

Ndihmo Radio zeri mitrovices


Kontribuesit qe ndihmuan

Radio zeri Mitrovices ne menyr vullnetare

=========================

Muaji: Korik-2011

=========================

Gzim Koadralia 50 euro

_________________________

Hashim Kryeziu 35 euro

_________________________

Naser Xani 25

_________________________

Sami Zeneli 10 euro

=========================

Muaji: Janar-2012

=========================

Ilaz Azemi 40 euro

_________________________

Sami Zeneli 25 euro

_________________________

Naser Xani 25

_________________________

ERISA 15 euro

=========================

Muaji: Shkurt-2012

=========================

Gzim Halili 150 euro

_________________________

Xhafer Gjaka 50 euro

_________________________

Enver Hajzeri 25

_________________________

Muaji: Nentor-2012

=========================

Aslani Rejser (Danimark) 10 euro

_________________________

Xhevahir Gjonaj 50 euro

_________________________

Jeton Aliu 25 euro

_________________________

Sponzor gjeneral

VideoKlipe


Kliko ne kto ikona per ta ndegjuar radion:
Winamp windows Media Player Real Player

Dergo Urimet tuaj ne Radio Mitrovica


Fluturime nga Zvicra Kërko Fluturime te lira për Kosove Dizajn:KosovaPLUS
All Rights Reserved RadioMitrovica.eu

By continuing to use the site, you agree to the use of cookies. more information

The cookie settings on this website are set to "allow cookies" to give you the best browsing experience possible. If you continue to use this website without changing your cookie settings or you click "Accept" below then you are consenting to this.

Close