Kadare: Drashkoviqi është nacionalist, unë jo

Më 1987-n, kur është shkruar (letra e Drashkoviqit), nuk më kujtohet t’i jem përgjigjur. Ajo është botuar së pari në shtypin serb. Madje, nuk më kujtohet ta kem ditur. Ju mund të thoni se mjafton kjo arsye, por unë po vazhdoj: edhe po ta kisha marrë letrën, nuk besoj se do t’i përgjigjesha.
Shqipëria ishte vend komunist dhe s’i njihte zakone të tilla si “letërkëmbim kolegësh” etj. Veç kësaj, kontrolli i përgjigjeve, në raste të tilla, ta hiqte çdo dëshirë të merreshe me to. Pas vitit 1990, kur e lash Shqipërinë, Drashkoviqi me të drejtë, sipas mendjes së vet, ka kujtuar ndoshta se tani që isha i lirë, mund ta kryenim dialogun e munguar. Dhe e botoi letrën në shtypin francez, truallin asnjanës për dialogun apo më saktë dyluftimin tonë shkrimtaror (po të më lejohej një fjalë e tillë).
Ç’është e vërteta, letra e tij nuk ishte në nivelin që e kërkonte pesha e problemit. Çështja e Kosovës meritonte një tjetër rang e një tjetër stil, shumë më serioz. Nuk do të desha ta fyej Vuk Drashkoviqin, tani që ai ndodhet në rënie e në hije, por nuk e kam marrë asnjëherë seriozisht letrën e tij. Të vinte keq që, një shkrimtar i talentuar si ai, kishte rënë në psikozën nacionaliste, pikërisht, në atë për të cilën më qortonte mua “si kolegu kolegut”.
Kam kërkuar, pra, një rang jo vetëm më të lartë, por edhe më dobiprurës për Kosovën e për gjithë Ballkanin, çka dokumentohet në letrat që po botoni ju, si dhe në shumë intervista e shkrime në gazetat më të mëdha të kohës.
(Ju thoni, se Drashkoviqi më kritikon për romanin “Krushqit janë të ngrirë”). Po të lexohet me kujdes letra e Drashkoviqit, në të flitet gjerësisht për krime në Kosovë. Është viti 1987. Është mbyllur dosja e përgjakshme e Bosnjës dhe Serbia po përgatitet për masakrën e radhës. Letra e Drashkoviqit e tradhton pa dashur këtë projekt.
Gjithçka që do të bëhet, ai e paraqet si një histori të kryer ndërkaq. Veç jo prej serbëve, por prej shqiptarëve. Mirëpo kujtimi i masakrës së pranverës së vitit 1981 është bezdisës për projektin e ri. Masakra e Prishtinës ka qenë prologu i tragjedisë së re në Ballkan. Si një proverb i ri qarkullonte shprehja: në Kosovë nisi, në Kosovë do të mbarojë.
Libri “Krushqit janë të ngrirë” flet pikërisht për ngjarjet e 1981. Ndaj ai ka qenë tepër i bezdisshëm për serbët. U shkrua fill pas ngjarjeve, në vitin 1982, dhe u botua një vit më pas. I përkthyer në anglisht e frëngjisht, e më pas në shumë gjuhë të tjera, ai libër ishte dëshmia e parë dhe e vetme, në një trajtë artistike, e një masakre të papërfytyrueshme mu në mes të Europës.
Ishte hera e parë që bota, nëpërmjet një vepre të tërë, vihej në dijeni për krimin jugosllav, shtetit të përkëdhelur prej të gjithëve si model i liberalizmit. Në këtë kah unë e kuptoj sulmin e Drashkoviqit. Ajo që s’kam kuptuar kurrë është sulmi, që më është bërë nga disa bashkëkombës të mi, letrarë të Kosovës. Në krye të këtij sulmi të palodhshëm kanë qenë S. Hamiti dhe R. Qosja.
Dhe nuk ka ndodhur rastësisht, në ndonjë stinë nervozizmi, por në mënyrë të vijueshme, gjatë 20 vitesh, e ndoshta më tepër. I kam përmendur tepër rrallë këto sulme, duke i cilësuar të pabesa e të pamoralshme, sepse nuk kam ditur ç’emër tjetër t’iu vë. Ti mbron Kosovën, me libra, me letra, artikuj, intervista, ti shkruan mbi 1000 faqe për të, që botohen në dhjetëra gjuhë, e këta akademikë vazhdojnë sulmin kundër teje; kjo është për të vënë duart në kokë, siç thuhet.
Madje i pari, Hamiti, është përqendruar pikërisht te “Krushqit janë të ngrirë”, duke e quajtur, njëlloj si Drashkoviqi, libër pa vlerë. Interpretimi im i kësaj fushate, që nuk mund të nderonte askënd, e sidomos dy akademikë të Kosovës, është i qartë: mos besoni asgjë nga ato që thotë shkrimtari I.K. Ai është stalinist, ai është i pabesueshëm. Do të isha kurioz të dëgjoja shpjegimin e palës tjetër.